“Jezusi mund t’i bashkojë të gjithë të rinjtë e Kishës në një ëndërr të vetme”… Ishte një ndër frazat më të bukura të dëgjuara gjatë takimit formues i Komisioneve Rinore Dioqezane dhe Kombëtar. Po, ne ishim mbledhur për të zbuluar bukurinë e të qenurit të rinjë, të dashur, të pranuar, PROTAGONISTË.
Në ditën e parë mësuam sesa e rëndësishme është të dëgjojmë njëri-tjetrin, realitetet e dioqezave tona, shërbimin që ne si të rinjë, meshtarë e motra japim nëpër vendet ku Zoti na ka vendosur. Të dëgjojmë për tu njohur, duke u njohur ndërtojmë miqësi e duke qenë miq bëhemi ëndrra më e bukur e Jezusit, sepse ëndrra e Tij jemi ne.
Bashkëndarja e realiteteve tona na dha mundësinë të kemi më të qartë se çfarë ne si të rinjë kemi nevojë. Kemi nevojë të jemi ata protagonistë në jetën e Kishës, të marrim përsipër përgjegjësi që nuk duhet ti mbesin vetëm meshtarëve apo motrave, por për ta të jemi një mbështetje e fortë. Kemi nevojë të zhvishemi nga komplekset tona, mentalitetet e shoqërisë ku jetojmë, për të ndërtuar në ne një të ri që shërben pa marrë gjë në këmbim, që dhurohet pa frikë, që beson se Kisha na përqafon.Mund të gabojmë, por Kisha është nënë, na pret, na fal, e na do përsëri.
Dita e parë vazhdoj dhe me një moment animim lojërash, të cilat na bënë të reflektojmë sesa e rëndësishme është që në jeten e Kishës të mos mbesim vetëm, që tjetri është dhuratë, e që me tjetrin mund të fitojmë.
E për ta mbyllur ditën në hir, patëm një moment intim me Jezusin në adhurim, aty ku zëri i të rinjve jo domosdoshmërisht duhet të dëgjohet, por të ndjehet e se zëri i Zotit zbret si një shi hiri në zemrat tona.
Ditën e dytë u fokusuam më shumë në laboratore të ndërtuara për të na dhënë mundësinë e të punuarit në mënyrë konkrete në grup, për realitetet tona dhe me përgjegjësitë që mund të kemi. Nuk mjafton vetëm të punojmë, duhet ta dëgjojmë njëri-tjetrin, të bashkëpunojmë e të ndërtojmë një të ardhme shpresëdhënëse për dioqezat tona, me në qendër adoleshentët e të rinjtë, që nuk gjykohen, nuk përjashtohen, por pranohen si dhuratë.
Mesha e shenjtë mbylli takim tonë, falenderim për Hyjin që na zgjodhi, na mblodhi e që për Lavdinë e Tij punuam këta 2 ditë. Ajo çfarë mua si të ri më ka prekur më shumë në këtë takim formues, është të ndjej sesa bukur është të jesh i ri në Kishë, se Kisha në Shqipëri është një Kishë që i do të rinjtë, që na përqafon me të gjitha sfidat, vështirësitë dhe frikërat tona. E mbi të gjitha sesa bukur dhe e shenjtë është të shoh veten time dhe miqtë e mi të shërbejmë në Kishë, ta ndërtojmë atë e të bëhemi Ëndrra e Jezusit. Ëndrra që ndryshon jetën tonë dhe e bën atë më të bukur e mbi të gjitha na jep vetëdijen se jemi të dashur.
Kledis Jaku.
I ri nga Dioqeza e Sapës.






