HomeKISHLum ai që zbulon varfërinë e vet dhe pasurohet në dashurinë e...

Lum ai që zbulon varfërinë e vet dhe pasurohet në dashurinë e Krishtit.

Nga Shqipëria në Katania: të Rinjtë në Mision

Nga data 21 deri më 23 nëntor, ne, të rinjtë nga Gruda e Re, Hoti i Ri, Vinoteka dhe Golemi, shtegtuam drejt Katanias, në Siçili, për tri ditë të paharrueshme shërbimi, miqësie dhe vëllazërie.

Gjatë këtij shtegtimi u shoqëruam nga Etërit Vinçencianë dhe Motrat Françeskane të Zojës së Papërlyer, të cilët na udhëhoqën në këtë përvojë të bukur, duke na ndihmuar të rritemi në fe, dashuri dhe bashkim.

Udhëtimi nga Shqipëria drejt Catanias, në Siçili, ishte shumë më tepër sesa një udhëtim. U shndërrua në një përvojë besimi, shërbimi dhe reflektimi. Ishte një përvojë përmes së cilës patëm mundësinë të njihnim realitete të ndryshme nga ato që ne shikonim ç’do ditë dhe mbi të gjitha, të zbulonim praninë e Krishtit në secilin prej njerëzve që takuam.

Nga Shqipëria u nisëm me gatishmërinë tonë për të shërbyer, e ajo që na priste në Catania ishte një përvojë që sfidoi mënyrën se si e kuptonim varfërinë, mikpritjen dhe marrëdhëniet njerëzore. Takimet me njerëz që jetojnë në kushte të vështira na dhanë mundësinë të dilnim jashtë realitetit tonë të përditshëm dhe ta shihnim botën nga një këndvështrim tjetër, ndoshta i panjohur për ne.

Një nga eksperiencat më të veçanta ishte të kuptonim se varfëria nuk përkufizohet vetëm nga mungesa e të mirave materiale por dhe atyre jomateriale. Njohëm njerëz me aftësi të jashtëzakonshme intelektuale, forcë të brendshme dhe histori të veçanta jetësore, të cilëve mundësitë u ishin kufizuar për shkak të rrethanave në të cilat jetonin. Megjithatë, pavarësisht vështirësive, pamë diçka të mrekullueshme: aftësinë e tyre për të ndarë me njëri-tjetrin, për të ndihmuar, për të shërbyer dhe për të gjetur lumturinë edhe në gjërat më të vogla. Kuptuam se njerëzit të cilëve kishim udhëtuar për t’u shërbyer, kishin gjithashtu shumë për të na mësuar.

Gjatë qëndrimit tonë në Catania, kuptuam se shërbimi ishte bërë një shprehje konkrete e Ungjillit. Patëm mundësinë të shërbenim pranë Help Center-it të Caritas Dioqezane, mensës së Motrave të Nënë Terezës dhe Locandës së Samaritanit. U njohëm me struktaurat e Etërve Vinçencianë (Locanda del Samaritano) që prej vitesh janë në shërbim të të varfërve, emigrantave, duke strehuar dhe ndihmua gratë e dhunuara e shumë e shumë shërbime të tjera që ata ofrojnë.

Të jetosh besimin do të thotë të takosh Jezusin në çdo njeri, veçanërisht tek ata që shpesh mbeten të padukshëm për shoqërinë. Dhurata më e rëndësishme që mund t’i ofrojmë dikujt nuk është domosdoshmërisht ndihma materiale, por dashuria, vëmendja dhe ndjesia e të qenurit i pranuar. Shërbimi nuk ishte thjesht një deshirë por një shprehje e të qenurit vëllezër dhe motra me njëri-tjetrin.

Përmes punës së përbashkët me vullnetarët italianë, ndarjes së përgjegjësive, lutjeve, vakteve, të qeshurave dhe momenteve të gëzimit, mësuam vlerën e bashkimit përtej dallimeve kulturore që mund të mendonim se i kishim. Edhe në momentet e lodhjes, qëllimi i përbashkët na dhuronte gëzim. Çdo takim u shndërrua në një mësim jete dhe çdo vepër e mirë në një kujtesë se në këtë bashkësi ka vend për këdo.

Mësimi më i madh që sollëm me vete nga Italia ishte kuptimi se të gjithë jemi të varfër, por në mënyra të ndryshme. Disa përjetojnë varfërinë materiale, ndërsa të tjerë mbartin vështirësi të padukshme por që shpesh here bëhen më të rënda se ato materiale.

U kthyem nga Catania me zemrat plot mirënjohje, duke marrë me vete kujtimet e njerëzve që njohëm, mikpritjen që përjetuam dhe miqësitë që krijuam. Por, mbi të gjitha, u kthyem me një kuptim të ri: pasuria e vërtetë e jetës nuk matet me atë që zotërojmë, por me atë që jemi ne të gatshëm të dhurojmë.

Gjergj Shegaj

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme