Vizita e një Pape në Francë është gjithmonë interesante. Një vend që historikisht ka pasur një raport mjaft kompleks me Kishën dhe Vatikanin. Është e pamundur të përmblidhet dendësia historike e kësaj marrëdhënieje dhe pasojat që kanë rrjedhur më pas, jo vetëm për palët, por për mbarë kulturën evropiane e jo vetëm.
Këto ditë, Papa po takon një Kishë franceze e cila jeton në një shoqëri thellësisht të laicizuar, ndoshta më të laicizuarën në Evropë, me shumë vështirësi objektive, por që tregon se është një bashkësi e gjallë, pjesëmarrëse dhe e aftë të transmetojë fenë.
Edhe pse karakteri diplomatik është pjesë esenciale e vizitave të këtij lloji, gjatë kësaj vizite mund të themi se ky aspekt është ndër më të paktët që bien në sy. Kjo falë Papa Leonit, por edhe asaj çfarë po tregon Kisha franceze në këto ditë.
Nga një vështrim i përgjithshëm, ndër të tjera, tre elemente mund të evidentohen qartësisht në këtë vizitë.
1. Guximi profetik i Papës
I pritur që nga aeroporti nga përfaqësuesit më të lartë të Republikës, ai nuk hezitoi për asnjë moment të demonstronte shpirtin profetik që karakterizon Kishën dhe pasardhësin e Pjetrit. Nëse analizojmë fjalimet e tij, shikohet qartësisht se ato nuk mund të reduktohen në pjesë të një fjalori vetëm protokollar apo diplomatik.
Në prani të Presidentit francez Emmanuel Macron, ai nuk hezitoi t’ua përplaste në sy, me një elegancë të jashtëzakonshme, shumë prej çështjeve aktuale të shoqërisë franceze, përfshirë edhe ndërmarrjet e drejtpërdrejta të qeverisjes së tij, të cilat janë në kundërshtim me magjisterin e Kishës dhe me dinjitetin e njeriut, si aborti dhe eutanazia.
Papa Prevost pohoi me forcë se e drejta e jetës qëndron në themel të dinjitetit njerëzor, duke vendosur në qendër të vëmendjes domosdoshmërinë e një qasjeje etike ndaj çdo zhvillimi shkencor dhe teknologjik. Ai foli haptas dhe qartë kundër devijimeve, si amësia surrogate, manipulimi gjenetik dhe eutanazia, fenomene këto mjaft të pranishme dhe, shpeshherë, edhe të sponsorizuara nga qeveria e majtë e Macronit.
Në lidhje me laicitetin, kaq të rëndësishëm për një shoqëri dhe kaq shumë të promovuar nga një shtet si Franca, ai nënvizoi se të qenurit një shtet laik nuk do të thotë të fshish Zotin nga hapësira publike. Besimi, shtoi Papa Leoni, nuk është një kërcënim për sistemin demokratik dhe pikërisht këtu çdo i krishterë është i thirrur të veprojë, duke ushtruar lirinë, vetëdijen dhe përgjegjësinë.
Duke iu referuar Revolucionit Francez, ai u kujtoi të gjithë francezëve, pa dallim, se liria, vëllazëria dhe barazia në Ungjill gjejnë jo një kundërshtar, por, përkundrazi, frymëzimin e tyre.
Nga Pallati Élysée ai lëshoi një apel për të gjithë, atë që ka të bëjë me domosdoshmërinë e vendosjes së njeriut në qendër të gjithçkaje, në mënyrë që progresi teknik të mos bëhet një parajsë makinash që kushtëzon lirinë njerëzore. Jo gjithçka që është teknikisht e mundur është njerëzisht e drejtë dhe një shoqëri realisht e lirë është ajo që nuk e përjashton fenë, por që mëson të dialogojë me vetëdije të ndryshme, në respekt të dinjitetit njerëzor.
2. Eleganca liturgjike mahnitëse
Në një kohë kur brenda Kishës kemi zhvillimin e një tendence nga disa grupe që priren të theksojnë liturgjinë latine si më superiore, apo ekstremin tjetër që rrezikon ta shndërrojë liturgjinë në një spektakël, liturgjia e këtyre ditëve ka qenë me të vërtetë një kryevepër njerëzore dhe shpirtërore.
Pavarësisht hapësirave të mëdha, organizatorët nuk u kompleksuan as nga pjesëmarrësit, as nga shtrirja e kremtimit, por ruajtën me rigorozitet parametrat e duhur liturgjikë.
Në meshët e Papës, në takimin me të rinjtë në Stade de France, në Vesprit në Notre-Dame apo edhe në momentet e tjera, vihej re një elegancë liturgjike mahnitëse, sigurisht një tipar karakterizues i francezëve, e cila dukshëm bënte që këngët, lutjet dhe veshjet të të çonin drejt një takimi me Hyjnoren.
Ky është një tipar që tregon realitetin e bashkësive katolike të gjalla dhe të rrënjosura thellë në fe.
3. Lidhja simbiotike dhe e pandashme e Evropës me Krishtërimin
Vizita në Metz-in e Robert Schumanit ishte një shenjë e qartë nga ana e Papës amerikan për t’i kujtuar Francës dhe Evropës domosdoshmërinë e ruajtjes së kujtesës historike dhe qartësisë mbi identitetin e saj. Një kujtesë e cila duhet të bazohet në një lexim të drejtë të historisë, në ruajtjen e trashëgimisë dhe në promovimin e paqes dhe unitetit.
Përzgjedhja e qytetit të Metz-it dhe përkujtimi i një figure të tillë si Schumani nuk ishte rastësor. Leoni XIV i kujtoi edhe njëherë realitetin e pamohueshëm dhe evident në lidhje me rrënjët evropiane, realitet i cili u anashkalua në Traktatin e Lisbonës.
Nënvizimi i përsëritur i rrënjëve dhe identitetit evropian nuk ishte një thirrje për t’u kthyer pas në mënyrë nostalgjike, por për të treguar faktin se vetëm nëpërmjet aplikimit të vlerave të këtij identiteti mund të respektohet në mënyrën e duhur dinjiteti i personit njerëzor.
Nëpërmjet këtyre porosive, Papa jo vetëm i bëri diagnozën Evropës aktuale, por tregoi edhe horizontin në të cilin ajo duhet të shtrihet.
Vizita e Papa Leonit në Francë këto ditë ishte më tepër se një vizitë e zakonshme e një Pape. Përmbajtja, simbolika, thellësia e mesazheve të tij, por edhe pritja nga masa e qytetarëve, tregojnë se kjo ishte më shumë se një vizitë protokollare apo baritore.
Ajo ishte, në fakt, një vizitë me nuanca profetike.

