19.5 C
Tirana
HomePërshpirtëriVeset dhe virtytet. Kryelartësia
HomePërshpirtëriVeset dhe virtytet. Kryelartësia

Veset dhe virtytet. Kryelartësia

Katekezë 10.

PAPA FRANÇESKU

AUDIENCË E PËRGJITHSHME

Vëllezër e motra, mirëdita!

Në rrugëtimin tonë të katekezave mbi veset dhe virtytet, sot arrijmë te vesi i fundit: kryelartësia/krenaria. Grekët e lashtë e përcaktonin atë me një fjalë që mund të përkthehet si “shkëlqim i tepruar”. Njëmend, kryelartësia është vetë-lartësim, mendjemadhësi, kotësi. Termi shfaqet gjithashtu në atë seri vesesh që Jezusi rendit për të shpjeguar se e keqja vjen gjithmonë nga zemra e njeriut (krh. Mk 7,22). Kryelarti është një që mendon se është shumë më tepër nga ç’është në realitet; dikush që zien nga brenda për t’u njohur më i madh se të tjerët, dëshiron gjithmonë që t’i njihen meritat dhe i përbuz të tjerët, duke i çmuar më inferiorë.

Nga ky përshkrim i parë, shohim se si vesi i kryelartësisë është shumë afër me atë të lavdisë së kotë, të cilin e kemi paraqitur herën e fundit. Mirëpo, nëse lavdia e kotë është një sëmundje e unit njerëzor, ajo është ende një sëmundje infantile në krahasim me kërdinë që mund të shkaktojë kryelartësia. Duke analizuar marrëzitë e njeriut, murgjit e hershëm njihnin një farë rendi në sekuencën e të këqijave: fillohet me mëkatet më trashanike, siç është grykësia, për të arritur te përbindëshat më problematikë. Nga të gjitha veset, kryelartësia është mbretëresha e madhe. Nuk është rastësi që, në Komedinë Hyjnore, Dante e vendos atë pikërisht në kornizën e parë të purgatorit: kushdo që i dorëzohet këtij vesi është larg Hyjit dhe ndreqja e kësaj të keqeje kërkon kohë e mundim, më shumë se çdo betejë tjetër për të cilën i krishteri është i thirrur.

Në të vërtetë, brenda kësaj të keqeje qëndron mëkati rrënjësor, pretendimi absurd për të qenë si Hyji. Mëkati i paraardhësve tanë, i treguar në librin e Zanafillës, është në të gjitha anët një mëkat kryelartësie. Tunduesi u thotë atyre: «Kurdo të hani prej saj, sytë tuaj do të hapen e do të bëheni porsi Hyji» (Zan 3,5). Shkrimtarët e përshpirtërisë janë më të kujdesshëm për të përshkruar pasojat e krenarisë në jetën e përditshme, për të ilustruar se si ajo shkatërron marrëdhëniet njerëzore, për të nxjerrë në pah se si kjo e keqe helmon atë ndjenjë vëllazërie që do duhej t’i bashkonte njerëzit.

Ja këtu një listë e gjatë e simptomave që zbulojnë rënien e një personi në vesin e kryelartësisë. Është një e keqe me një aspekt fizik të dukshëm: kryelarti është krenar, është “kokëfortë”, d.m.th. ka qafën e ngurtësuar, nuk përkulet. Është një njeri që lëshon gjykime të ngutshme përçmuese: për hiqgjë jep sentenca të parevokueshme ndaj të tjerëve, të cilët i duken të paaftë e ngordhalaqë. Në fudullëkun e vet, harron se Jezusi, te Ungjijtë, na ka lënë shumë pak urdhëresa morale, por në njërën prej tyre nuk lëshoi pe: mos gjyko askurrë. E kupton se ke të bësh me një krenar kur, duke i bërë atij një kritikë të vogël konstruktive, ose një vërejtje krejtësisht të padëmshme, ai reagon në mënyrë të ekzagjeruar, sikur dikush të kishte fyer madhërinë e tij: tërbohet, bërtet, ndërpret marrëdhëniet me të tjerët në mënyrë të inatosur.

S’ke ç’bën me një person të sëmurë nga kryelartësia. Është e pamundur t’i flasësh, aq më pak ta korrigjosh, sepse në fund të fundit ai nuk është më në vetvete. Me të duhet thjesht të jesh i durueshëm, sepse një ditë ngrehina e tij do të shembet. Një fjalë e urtë italiane thotë: “Kryelartësia shkon me kalë dhe kthehet në këmbë”. Në Ungjill, Jezusi ka të bëjë me shumë njerëz kryelartë, dhe shpeshherë e ka nxjerrë këtë ves nga strofulli i vet edhe te njerëzit që e fshihnin shumë mirë. Pjetri fryhej me besnikërinë e tij ndaj çdo prove: «Po edhe në qoftë se të gjithë të braktisin, unë jo!» (krh. Mt 26,33). Porse, pa kaluar gjatë, do të bëjë përvojën e të qenurit si të tjerët, edhe ai shumë i frikësuar përballë vdekjes që s’e merrte me mend se mund të ishte aq e afërt. Dhe kështu Pjetri i dytë, ai që nuk krekoset më, por qan me lot të hidhura, do të shërohet nga Jezusi dhe më në fund do të jetë i aftë të mbajë peshën e Kishës. Më përpara ai kapardisej me një mendjemadhësi që ishte më mirë të mos e përpallte; ndërsa tani ai është një dishepull besnik, i cili, siç thotë një shëmbëlltyrë, zotëria mund ta vendosë «mbi të gjithë pasurinë e vet» (Lk 12,44).

Shpëtimi kalon përmes përvujtërisë, ilaçi i vërtetë për çdo akt kryelartësie. Në Magnificat, Maria i këndon Hyjit që me fuqinë e vet i hedh poshtë krenarët në qëllimet e sëmura të zemrave të tyre. Është e kotë t’i vjedhësh diçka Hyjit, sikurse shpresojnë krenarët, sepse tek e fundit Ai dëshiron të na dhurojë gjithçka. Për këtë arsye Jakobi apostull, për bashkësinë e tij të lënduar nga betejat e brendshme që buronin nga kryelartësia, shkruan kështu: «Hyji u kundërshton krenarëve, kurse të përvujtëve u jep hirin» (Jak 4,6).

Prandaj, të dashur vëllezër e motra, le të përfitojmë nga kjo Kreshmë për të luftuar kundër krenarisë sonë.

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme