27.5 C
Tirana
HomeKISHProjekt-ligji mbi shëndetin seksual dhe riprodhues
HomeKISHProjekt-ligji mbi shëndetin seksual dhe riprodhues

Projekt-ligji mbi shëndetin seksual dhe riprodhues

Dom Mark Pashkja
Zëdhënës i KISH

Përmes një interpelance parlamentare zhvilluar me Ministren e Shëndetësisë më 27 qershor 2024, opinioni publik mori përciptazi dijeni rreth një projekt-ligji mbi të ashtuquajturin shëndet seksual dhe riprodhues, i cili është bërë tashmë pjesë e aktualitetit legjislativ si nismë e një grupi deputetësh.

Një draft jozyrtar i këtij projekt-ligji ka qarkulluar në mjedise të ndryshme prej disa kohësh, pa qenë i qartë identiteti i deputetëve që e kanë propozuar dhe i ekspertëve që e kanë hartuar. Shqetësimi legjitim që krijohet nga leximi i përmbajtjes së këtij dokumenti legjislativ, i cili, diku hapur e diku tinëz, synon të përligjë mëmësinë dhe fëmijët surrogatë, të promovojë abortin pa limit si një vlerë zhvillimore të shoqërisë, të autorizojë, kinse në mënyrë të rregulluar, tregtimin e trupit të gruas dhe të përmbysë institucionin e martesës duke ia devijuar qëllimin social dhe identitetin autentik si bashkim i një burri dhe një gruaje, duhet të ndërgjegjësojë opinionin publik për të qenë vigjilent e për të kërkuar që t’i garantohet e drejta e një procesi legjislativ demokratik, objektiv, transparent e gjithëpërfshirës.

Kisha katolike në Shqipëri, së bashku me konfesionet dhe besimet e tjera, ka kërkuar zyrtarisht nga Kuvendi i Shqipërisë, si instancë ku është depozituar projekt-ligji dhe ku ai pritet të diskutohet, që të bëjë transparencë të plotë, në emër të së drejtës së informimit dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve, mbi motivet e mirëfillta etike, synimet, nismëtarët dhe hartuesit e këtij dokumenti. Gjithashtu, Kisha katolike, e gatshme që të kontribuojë në diskutim me vërejtje objektive, kërkon të dëgjohet në nivelin e përshtatshëm institucional dhe bën thirrje që Kuvendi i Shqipërisë, por edhe Qeveria, të krijojnë sa më parë kushtet për një debat publik të vërtetë mbi një projekt-ligj që rrezikon të impaktojë në mënyrë të pakthyeshme marrëdhëniet shoqërore, konceptet etike dhe antropologjike që janë në themel të bashkëjetesës sonë, të drejtën themelore të familjes, integritetin dhe dinjitetin e çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë dhe të ardhmen e fëmijëve shqiptarë.

Më shumë se çdo dokument legjislativ, që në kohë të ndryshme i është nënshtruar një debati të mirëfilltë publik, me pjesëmarrjen e gjerë të grupeve të interesit, të mediave, të shoqërisë civile dhe të institucioneve fetare, projekt-ligji mbi të ashtuquajturin shëndet seksual dhe riprodhues meriton të debatohet, të rrihet e të konfrontohet haptazi. Për sa kohë shmanget një proces i tillë i domosdoshëm dhe nismëtarët e hartuesit e tij nuk marrin përgjegjësinë që po aq haptazi të shfaqen dhe të marrin përsipër nismën e tyre, projekt-ligji në fjalë rrezikon të shndërrohet në një diktat dhe në një provokim, në shembullin e parodisë së “celebrimit të martesës” mes dy personave të së njëjtës gjini, që në shpërfillje dhe në shkelje flagrante të ligjeve të Republikës, e për skandalin e institucioneve të shtetit, gjeti pikërisht strehë nën to, ndërkohë që përgjegjësia e aktit të shëmtuar mbeti jetime.

Në këto kushte, Kisha katolike në Shqipëri u bën thirrje institucioneve dhe mbarë opinionit publik, që ta mbrojnë nga asgjësimi të drejtën themelore kushtetuese të një procesi ligjvënës të drejtë, objektiv, transparent dhe gjithëpërfshirës. Sakrifikimi i një procesi të tillë përmes kalimit forcërisht e në heshtje të një axhende të caktuar, do të ishte dëmi më i madh që mund t’i bëhej vendit.

8 Korrik 2024

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme