17.5 C
Tirana
HomeDioqeza RrëshenKRESHME DHE POEZI
HomeDioqeza RrëshenKRESHME DHE POEZI

KRESHME DHE POEZI

Imzot Gjergj Meta
Ipeshkëv i Rrëshenit

“Ki durim ndaj nyjeve të pazgjidhura në zemrën tënde dhe mundohu t’i duash pyetjet, që janë të ngjashme me dhoma të mbyllura me çelës ose me libra të shkruar në një gjuhë krejt të huaj.  Mos kërko për përgjigjet, të cilat nuk mund të të jepen tani, sepse nuk do të ishe i zoti të jetoje me to. Dhe çështja është të jetosh çdo gjë. T’i jetosh pyetjet tani për tani. Mandej ndoshta, ndonjë ditë të largët në të ardhmen, pa e kuptuar fare, gradualisht do të arrish t’i marrësh edhe përgjigjet.”

– Rainer Maria Rilke


Me këto fjalë të poetit austriak, Rainer Maria Rilke, të drejtuara një shkrimtari të ri, po e nis edhe reflektimin tim në këtë fillim kreshmeje.

Sa më shumë që kalon koha, ikin vitet, thinjen flokët e shtohen rrudhat; sa më shumë që rriten përvojat e jetës, përgjegjësitë dhe sfidat tona, çuditërisht shtohen edhe pyetjet e nyjet e pazgjidhura brenda nesh. Jeta merr përherë e më shumë përmasat e misterit, i cili bëhet gjithnjë e më i ngjashëm me një mjegull të dendur përpara teje. Mundesh të shikosh qartë deri ku ke mbërritur dhe çfarë ke pas shpine, por nuk mundesh të shikosh çfarë të pret më tej, çfarë ke përpara. Ajo është si letërsia e mirë, ku Fjala gjendet përtej fjalëve; është si një palimpsest, ku pas çdo shtrese gjendet një kod, një shkrim, një histori; është si një poezi, e cila kërkon disa lexime për ta kuptuar e ndierë dhe çdo herë mbetesh me ndjesinë se ka prapë gjëra për të rrokur në të. E njëjta gjë që na ndodh edhe përballë një pikture, skulpture, e çdolloj vepre të mirë të formave të ndryshme të artit.

Atëherë ndien gjithnjë e më fort se ke nevojë për dikë që të të udhëheqë. Agustini i Iponës e quan këtë udhëheqës “mësuesi i brendshëm”, i cili sipas tij gjendet në secilin prej nesh. Dante na jep si udhërrëfyes në “pyllin plot errësi”: Virgjilin dhe Beatriçen, mashkulloren dhe femëroren, që ashtu në harmoni midis tyre, e udhëheqin njeriun drejt zbulimit të mistereve të jetës. Është Shpirti ai që na udhëheq drejt së vërtetës tërësore, na thotë Jezusi në Ungjillin e Gjonit. Na udhëheq, por nuk e zëvendëson vullnetin dhe dëshirën tonë. Na bëhet shok rruge. 

Kështu, kreshma nuk është kërkimi i përgjigjeve, por kërkimi i një mësuesi që i dëgjon pyetjet tona dhe sidomos që nuk ka nxitimin të na përgjigjet, duke “na shtypur” nga lartësia e dijes së tij. Ai thjesht na shoqëron. Pyetjet janë të shumta, aq të shumta sa nuk i mbajmë dot prej gjithë peshës së tyre. Shpesh të trembin ata njerëz, duke përfshirë këtu edhe veten time, të cilët kanë vetëm përgjigje dhe i kanë ato në majë të gjuhës, por nuk i jetojnë pyetjet bashkë me ty. Dhe ata që nuk dinë të heshtin përballë një pyetjeje, qoftë edhe për pak çaste, por marrin turr të përgjigjen menjëherë, janë të pabesueshëm.   

Kreshma ka një horizont dhe ai është varri bosh. Deri te ky i fundit shkohet nëpërmjet një itinerari pothuajse virgjilian, sikurse te poema “Eneida” apo si Dante, i cili i përshkon të gjithë rrathët e ferrit, si Krishti tek e fundit, që përshkon udhën e mundimit dhe vdekjes. Është një rrugëtim, i cili kalon nëpërmjet shumë pyetjeve dhe rreziqeve. Është metafora e udhëtimit të jetës. Varri bosh është në fakt mungesa e vdekjes, mungesa e një trupi që kundërmon erë vdekjeje. Është një vend i gërmuar mbi të cilin mund të hidhen themele të reja. Por për të shkuar drejt tij, drejt një fillimi të ri, gjithnjë të ri, kalohet nëpërmjet shkretëtirës së nyjeve të pazgjidhura.  

Prandaj, të mos kërkojmë përgjigje përgjatë rrugës, por të hedhim hapa. Hapat e hedhur janë përgjigjja, kurse rrugëtimi është vetë qëllimi. Ato, përgjigjet, ndoshta do të vijnë në fund ose ndoshta edhe jo, por ama do të kemi rrugëtuar.

Rrugëtim të mbarë të kreshmes!     

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme