HomeKISHDinjiteti njerëzor: dhuratë dhe përgjegjësi

Dinjiteti njerëzor: dhuratë dhe përgjegjësi

Dokumentet e Koncilit II të Vatikanit. IV. Kushtetuta Kushtetuta baritore Gaudium et spes (GS 1-10)

Vëllezër e motra, mirëdita e mirë se erdhët!

Kushtetuta konciliare Gaudium et spes (GS), duke ia kushtuar kapitullin e parë dinjitetit të personit njerëzor, thekson se ai është baza dhe kushti i atyre «vlerave që sot çmohen më shumë», por është e nevojshme që këto të mos e humbasin lidhjen me «burimin e tyre hyjnor», që t’u shpëtojnë shtrembërimeve të mundshme për shkak të «prishjes së zemrës njerëzore» (GS, 11).

Rrugëtimi që ka bërë të mundur nxjerrjen në pah të tipareve dhe të të drejtave themelore të dinjitetit të personit, përfaqëson sigurisht një prej faqeve më domethënëse të historisë njerëzore. Megjithatë, rrugëtimi që duhet përshkuar nuk ka përfunduar dhe duhet të përballet me kundërshtitë, të vjetra e të reja, që pengojnë zbatimin e tij të plotë.

Kisha e jep qartësisht ndihmesën e saj, duke kujtuar se dinjiteti njerëzor buron nga vetë qenia e personit. Kam pasur rast ta ritheksoj këtë edhe në Enciklikën e fundit Magnifica humanitas: «Çdo person është menduar dhe dashur nga Hyji për të hyrë në një histori bashkimi me Të, me të tjerët dhe me krijimin. Dinjiteti i tij nuk varet nga aftësitë që zotëron, nga pasuritë apo roli që mban, nga zgjedhjet e drejta ose të gabuara që bën, por është një dhuratë që i paraprin dhe e tejkalon, e vendosur nga Hyji si shprehje e dashurisë së Tij që nuk mungon kurrë» (nr. 50). Prandaj, dinjiteti i pafund i qenies njerëzore i ka rrënjët në identitetin e saj si krijesë e bërë «“në shëmbëllimin e Hyjit”, e aftë që ta njohë e ta dojë Krijuesin e vet», plan dhe dhuratë dashurie që i tejkalon realitetet e tjera të krijuara, të cilat i janë besuar kujdesit të saj «që t’i qeverisë dhe të shërbehet me to për lavdinë e Hyjit» (GS, 12).

Në fe mund ta kuptojmë themelin fundor të dinjitetit të personit, pasi Biri, «duke zbuluar misterin e Atit dhe të dashurisë së tij, ia zbulon plotësisht edhe njeriun vetë njeriut dhe i tregon thirrjen e tij tejet të lartë» (nr. 22).

Personi nënkupton gjithmonë marrëdhënie, bashkim, pjesëmarrje në raport me Hyjin dhe me të tjerët; pra, një marrëdhënie birnore me Hyjin Atë dhe një marrëdhënie vëllazërore me Krishtin dhe me të gjithë njerëzit. Kjo përjashton çdo mbyllje vetëreferenciale. Të jesh person do të thotë ta perceptosh veten si dhuratë për t’u bashkëndarë, duke u rritur dhe duke u pjekur në mirëpritje, në reciprocitet e në shërbim.

Ky dinjitet i besohet përgjegjësisë së secilit: njëkohësisht, ai kërkon edhe solidaritet dhe kujdes të ndërsjellë, duke tejkaluar falsifikimet dhe manipulimet e shumta që ende sot e shëmtojnë perceptimin e tij dhe pengojnë realizimin e tij. Në të vërtetë, për shkak të zgjedhjeve kundër dinjitetit të tij, të bëra gjatë historisë, edhe sot «njeriu gjendet i ndarë në vetvete» dhe «e gjithë jeta njerëzore, si individuale ashtu edhe kolektive, paraqet tiparet e një lufte dramatike mes së mirës dhe së keqes, mes dritës dhe errësirës». Megjithatë, kjo gjendje e brishtë dhe e kufizuar mund të shihet me shpresë, sepse «vetë Zoti erdhi për ta liruar njeriun dhe për t’i dhënë forcë, duke e përtërirë në brendësi dhe duke dëbuar jashtë “princin e kësaj bote” (Gjn 12,31), i cili e mbante skllav të mëkatit» (GS, 13).

Kushtetuta Gaudium et spes, për më tepër, pohon se dinjiteti njerëzor i përket tërësisë së personit dhe, për këtë arsye, duhen tejkaluar këndvështrimet dualiste: qenia njerëzore është «unitet i shpirtit e i trupit». Reduktimi i trupit në një “objekt”, me të cilin mund të disponohet në mënyrë arbitrare, është gjithmonë mohim i dinjitetit të personit: «nuk është e lejueshme […] të përçmohet jeta trupore e njeriut» dhe duhet «ta konsiderojë trupin e vet të mirë e të denjë për nderim, pikërisht sepse është krijuar nga Hyji dhe është i caktuar për ngjalljen në ditën e fundit», duke u kujdesur që ai të mos «bëhet skllav i prirjeve të mbrapshta të zemrës» (GS, 14), pasi të gjithë ne jemi të plagosur nga mëkati.

Së fundi, tri janë shprehjet më domethënëse të dinjitetit të personit që Gaudium et spes sjell në vëmendje: inteligjenca, që e bën qenien njerëzore një kërkuese të pangopur të së vërtetës (nr. 15); ndërgjegjja, nëpërmjet së cilës ajo i jep unitet dhe kuptim jetës së vet (nr. 16); liria, që e bën protagoniste të përgjegjshme të vendimeve të veta (nr. 17). Janë përmasa të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën: pikërisht në ndërgjegje e vërteta njihet si e tillë dhe liria mund ta përjetojë atë si themelin dhe mundësinë e vet. Shpirti Shenjt, që na jep jetë në Krishtin, na bën të lirë dhe na jep vazhdimisht sigurinë e dinjitetit tonë si bij të Hyjit, duke na liruar nga frika dhe duke na udhëhequr drejt cakut të fundit, drejt asaj jete në plotësi përtej vdekjes që Krishti na ka premtuar: vetëm në Të misteri i njeriut gjen dritën e vërtetë; prej Tij marrim dritë mbi enigmën e vuajtjes e të vdekjes dhe me Të shkojmë drejt ngjalljes.

Të dashur vëllezër e motra, të krijuar në shëmbëllimin e Hyjit, nëpër Krishtin dhe për Të, kemi marrë një dinjitet unik dhe të pashlyeshëm. Të angazhohemi që ta promovojmë dhe ta mbrojmë gjithmonë, me dritën dhe forcën e Ungjillit.

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme