Të dashur vëllezër e motra, mirëdita e mirë se erdhët!
Koncili II i Vatikanit ia ka kushtuar kapitullin e fundit të Kushtetutës dogmatike mbi Kishën Virgjërës Mari (krh. Lumen gentium, 52-69). Ajo «njihet si gjymtyrë tejet e lartë dhe krejt e veçantë e Kishës, figura dhe modeli më i shkëlqyer i saj në fe dhe në dashuri» (nr. 53). Këto fjalë na ftojnë për të kuptuar se në Marinë, e cila nën veprimin e Shpirtit Shenjt ka pranuar dhe lindur Birin e Hyjit të ardhur në mish, mund të njihen si modeli, ashtu edhe gjymtyra e shkëlqyer dhe nëna e mbarë bashkësisë kishtare.
Duke lejuar që të formësohej nga vepra e Hirit, që erdhi të përmbushej në Të, dhe duke pranuar dhuratën e të Tejetlartit me fenë dhe dashurinë e saj virgjërore, Maria është modeli i përkryer i asaj që e gjithë Kisha është e thirrur të jetë: krijesë e Fjalës së Zotit dhe nënë e bijve të Hyjit të lindur nga hapja e zemrës ndaj veprimit të Shpirtit Shenjt. Për më tepër, duke qenë besimtarja për antonomazi, në të cilën na është ofruar forma e përkryer e hapjes së pakushtëzuar ndaj misterit hyjnor në bashkimin e popullit të shenjtë të Hyjit, Maria është gjymtyrë e shkëlqyer e bashkësisë kishtare. Së fundi, përderisa lind bij në Birin, të dashur në të Dashurin e amshuar që erdhi ndër ne, Maria është nëna e mbarë Kishës, e cila mund t’i drejtohet asaj me besim birnor, në sigurinë se ajo e dëgjon, e ruan dhe e do.
Tërësia e këtyre tipareve të Virgjërës Mari mund të shprehet duke folur për Të si për gruan ikonë të Misterit. Me termin grua theksohet konkretësia historike e kësaj bije të re të Izraelit, së cilës iu dha që ta jetojë përvojën e jashtëzakonshme, d.m.th. të bëhej nëna e Mesisë. Me shprehjen ikonë nënvizohet se në Të realizohet lëvizja e dyfishtë e zbritjes dhe e ngjitjes: në Të shkëlqejnë si zgjedhja për hir nga ana e Hyjit, ashtu edhe miratimi i lirë i fesë në Të. Maria është prandaj gruaja ikonë e Misterit, domethënë e planit hyjnor të shpëtimit, i fshehur më parë dhe i zbuluar plotësisht në Jezu Krishtin.
Koncili na ka lënë një mësim të qartë mbi vendin e veçantë të rezervuar për Virgjërën Mari në veprën e Shëlbimit (krh. Lumen gentium, 60-62). Ka kujtuar se Ndërmjetësi i vetëm i shpëtimit është Jezu Krishti (krh. 1 Tim 2,5-6) dhe se Nëna e tij tejet e Shenjtë «në asnjë mënyrë nuk e errëson apo zvogëlon këtë ndërmjetësim të vetëm të Krishtit, por e tregon fuqinë e tij» (LG, 60). Njëkohësisht, «Virgjëra e lume, e paracaktuar prej amshimit, brenda planit të mishërimit të Fjalës, për të qenë Nëna e Hyjit, […] bashkëpunoi në mënyrë krejt të veçantë në veprën e Shpëtimtarit, me dëgjesën, fenë, shpresën dhe dashurinë e zjarrtë, për të ripërtërirë jetën mbinatyrore të shpirtrave. Për këtë arsye ajo u bë për ne nënë në rendin e hirit» (po aty, 61).
Në Virgjërën Mari pasqyrohet edhe misteri i Kishës: në Të populli i Hyjit gjen të përfaqësuar prejardhjen, modelin dhe atdheun e vet. Në Nënën e Zotit Kisha sodit misterin e vet, jo vetëm sepse në të gjen modelin e fesë virgjërore, të dashurisë amnore dhe të besëlidhjes martesore, për të cilën është e thirrur, por edhe e mbi të gjitha sepse njeh në Të arketipin e vet, figurën ideale të asaj që është e thirrur të jetë.
Siç mund të shihet, reflektimet mbi Virgjërën Nënë të mbledhura në Lumen gentium, na mësojnë që ta duam Kishën dhe t’i shërbejmë, në të, përmbushjes së Mbretërisë së Hyjit që vjen dhe që do të realizohet plotësisht në lavdi.
Të lejojmë, atëherë, që ky model madhështor që është Maria, Virgjër dhe Nënë, të na nxisë dhe t’i kërkojmë të na ndihmojë me ndërmjetësimin e vet për t’iu përgjigjur asaj që na kërkohet përmes shembullit të saj: a e jetoj me fe të përvujtë dhe vepruese përkatësinë time ndaj Kishës? A e njoh në të bashkësinë e besëlidhjes që Hyji ma ka dhuruar për t’iu përgjigjur dashurisë së tij të pafund? A ndihem pjesë e gjallë e Kishës, në dëgjesë ndaj barinjve që Hyji na ka dhënë? A e shoh Marinë si model, gjymtyrë të shkëlqyer dhe nënë të Kishës, dhe a i kërkoj asaj që të më ndihmojë për të qenë dishepull besnik i Birit të saj?
Motra e vëllezër, Shpirti Shenjt, i zbritur mbi Marinë dhe i thirrur prej nesh me përvujtëri dhe besim, bëftë që t’i jetojmë plotësisht këto realitete të mrekullueshme. Dhe, pasi kemi thelluar Kushtetutën Lumen gentium, t’i kërkojmë Virgjërës që të na e mundësojë këtë dhuratë: dashuria për Nënën e Shenjtë Kishë u rrittë në të gjithë ne. Ashtu qoftë!

