Në 10-vjetorin e lumnimit të martirëve, Imzot Vincenc Prennushi dhe shokëve të tij martirë, përtej ndjenjës së krenarisë, e cila automatikisht na shfaqet, është koha që të reflektojmë thellë mbi pasurinë e kësaj trashëgimie. Pasuri e cila do të duhej të reflektohej automatikisht në modelin e Kishës të cilin jemi duke ndërtuar dhe që pasqyrojmë çdo ditë në baritoren tonë. Besoj se është jetike të reflektojmë, në nivel personal dhe bashkësior, mbi praninë e trashëgimisë së dëshmisë së tyre brenda misionit të përditshëm.
Nëse shohim më në hollësi krejt jetën e tyre, profecia dhe dimensioni profetik i Kishës spikat në çdo fazë të jetës së tyre. Përballjen me komunizmin ata nuk e filluan vetëm kur ajo ideologji u mbërriti te dera, por shumë më herët.
Ndërkohë që një pjesë e mirë e elitës intelektuale ironizonte çetat e të rinjve të dehur pas “ideve proletare” në Tiranë apo Korçë, Dom Ndre Zadeja e dënonte atë publikisht në Shirokë; françeskanët e Gjuhadolit e trajtonin si një rrezik real, ndërsa jezuitët përgatitnin studentët se si të përballeshin me të. Përtej rezistencës heroike, ata mbajtën gjallë këtë dimension profetik, i cili i bënte ata besnikë ndaj ADN-së së Kishës së Krishtit.
Profecia qëndron pikërisht në këtë aftësi të leximit dhe interpretimit të shenjave të kohës, si pjesë e një konteksti kohor e shoqëror, dhe në forcën për të dëshmuar të vërtetën, të pakompleksuar nga asgjë dhe nga askush. Larg prej hezitimit të influencuar nga persona, simpati, interesa apo faktorë të jashtëm, cilido qoftë çmimi që duhet paguar.
Óscar Romero, në një homeli të prillit të vitit 1978, pohon:
“Një Kishë që nuk shkakton krizë, një Ungjill që nuk shqetëson, një Fjalë e Zotit që nuk prek mëkatin konkret të shoqërisë në të cilën shpallet: çfarë Ungjilli do të ishte ky? Dhe ata predikues që, për të mos u shqetësuar, për të mos pasur konflikte dhe vështirësi, shmangin çdo çështje të mprehtë, nuk e ndriçojnë realitetin në të cilin jetojnë.”
Është më se evidente se kjo forcë profetike duhet të konsistojë në një veprimtari e cila flet me një gjuhë të qartë, të perceptueshme, dhe jo në një gjuhë e cila i përket një bote tjetër, paralele. Botë e cila, me qëllim për të zhvlerësuar rolin e fesë në shoqëri, ka tendencën të emërtohet me terma të tipit: “bota fetare” ose “aspekti fetar”. Kjo bëhet qëllimisht për të reduktuar e mohuar rolin e fesë në jetën njerëzore dhe shoqërore, duke e paraqitur atë si diçka paralele ose diçka pa lidhje me jetën konkrete të përditshme.
Nëse ekziston një armik i cili, në mënyrë të pashmangshme, paralizon dhe fillon e zhduk pak nga pak dimensionin profetik të një Kishe dhe fik zërin profetik, ai është mediokriteti. Mediokriteti, si fenomen, është sfida dhe rreziku i çdo njeriu, por brenda Kishës dhe bashkësive të krishtera bëhet fatal pikërisht për këtë pasojë.
Nëse profecia është fytyra e ngritur nga qielli, mediokriteti është koka e përkulur mbi veten. Vetëmjaftueshmëria me atë që Kisha të jep, kënaqësia nga autoriteti apo statusi që përfiton prej saj, identifikimi me uniformën dhe jo me misionin, interesi i vënë përpara entuziazmit, prioriteti vetjak mbi atë bashkësior, janë shenja të mediokritetit akut, që duhen evidentuar, luftuar dhe larguar nga realiteti i çdo bashkësie.
Kur këto fenomene fillojnë e zënë vend, aktiviteti reduktohet vetëm brenda mureve të ndërtesës; profilizohemi vetëm brenda liturgjisë, gjë që na çon dalëngadalë drejt humbjes së kontaktit me shoqërinë, pasi ajo, në fakt, nuk është më shqetësimi ynë, por vetja dhe dinamikat tona. Në këtë mënyrë, identiteti i krishterë shndërrohet vetëm në një përkatësi.
Kur dinamikat tona të brendshme shndërrohen në prioritare, diskutimi i përditshëm fokusohet tek individi dhe jo tek parimi, objekti i vëmendjes bëhet personi dhe jo kauza që ai mbron, besimi përqendrohet tek e jashtmja dhe jo tek esenca. Kështu, dalëngadalë, ambienti toksikohet në mënyrë të tillë, saqë progresivisht fiket edhe shpirti profetik. Ky realitet dhe këto dukuri, në mënyrë progresive, e shndërrojnë Kishën në një organizatë njerëzore, nëse do të shpreheshim me termat ratzingerianë. Kështu edhe thirrja e krishterë kthehet thjesht në një përkatësi pa efekt në jetën e përditshme, e cila rrezikon të mos frymëzojë për asgjë.
Në kushtet në të cilat ndodhemi sot si shoqëri, qoftë në dimensionin global, qoftë në atë lokal, është e domosdoshme të ripërtërihemi më shumë se strukturalisht, shpirtërisht, si Kishë, nën dritën e vërtetë të shembullit të martirëve, duke mos vënë në pah krenarinë për veprën e tyre, por në praktikë pasurinë e përshpirtërisë së tyre, e cila duhet të fillojë nga shpirti profetik. Dhuratë që, me pagëzimin, çdo i krishterë e merr si pjesë të identitetit të tij.

