20.5 C
Tirana
HomeKISHVeset dhe virtytet. Forca
HomeKISHVeset dhe virtytet. Forca

Veset dhe virtytet. Forca

Katekezë 14.

PAPA FRANÇESKU

AUDIENCË E PËRGJITHSHME

Të dashur vëllezër e motra, mirëdita!

Katekeza e sotme i kushtohet të tretit nga virtytet kardinale, domethënë forcës. Le të nisemi nga përshkrimi që bën Katekizmi i Kishës Katolike: «Forca është virtyti moral që, gjatë vështirësive, siguron vendosmërinë dhe ngulmimin në kërkimin e së mirës. Ajo përforcon vendimin për t’u bërë qëndresë tundimeve dhe për të kapërcyer pengesat në jetën morale. Virtyti i forcës e bën njeriun të aftë për të mposhtur frikën (deri edhe atë të vdekjes), si dhe për të përballuar sprovën dhe përndjekjet» (nr. 1808). Kështu thotë Katekizmi i Kishës Katolike mbi virtytin e forcës.

Ja, pra, virtyti më “luftarak”. Nëse i pari nga virtytet kardinale, domethënë maturia, lidhej mbi të gjitha me arsyen e njeriut; dhe ndërsa drejtësia ka banesën e vet te vullneti; ky virtyt i tretë, forca, shpesh lidhet, nga autorët skolastikë, me atë që të lashtët e quanin “oreksi/shtysa gjaknxehtë”. Mendimi i lashtë s’e imagjinonte një njeri pa pasione: ai do të ishte një gur. Dhe nuk është e thënë që pasionet janë detyrimisht mbetje e një mëkati; mirëpo, ato duhet të edukohen, duhet të drejtohen, duhet të pastrohen me ujin e Pagëzimit, ose më mirë me zjarrin e Shpirtit Shenjt. Një i krishterë pa guxim, që nuk e ushtron forcën e tij për të mirën, që nuk shqetëson askënd, është një i krishterë i padobishëm. Të mendojmë për këtë gjë! Jezusi nuk është një Hyj pa gjallëri e pa ndjenja, që nuk i njeh emocionet njerëzore. Përkundrazi. Përballë vdekjes së mikut të tij, Lazrit, shpërthen në lot; dhe shpirti i tij me pasione nëpërduket në disa nga shprehjet e tij, si atëherë kur thotë: «Erdha të sjell zjarrin mbi tokë e sa dëshiroj të ishte tashmë i ndezur flakë!» (Lk 12,49); dhe përballë tregtarëve në Tempull, ai reagoi me forcë (khs Mt 21,12-13). Jezusi kishte pasion.

Por le të bëjmë tani një përshkrim ekzistencial të këtij virtyti shumë të rëndësishëm që na ndihmon të japim fryte në jetë. Të lashtët – si filozofët grekë ashtu edhe teologët e krishterë – shquanin te virtyti i forcës një zhvillim të dyfishtë, njëri pasiv dhe tjetri aktiv.

I pari është në funksion të brendësisë sonë. Ka armiq të brendshëm që duhet t’i mposhtim, të cilët mbajnë emra të tillë si ankthi, angështia, frika, faji: të gjitha forca këto që trazohen në brendësinë tonë e që në disa situata na paralizojnë. Sa shumë luftëtarë dorëzohen ende para se ta fillojnë sfidën! Sepse nuk i vënë re këta armiq të brendshëm. Forca është një fitore para së gjithash kundër vetvetes. Pjesa më e madhe e frikës që lind në ne është joreale dhe nuk realizohet assesi. Do të ishte më mirë atëherë të thërrisnim Shpirtin Shenjt e të përballojmë gjithçka me forcë të durueshme: nga një problem me radhë, ashtu si jemi në gjendje, por jo vetëm! Zoti është me ne, nëse besojmë tek Ai dhe e kërkojmë me sinqeritet të mirën. Atëherë, në çdo situatë, ne mund t’i zëmë besë Provanisë së Hyjit, e cila vepron si shqyt e mburojë e jona.

Pastaj kemi lëvizjen e dytë të virtytit të forcës, këtë herë me natyrë më aktive. Përveç sprovave të brendshme, ka edhe armiq të jashtëm, që janë sprovat e jetës, përndjekjet, vështirësitë që nuk i prisnim e që na befasojnë. Njëmend, ne mund të përpiqemi që ta marrim me mend se çfarë do të ndodhë me ne, por, në pjesën më të madhe, realiteti përbëhet nga ngjarje të paparashikueshme, dhe, në këtë det, varka jonë ndonjëherë lëkundet nga dallgët. Forca atëherë na bën marinarë të qëndrueshëm, të cilët nuk tremben dhe nuk shkurajohen.

Qëndrueshmëria është një virtyt themelor sepse e merr seriozisht sfidën e së keqes në botë. Dikush shtiret sikur ajo nuk ekziston, se gjithçka shkon mirë, se vullneti njerëzor nuk është herë-herë i verbër, se forcat e errëta që sjellin vdekjen nuk luftojnë në histori. Porse mjafton të shfletosh një libër historie, apo fatkeqësisht edhe gazetat, për të zbuluar se jemi pjesërisht viktima dhe pjesërisht protagonistë të mizorive të saj: luftëra, dhunë, skllavëri, shtypje e të varfërve, plagë të pashëruara që ende rrjedhin gjak. Virtyti i forcës na bën të reagojmë e t’i themi me të madhe një “jo”, një jot të prerë gjithë kësaj. Në Perëndimin tonë të rehatshëm, i cili ka zbërdhulur disi gjithçka, që e ka shndërruar rrugën drejt përsosmërisë në një zhvillim të thjeshtë organik, që nuk ka nevojë për luftë ngaqë gjithçka i duket njësoj, ndonjëherë ndjejmë një nostalgji të shëndetshme për profetët. Porse njerëzit e parehatshëm dhe vizionarë janë shumë të rrallë. Kemi nevojë për dikë që t’i vërë kazmën vendit të rehatshëm  ku jemi ulur dhe të na bëjë të përsërisim me vendosmëri “jo”-në tonë ndaj së keqes dhe gjithçkaje që çon në indiferencë. “Jo” së keqes dhe “jo” indiferencës; “po” ​ecjes, ecjes që na bën të përparojmë dhe për këtë gjë nevojitet që të luftojmë.

Ta rizbulojmë atëherë në Ungjill forcën e Jezusit dhe ta nxëmë atë duke parë dëshminë e shenjtërve shenjtëreshave. Faleminderit!

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme