26.5 C
Tirana
HomeKISHVeset dhe virtytet. Grykësia  
HomeKISHVeset dhe virtytet. Grykësia  

Veset dhe virtytet. Grykësia  

Katekezë 3.

PAPA FRANÇESKU

AUDIENCË E PËRGJITHSHME

Vëllezër e motra, mirëdita!

Në rrugëtimin tonë të katekezave që po bëjmë mbi veset dhe virtytet, sot ndalemi mbi vesin e grykësisë.

Çfarë na thotë Ungjilli në lidhje me këtë? Le të shohim Jezusin. Mrekullia e tij e parë, në dasmën në Kanë, tregon simpatinë e tij përkundrejt gëzimeve njerëzore: Ai është në merak që festa të përfundojë mirë dhe i dhuron çiftit një sasi të madhe vere shumë të mirë. Gjatë gjithë shërbesës së tij, Jezusi shfaqet si një profet shumë i ndryshëm nga Pagëzuesi: nëse Gjoni kujtohet për askezën e tij – ai ushqehej me atë që gjente në shkretëtirë –, Jezusi, përkundrazi, është Mesia që e shohim shpeshherë në tryezë. Sjellja e tij shkakton shkandull te disa, sepse jo vetëm që është dashamirës ndaj mëkatarëve, por edhe ha me ta; dhe ky gjest tregonte vullnetin e tij për bashkim dhe afërsi me të gjithë.

Por kemi edhe diçka tjetër. Ndërsa qëndrimi i Jezusit ndaj ligjeve hebraike na zbulon nënshtrimin e tij të plotë ndaj Ligjit, Ai megjithatë tregon se është i kuptueshëm me dishepujt e tij: kur këta kapen në gabim, sepse janë të uritur dhe mbledhin kallinj gruri ditën e shtunë, Ai i përligj ata, duke kujtuar se edhe mbreti David dhe shokët e tij, duke pasur nevojë, kishin ngrënë bukët e kushtuara (krh. Mk 2,23-26). Dhe Jezusi pohon një parim të ri: të ftuarit në dasmë nuk mund të agjërojnë kur dhëndri është me ta; do të agjërojnë kur atyre t’u hiqet dhëndri. Tanimë gjithçka është në lidhje me Jezusin. Kur Ai është mes nesh, ne nuk mund të jemi në zi; por në orën e mundimit të tij, atëherë po, le të agjërojmë (krh. Mk 2,18-20). Jezusi dëshiron që ne të jemi të gëzuar në shoqërinë e tij – Ai është Dhëndri i Kishës –; por do që edhe ne të marrim pjesë në vuajtjet e tij, që janë edhe vuajtjet e të vegjëlve dhe të varfërve.

Një aspekt tjetër i rëndësishëm. Jezusi e hedh poshtë dallimin midis ushqimeve të pastra dhe të papastra, që ishte një dallim i bërë nga ligji hebre. Në realitet – mëson Jezusi – nuk është ajo që hyn në njeriun që e bën atë të papastër, por ajo që del nga zemra e tij. Dhe duke thënë këtë gjë ai i «shpalli të pastra të gjitha ushqimet» (Mk 7,19). Për këtë arsye krishterimi nuk sheh ushqime të papastra. Por vëmendja që duhet të kemi është ajo e brendshme: pra, jo mbi ushqimin në vetvete, por te marrëdhënia jonë me të. Dhe mbi këtë gjë Jezusi e thotë qartë se ajo që e bën të mirën ose të keqen, si të thuash, e një ushqimi nuk është ushqimi në vetvete, por marrëdhënia që kemi me të. Dhe ne e vërejmë, kur njeriu ka një marrëdhënie të parregullt me ​​ushqimin, shikojmë si ha, ha me nxitim, sikur me dëshirën për t’u ngopur dhe kurrë nuk ngopet, nuk ka marrëdhënie të mirë me ushqimin, është skllav i ushqimit.

Këtë marrëdhënie të qetë që vendosi Jezusi në lidhje me të ushqyerit duhet të rizbulohet dhe të vlerësohet, veçanërisht në shoqëritë e të ashtuquajturës mirëqenie, ku shfaqen shumë çekuilibra dhe shumë patologji. Hahet shumë, ose shumë pak. Shpeshherë hahet në vetmi. Çrregullimet e të ngrënit po përhapen: anoreksia, bulimia, obeziteti… Dhe mjekësia e psikologjia po përpiqen që ta trajtojnë marrëdhënien e keqe me ushqimin. Një marrëdhënie e keqe me ushqimin prodhon të gjitha këto sëmundje.

Bëhet fjalë për sëmundje, shpeshherë shumë të dhimbshme, të cilat lidhen më së shumti me atë që vuan psikika dhe shpirti. Të ushqyerit është dëftim i diçkaje të brendshme: gatishmëria paraprake për ekuilibër ose tepria; aftësia për të falënderuar ose pretendimi arrogant i autonomisë; empatia [aftësia për t’u vënë në situatën e tjetrit] e atyre që dinë të ndajnë ushqimin me nevojtarët, apo egoizmi i atyre që grumbullojnë gjithçka për vete. Ky pohim është kaq i rëndësishëm: më trego si ushqehesh dhe unë të them se çfarë shpirti ke. Brendësia jonë, zakonet tona, qëndrimet tona psikike zbulohen nga mënyra se si ushqehemi.

Etërit e lashtë e quanin vesin e grykësisë me emrin “gastrimargia”, term që mund të përkthehet me “çmenduri e barkut”. Grykësia është një “çmenduri e barkut”. Dhe ekziston edhe ky proverb: që ne duhet të hamë për të jetuar, jo të jetojmë për të ngrënë. Grykësia është një ves që shartohet pikërisht në njërën nga nevojat tona jetike, siç është ushqimi. Të kemi kujdes ndaj kësaj gjëje.

Nëse e lexojmë këtë nga pikëpamja sociale, grykësia është ndoshta vesi më i rrezikshëm, që po vret planetin. Sepse mëkati i atyre që dorëzohen para një fete torte, me një fjalë, nuk shkakton dëme të mëdha, por makutëria me të cilën jemi lëshuar prej disa shekujsh, ndaj të mirave të planetit, po komprometon të ardhmen e të gjithëve. Jemi turrur mbi çdo gjë, për t’u bërë zotër të çdo gjëje, ndërsa çdo gjë i qe dorëzuar kujdesit tonë, jo shfrytëzimit tonë! Ja pra mëkati i madh, tërbimi i barkut: ne kemi hequr dorë nga të emërtuarit njerëz, për të marrë një tjetër, “konsumatorë”. Dhe sot flitet kështu në jetën shoqërore: “konsumatorët”. As që e kemi vënë re që dikush ka filluar të na quajë kështu. Ne jemi bërë për të qenë burra dhe gra “eukaristikë/e”, të aftë për falënderim, të përkorë në përdorim e tokës, porse rreziku është që të shndërrohemi në grabitqarë, dhe tani po e kuptojmë se kjo formë e “grykësisë” i ka bërë shumë dëm botës. I lutemi Zotit të na ndihmojë në rrugën e përkormërisë dhe që format e ndryshme të grykësisë të mos e pushtojnë jetën tonë.

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme