6.5 C
Tirana
HomeKISHMESAZHI I ATIT TË SHENJTË FRANÇESKUT PËR DITËN E 58-të BOTËRORE TË...
HomeKISHMESAZHI I ATIT TË SHENJTË FRANÇESKUT PËR DITËN E 58-të BOTËRORE TË...

MESAZHI I ATIT TË SHENJTË FRANÇESKUT PËR DITËN E 58-të BOTËRORE TË KOMUNIKIMEVE SOCIALE

Inteligjenca artificiale dhe urtia e zemrës:

për një komunikim plotësisht njerëzor

aaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaa

Të dashur vëllezër dhe motra!

Evolucioni i sistemeve të së ashtuquajturës “inteligjencë artificiale”, mbi të cilën kam reflektuar tashmë në Mesazhin për Ditën Botërore të Paqes, po modifikon në mënyrë rrënjësore edhe informimin e komunikimin dhe, nëpërmjet tyre, disa baza të bashkëjetesës civile. Bëhet fjalë për një ndryshim që përfshin të gjithë, jo vetëm profesionistët. Përhapja e përshpejtuar e shpikjeve të mahnitshme, funksionimi dhe potenciali i të cilave janë të padeshifrueshme për shumicën prej nesh, ngjall një habi që luhatet midis entuziazmit dhe çorientimit dhe na vendos në mënyrë të pashmangshme përpara pyetjeve themelore: çfarë është njeriu, cila është veçantia e tij dhe cila do të jetë e ardhmja e species sonë e quajtur homo sapiens në epokën e inteligjencës artificiale? Si mund të mbetemi plotësisht njerëzor dhe ta orientojmë drejt së mirës ndryshimin kulturor që po ndodh?

. Duke u nisur nga zemra .

Para së gjithash, është e udhës që të pastrohet terreni nga leximet katastrofike dhe efektet e tyre paralizuese. Një shekull më parë tanimë, duke reflektuar mbi teknologjinë dhe njeriun, Romano Guardini fonte që të mos ngurtësoheshim kundër “të resë” në përpjekjen për të «ruajtur një botë të bukur që shkon drejt zhdukjes». Mirëpo, njëkohësisht, në mënyrë të përzemërt e profetike, ai paralajmëronte: «Vendi ynë është në atë realitet që sa vjen e bëhet. Ne duhet të futemi në të, secili në vendin e vet (…), duke aderuar aty me ndershmëri, por sidoqoftë duke mbetur të ndjeshëm, me një zemër që s’prishet, ndaj çdo gjëje shkatërruese dhe jo njerëzore në të». Dhe përfundonte: «Është e vërtetë se bëhet fjalë për probleme të natyrës teknike, shkencore dhe politike; por ato nuk mund të zgjidhen veçse duke u nisur nga njeriu. Duhet të formohet një tip i ri njerëzor, i pajisur me një përshpirtëri më të thellë, me një liri dhe brendësi të re”[[1]].

Në këtë epokë që rrezikon të jetë e pasur në teknologji dhe e varfër nga ana njerëzore, reflektimi ynë nuk mund të mos fillojë përveçse nga zemra e njeriut[[2]]. Vetëm duke u pajisur me një shikim shpirtëror, vetëm duke përvetësuar një urti të zemrës, ne mund të lexojmë e të interpretojmë risinë e kohës sonë dhe të rizbulojmë rrugën drejt një komunikimi plotësisht njerëzor. Zemra, e kuptuar sipas Biblës si selia e lirisë dhe e vendimeve më të rëndësishme në jetë, është një simbol i integritetit, i unitetit, por na kujton edhe afektet, dëshirat, ëndrrat dhe, mbi të gjitha, është vendi i brendshëm i takimit me Hyjin. Kësisoj, urtia e zemrës është ai virtyt që na lejon të thurim së bashku të tërën dhe pjesët, vendimet dhe pasojat e tyre, lartësitë dhe brishtësitë, të kaluarën dhe të ardhmen, un-in dhe ne-në.

Kjo urti e zemrës lejon që të gjendet prej atyre që e kërkojnë dhe të shihet prej atyre që e duan; u del para atyre që e dëshirojnë atë dhe i kërkon ata që janë të denjë për të (krh Ur 6,12-16). Qëndron me ata që pranojnë këshilla (krh. Fu 13,10), me ata që kanë një zemër që mëson, një zemër që dëgjon (krh 1 Mbr 3,9). Ajo është një dhuratë e Shpirtit Shenjt, e cila na lejon t’i shohim gjërat me sytë e Hyjit, t’i rrokim lidhjet, situatat, ndodhitë dhe t’ua zbulojmë atyre kuptimin. Pa këtë urti ekzistenca bëhet e pakripë, sepse është pikërisht urtia – në latinisht rrënja e fjalës urti [sapientia] lidhet me atë të shijes [sapor] – që i jep shije jetës.

. Mundësi dhe rrezik .

Nuk mund ta presim këtë urti nga makinat. Edhe pse termi inteligjencë artificiale tanimë ka zëvendësuar me marifet atë më korrektin që përdoret në literaturën shkencore, machine learning, vetë përdorimi i fjalës “inteligjencë” është devijues. Makinat sigurisht që kanë një kapacitet jashtëzakonisht më të madh se njerëzit për të memorizuar të dhënat dhe për t’i lidhur ato me njëra-tjetrën, por i takon njeriut dhe vetëm atij që t’ua deshifrojë kuptimin. Kësisoj, nuk bëhet fjalë për të kërkuar nga makinat që të ngjajnë njerëzore. Përkundrazi, bëhet fjalë për të zgjuar njeriun nga hipnoza në të cilën bie për shkak të delirit për plotfuqishmëri, duke besuar se është subjekt tërësisht autonom e që i referohet vetëm vetes, i ndarë nga çdo lidhje shoqërore dhe duke harruar se është krijesë.

Në realitet, njeriu gjithmonë e ka përjetuar se nuk i mjafton vetvetja dhe përpiqet ta kapërcejë dobësinë e tij duke u shërbyer me çdo mjet. Duke u nisur nga artefaktet e para prehistorike, të përdorura si zgjatime të krahëve, e përmes mediave të përdorura si zgjatim i fjalës, sot kemi arritur te makinat më të sofistikuara që veprojnë si ndihmëse të mendimit. Mirëpo, secila prej këtyre realiteteve mund të përlyhet nga tundimi zanafillor për t’u bërë si Hyji pa Hyjin (krh. Zan 3), domethënë, dëshira për të fituar me forcat e veta atë që në fakt do duhej të pranohej si dhuratë prej Hyjit dhe të përjetohej në marrëdhënie me të tjerët.

Në varësi të orientimit të zemrës, çdo gjë që njeriu ka në duart e tij bëhet mundësi ose rrezik. Vetë trupi i tij, i krijuar për të qenë vend komunikimi dhe bashkimi, mund të bëhet mjet agresiviteti. Në të njëjtën mënyrë, çdo shtrirje teknike e njeriut mund të jetë mjet shërbimi dashamirës ose sundim armiqësor. Sistemet e inteligjencës artificiale mund të kontribuojnë në procesin e lirimit nga padija e të lehtësojnë shkëmbimin e informacionit ndërmjet popujve dhe brezave të ndryshëm. Për shembull, mund ta bëjnë të arritshme dhe të kuptueshme pasurinë e madhe të njohurive të shkruara në epokat e kaluara ose t’i bëjnë njerëzit të komunikojnë mes tyre në gjuhë të panjohura për ta. Porse njëkohësisht mund të jenë mjete të “ndotjes konjitive”, të tjetërsimit të realitetit përmes rrëfimeve që janë pjesërisht ose plotësisht të rreme e që prapëseprapë besohen – dhe bashkëndahen – sikur të ishin të vërteta. Mjafton të mendojmë për problemin e keqinformimit me të cilin po përballemi prej vitesh sikurse është rasti i fake news[[3]] dhe që sot shërbehet me deep fake, domethënë krijimin dhe përhapjen e imazheve që duken krejtësisht të besueshme, por janë false (më ka rastisur edhe mua të bëhem objekt), ose mesazhe audio që përdorin zërin e një personi duke thënë gjëra që ai person nuk i ka thënë kurrë. Simulimi, i cili është në bazë të këtyre programeve, mund të jetë i dobishëm në disa fusha specifike, por bëhet pervers aty ku shtrembëron marrëdhënien me të tjerët dhe realitetin.

Tashmë e kemi kuptuar dyanshmërinë e valës së parë të inteligjencës artificiale, atë të mediave sociale, duke përjetuar nga afër, krahas mundësive, edhe rreziqet e patologjitë. Niveli i dytë i inteligjencave artificiale gjeneruese shënon një hap cilësor të padiskutueshëm. Prandaj është e rëndësishme që të kemi mundësinë për të rrokur, kuptuar dhe rregulluar me ligj mjetet që, në duar të gabuara, mund të hapin skenarë negativë. Si çdo gjë tjetër që del nga mendja dhe duart e njeriut, edhe algoritmet nuk janë neutralë. Kësisoj, është e nevojshme të veprohet në mënyrë parandaluese, duke propozuar modele të rregullimit etik për të frenuar pasojat e dëmshme dhe diskriminuese, shoqërisht të padrejta, të sistemeve të inteligjencës artificiale dhe për të kundërshtuar përdorimin e tyre në tkurrjen e pluralizmit, në polarizimin e opinionit publik apo në përftimin e një mendimi të vetëm. Prandaj, ripërtërij apelin tim duke nxitur «Bashkësinë e kombeve që të punojë e bashkuar për miratimin e një traktati ndërkombëtar detyrues, i cili rregullon zhvillimin dhe përdorimin e inteligjencës artificiale në format e saj të shumta»[[4]]. Megjithatë, si në çdo fushë njerëzore, rregullimi me ligj nuk mjafton.

. Të rritemi nga ana njerëzore .

Jemi të thirrur të rritemi së bashku, nga ana njerëzore dhe si njerëzim. Sfida që na është vënë përpara kërkon që të hedhim një hap cilësor për të qenë në lartësinë e një shoqërie komplekse, shumetnike, pluraliste, shumëfetare dhe shumëkulturore. Na takon neve të shtrojmë pyetjet mbi zhvillimin teorik dhe përdorimin praktik të këtyre mjeteve të reja të komunikimit dhe njohjes. Mundësitë e mëdha për të mirën përcjellin rrezikun që gjithçka të shndërrohet në një kalkulim abstrakt, i cili zvogëlon njerëzit në të dhëna, mendimin në një skemë, përvojën në një rast, të mirën në përfitim, dhe mbi të gjitha që ne të përfundojmë duke mohuar veçantinë e çdo personi e të historisë  së tij, duke shpërbërë konkretësinë e realitetit në një sërë të dhënash statistikore.

Revolucioni dixhital mund të na bëjë më të lirë, por sigurisht jo nëse na burgos në modelet që njihen si echo chamber. Në këto raste, në vend që të rrisim pluralizmin e informimit, rrezikojmë të gjendemi të humbur në një kënetë anonime, duke ndjekur interesat e tregut apo të pushtetit. Nuk është e pranueshme që përdorimi i inteligjencës artificiale të çojë në të menduarit anonim, në një grumbullim të dhënash jo të certifikuara, në një mospërgjegjësim editorial kolektiv. Paraqitja e realitetit në big data, sado funksionale në menaxhimin e makinerive, në fakt nënkupton një humbje thelbësore të së vërtetës së gjërave, gjë që pengon komunikimin ndërpersonal dhe rrezikon të dëmtojë vetë anën njerëzore tonën. Informimi nuk mund të jetë i ndarë nga marrëdhënia ekzistenciale: nënkupton trupin, të qëndruarit në realitet; kërkon të vërë në marrëdhënie jo vetëm të dhëna, por përvoja; kërkon fytyrën, shikimin, dhembshurinë si edhe bashkëndarjen.

Mendja më vete te rrëfimi i luftërave dhe tek ajo “lufta paralele” që bëhet përmes fushatave të keqinformimit. Më vijnë në mendje sa e sa reporterë  që janë plagosur apo vdesin në terren, për të na e mundësuar pamjen e asaj që kanë parë sytë e tyre. Sepse vetëm duke prekur nga afër vuajtjen e fëmijëve, grave dhe burrave mund të kuptojmë absurditetin e luftërave.

Përdorimi i inteligjencës artificiale mund të kontribuojë pozitivisht në fushën e komunikimit nëse nuk e anulon rolin e gazetarisë në terren, por përkundrazi e mbështet atë; nëse do të vlerësojë profesionalizmin e komunikimit, duke përgjegjësuar çdo komunikues; nëse do t’i kthejë çdo qenieje njerëzore rolin e subjektit, me aftësi kritike, në vetë komunikimin.

. Pyetje për të sotmen dhe të nesërmen .

Ndaj lindin spontanisht disa pyetje: si mund ta mbrojmë profesionalizmin dhe dinjitetin e punonjësve në fushën e komunikimit dhe informimit, së bashku me atë të përdoruesve në mbarë botën? Si të garantohet ana ndërvepruese e platformave? Si mund të bëhet që kompanitë që zhvillojnë platforma dixhitale të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre në lidhje me atë që shpërndajnë e nga ku nxjerrin përfitime, në mënyrë analoge me atë që ndodh me publikuesit e mediave tradicionale? Si mund t’i bëjmë më transparente kriteret që janë në bazë të algoritmeve të indeksimit dhe de-indeksimit e të motorëve të kërkimit, të aftë për të lartësuar ose fshirë njerëzit dhe opinionet, historitë dhe kulturat? Si të garantohet transparenca e proceseve të informimit? Si mund ta bëjmë të shpërfaqtë autorësinë e shkrimeve dhe burimet të gjurmueshme, duke parandaluar rrezikun e anonimitetit? Si mund të bëhet e kuptueshme nëse një imazh ose video portretizon një ngjarje ose e simulon atë? Si mund të shmangim reduktimin e burimeve në  një të vetëm, në një mendim të vetëm të përpunuar me algoritëm? Dhe si mund të promovojmë një mjedis të përshtatshëm për të ruajtur pluralizmin dhe për të përfaqësuar kompleksitetin e realitetit? Si mund ta bëjmë të përballueshëm këtë mjet të fuqishëm, të kushtueshëm e që konsumon pamasë energji? Si mund ta bëjmë atë të qasshëm edhe për vendet në zhvillim?

Nga përgjigjet e këtyre e të tjera pyetjeve do të kuptojmë nëse inteligjenca artificiale do të çojë në krijimin e kastave të reja bazuar në sundimin e informimit, duke përftuar forma të reja shfrytëzimi dhe pabarazie; ose nëse, përkundrazi, do të sjellë më shumë barazi, duke promovuar informimin e saktë dhe një ndërgjegjësim më të madh për kalimin e epokës që po përjetojmë, duke përkrahur dëgjimin e nevojave të shumëfishta të njerëzve e të popujve, në një sistem informimi të artikuluar e pluralist. Nga njëra anë, shfaqet hija e një skllavërie të re, nga ana tjetër një arritje lirie; nga njëra anë mundësia që disa të kushtëzojnë të menduarit e të gjithëve, nga ana tjetër mundësia që të gjithë të marrin pjesë në përpunimin e mendimit.

Përgjigja nuk është e shkruar, varet nga ne. I përket njeriut të vendosë nëse do që të bëhet ushqim për algoritme apo do që ta ushqejë me liri zemrën, pa të cilën nuk rritemi në urti. Kjo urti piqet duke çmuar kohën dhe duke përqafuar çka është e cenueshme. Ajo rritet në aleancën midis breznive, midis atyre që kujtojnë të kaluarën dhe atyre që kanë një vizion për të ardhmen. Vetëm së bashku rritet aftësia për të dalluar, për të vigjiluar, për të parë gjërat duke u nisur nga përmbushja e tyre. Që të mos e humbim njerëzishmërinë tonë, le ta kërkojmë Urtinë që ishte para të gjitha sendeve (krh. Sir 1,4), e cila, duke kaluar nëpërmjet zemrave të pastra, trajton miq të Hyjit dhe profetë (krh. Ur 7,27): do të na ndihmojë edhe për t’i përafruar sistemet e inteligjencës artificiale ndaj një komunikimi plotësisht njerëzor.

Romë, Shën Gjoni në Lateran, 24 janar 2024

FRANÇESKU


[1] Lettere dal lago di Como [Letra nga liqeni i Komos], Brescia 2022, 95-97.

[2] Në vazhdimësi me Mesazhet për Ditët e mëparshme Botërore të Komunikimeve Sociale, kushtuar takimit të njerëzve ku dhe si janë (2021), dëgjimit me veshin e zemrës (2022) dhe të folurit nga zemra (2023).

[3] Krh. “E vërteta do t’ju lirojë” (Gjn 8,32). Fake news dhe gazetari paqeje. Mesazhi për Ditën LII Botërore të Komunikimeve Sociale, 2018.

[4] Mesazhi për Ditën LVII Botërore të Paqes, 1° janar 2024, 8.

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme