32.5 C
Tirana
HomeKISHMirëbesimi birnor
HomeKISHMirëbesimi birnor

Mirëbesimi birnor

Vijim i katekezave, në kuadër të Vitit kushtuar lutjes...

Mos u zemëro nëse nuk merr menjëherë nga Hyji çka i kërkon. Ai do të të shpërblejë akoma më shumë, për këmbënguljen tënde, që të qëndrosh me të në lutje. Ai do që dëshira jonë të ushtrohet në lutje, në mënyrë që të bëhemi të aftë për të marrë atë çka ai është gati të na japë

Në qoftë se lutja jonë është vendosmërisht e bashkuar me atë të Krishtit, në mirëbesimin dhe guximin birnor, ne do të nxjerrim gjithçka që lypim në emër të tij; shumë më tepër se këtë ose atë send: marrim vetë Shpirtin Shenjt, që përfshin të gjitha dhuratat

2734 Mirëbesimi birnor vihet në sprovë – dhe shfaqet – në vuajtje. Vështirësia kryesore ka të bëjë me lutjen e kërkesës, në ndërmjetësimin për vete ose për të tjerët. Disa heqin dorë edhe nga të luturit, sepse mendojnë se lutja e tyre nuk dëgjohet. Këtu shtrohen dy pyetje: Pse mendojmë që lutja jonë nuk na është dëgjuar? Në ç’mënyrë lutja jonë është dëgjuar, është «e efektshme»?

Pse të ankohemi që nuk jemi dëgjuar?

2735 Para së gjithash duhet të na habisë një konstatim: kur lavdërojmë Hyjin ose e falënderojmë për bamirësitë e tij në përgjithësi, ne nuk shqetësohemi fare për të ditur nëse lutja jonë del e pëlqyeshme para tij. Ndërsa pretendojmë të shikojmë rezultatin e kërkesës sonë. Cila është, pra, shëmbëllesa e Hyjit, që motivon lutjen tonë: një mjet për t’u përdorur nga ne, apo Ati i Zotit tonë, Jezu Krishtit?

2736 A jemi të bindur se «nuk dimë as çka të kërkojmë?» (Rom 8,26). A i kërkojmë Hyjit «të mirat e përshtatshme»? Ati ynë e di se për çfarë kemi nevojë përpara se t’ia kërkojmë, por pret kërkesën tonë, sepse dinjiteti i bijve të tij qëndron në lirinë e tyre. Prandaj është e nevojshme të bëhen lutje me Shpirtin e tij të lirisë, që të mund të njohim me të vërtetë dëshirën e tij.

2737 «Nuk keni pse nuk luteni. Luteni e nuk fitoni, pse luteni keq që t’i shpenzoni në plotësimin e ëndjeve tuaja» (Jak 4,2-3). Në qoftë se ne lypim me zemër të ndarë, «të pabesë», Hyji nuk mund të na e plotësojë kërkesën, sepse ai do të mirën tonë, jetën tonë. «Apo ndoshta mendoni se kot Shkrimi Shenjt thotë: Me xhelozi e dëshiron shpirtin që e vendosi në ne» (Jak 4,5). Hyji ynë është «xheloz» për ne dhe kjo është shenja e vërtetësisë së dashurisë së tij. Le të hyjmë në dëshirën e Shpirtit të tij dhe do të na dëgjohet lutja: «Mos u zemëro nëse nuk merr menjëherë nga Hyji çka i kërkon. Ai do të të shpërblejë akoma më shumë, për këmbënguljen tënde, që të qëndrosh me të në lutje» (Evagrio Pontico, De oratione). «Ai do që dëshira jonë të ushtrohet në lutje, në mënyrë që të bëhemi të aftë për të marrë atë çka ai është gati të na japë» (Shën Augustini, Epistula).

Në ç’mënyrë lutja jonë është e efektshme?

2738 Zbulimi i lutjes në Ekonominë e shpëtimit na mëson se feja mbështetet në veprimin e Hyjit në histori. Mirëbesimi birnor nxitet nga veprimi i Hyjit në shkallën më të shkëlqyer: mundimi dhe ngjallja e Birit të vet. Lutja e krishterë është bashkëveprim me provaninë e Hyjit, me planin e tij të dashurisë për njerëzit.

2739 Te Shën Pali ky mirëbesim është i guximshëm (krh. Rom 10,12-13), i bazuar mbi lutjen e Shpirtit në ne dhe mbi dashurinë besnike të Atit që na ka dhuruar Birin e vet (krh. Rom 8,26-39). Shndërrimi i zemrës që lutet është përgjigjja e parë ndaj kërkesës sonë.

2740 Lutja e Jezusit e bën lutjen e krishterë një kërkesë të efektshme. Ai është modeli i saj, ai lutet në ne dhe me ne. Meqenëse zemra e Birit nuk kërkon tjetër veçse atë që i pëlqen Atit, si do t’ia bënte zemra e të birësuarve të kapej më shumë për dhuratat se sa për dhuruesin?

2741 Jezusi lutet edhe për ne, në vendin tonë dhe në favorin tonë. Të gjitha kërkesat tona janë përmbledhur njëherë e përgjithmonë në britmën e tij mbi kryq dhe të dëgjuara nga Ati në ngjalljen e tij dhe kjo është arsyeja që ai nuk pushon së ndërmjetësuari për ne pranë Atit. Në qoftë se lutja jonë është vendosmërisht e bashkuar me atë të Krishtit, në mirëbesimin dhe guximin birnor, ne do të nxjerrim gjithçka që lypim në emër të tij; shumë më tepër se këtë ose atë send: marrim vetë Shpirtin Shenjt, që përfshin të gjitha dhuratat.

Qëndresa në dashuri

2742 «Lutuni pa pushim» (1 Sel 5,17) «falënderoni Hyjin Atë në emër të Zotërisë tonë Jezu Krishtit» (Ef 5,20); «Lutuni në bashkim me Shpirtin Shenjt me çdo uratë e lutje në çdo rast! Prandaj edhe rrini zgjuar me shumë qëndresë dhe në lutje për të gjithë shenjtërit» (Ef 6,18). «Nuk kemi qenë të urdhëruar të punojmë, të rrimë zgjuar dhe të agjërojmë vazhdimisht, ndërsa lutja e pandërprerë është ligj për ne» (Evagrio Pontico, Capita practica ad Anatolium). Ky zell i palodhshëm nuk mund të vijë veçse nga dashuria. Kundër rëndimit dhe përtacisë sonë, lufta e lutjes është lufta e dashurisë së përvuajtur, mirëbesuese dhe e qëndrueshme. Kjo dashuri i hap zemrat tona mbi tri të dhëna feje, ndriçuese dhe gjallëruese.

2743 Të lutesh është gjithmonë e mundshme: koha e të krishterit është ajo e Krishtit të ngjallur, që është me ne «deri në të sosur të botës» (Mt 28,20), cilatdo qofshin stuhitë. Koha jonë është në duart e Hyjit: «Edhe në treg ose gjatë një shëtitjeje në vetmi mund të bëhet një lutje e shpeshtë dhe e zjarrtë. Mund të luteni edhe në dyqanin tuaj, qoftë kur shitni, kur bleni, ose edhe kur gatuani» (Shën Gjon Gojarti, De Anna, sermo).

2744 Të lutesh është një nevojë jetësore. Prova e kundërt nuk është më pak bindëse: po qe se nuk lejojmë të udhëhiqemi nga Shpirti, do të biem sërish nën robërinë e mëkatit. Si mundet Shpirti Shenjt të jetë «jeta jonë», në qoftë se zemra jonë është larg tij? «Asgjë nuk vlen më shumë se lutja; ajo bën të mundur atë që është e pamundur dhe të lehtë atë që është e vështirë. […] Është e pamundur të bjerë në mëkat njeriu që lutet» (Shën Gjon Gojarti. vep. cit). «Kush lutet sigurisht shpëton; kush nuk lutet sigurisht dënohet» (Shën Alfons de Liguori, Del gran mezzo della preghiera).

2745 Lutja dhe jeta e krishterë janë të pandashme, sepse bëhet fjalë për të njëjtën dashuri dhe për të njëjtin vetëmohim që buron nga dashuria. I njëjti përkim birnor dhe plot me dashuri ndaj planit të dashurisë së Atit. I njëjti bashkim shndërrues në Shpirtin Shenjt, që gjithmonë e më shumë na bën të ngjashëm me Krishtin Jezus. E njëjta dashuri për të gjithë njerëzit, ajo dashuri me të cilën na ka dashur Jezusi. «Ati do t’ju japë çkado të kërkoni në Emër tim. Këtë gjë ju urdhëroj; doni njëri-tjetrin!» (Gjn 15,16-17). «Lutju pa pushim atij që bashkon lutjen me veprat dhe veprat me lutjen. Vetëm kështu ne mund ta çmojmë të realizueshëm parimin e të luturit pa pushim» (Origjeni, De oratione).

Lutja e Orës së Jezusit

2746 Kur erdhi Ora e tij, Jezusi iu lut Atit. Lutja e tij, më e gjata që na është përçuar nga Ungjilli, përfshin tërë Ekonominë e krijimit dhe të shpëtimit, si edhe vdekjen dhe ngjalljen e tij. Lutja e Orës së Jezusit mbetet gjithmonë lutja e tij, po ashtu si Pashkët e tij, që ndodhën «një herë e përgjithmonë», mbeten të pranishme në liturgjinë e Kishës së tij.

2747 Tradita e krishterë me të drejtë e përkufizon si «lutja priftërore» e Jezusit. Është lutja e Kryepriftit tonë, është e pandashme nga flijimi i tij, nga «kalimi» («pashkët») i tij tek Ati, ku ai i është «kushtuar» krejtësisht Atit.

2748 Në këtë lutje pashkore, flijuese, çdo gjë është «përmbledhur në të»: Hyji dhe bota, Fjala dhe mishi, jeta e amshuar dhe koha, dashuria që dorëzohet dhe mëkati që e tradhton, dishepujt e pranishëm dhe ata që për shkak të fjalës së tyre do të besojnë në të, asgjësimi dhe lavdia. Kjo është lutja e unitetit.

2749 Jezusi e ka përmbushur plotësisht veprën e Atit dhe lutja e tij, ashtu si flijimi i tij, shtrihet deri në mbarimin e kohëve. Lutja e Orës mbush kohët e fundit dhe i çon drejt plotësimit të tyre. Jezusi, Biri të cilit Ati i ka dhënë gjithçka, i është dorëzuar tërësisht Atit dhe, në të njëjtën kohë, shprehet me një liri sovrane për pushtetin që Ati i ka dhënë mbi çdo qenie njerëzore. Biri, që është bërë Shërbëtor, është Zotëria, Παντοκράτωρ-Pantokrátor. Kryeprifti ynë që lutet për ne, është edhe ai që lutet në ne dhe Hyji që na përmbush dëshirat.

2750 Duke hyrë në emrin e shenjtë të Zotit Jezus, ne mund të marrim, nga brenda, lutjen që ai na mëson: «Ati ynë». «Lutja e tij priftërore» frymëzon, së brendshmi, kërkesat e mëdha të lutjes «Ati ynë»: kujdesin për emrin e Atit, zellin për Mbretërinë e tij (lavdinë), përmbushjen e vullnetit të Atit, të planit të tij të shpëtimit dhe çlirimin nga e keqja.

2751 Së fundi, në këtë lutje Jezusi na zbulon dhe na dhuron «njohjen» e pandashme të Atit dhe të Birit, që është vetë misteri i jetës së lutjes.

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme