HomeKISHKatekezë 3. Riti, shenja dhe simboli.

Katekezë 3. Riti, shenja dhe simboli.

Dokumentet e Koncilit II të Vatikanit. II. Kushtetuta Sacrosanctum Concilium.

Të dashur vëllezër e motra,

duke vazhduar katekezat mbi Kushtetutën konciliare Sacrosanctum Concilium (SC), dëshirojmë të ndalemi për të reflektuar mbi disa elemente përbërëse të liturgjisë së shenjtë, siç janë riti, shenja dhe simboli.

Koncili II i Vatikanit, duke e bërë visar të vetin punën e çmuar të Lëvizjes Liturgjike, na ka ndihmuar që të rizbulojmë një të vërtetë që është shumë e gjallë në vetëdijen e Kishës së lashtë dhe në mësimin e Etërve. Ritet e liturgjisë së krishterë nuk janë një veshje e jashtme e misterit sakramental, një tërësi ceremonish arbitrare, por janë ndërmjetësimi kishtar përmes të cilit na arrin dhurata hyjnore. Pikërisht për këtë arsye Koncili na fton që ta kuptojmë Mysterium fidei-n që kryhet në liturgji përmes riteve dhe lutjeve (krh. SC, 48).

Riti i jep formë veprimit liturgjik dhe, përmes tij, jetës sonë, duke ngjallur në ne një ndjeshmëri shpirtërore që na bën të aftë për ta shijuar praninë e Hyjit përmes Jezu Krishtit. Natyrisht, kjo ndodh nëse ne nuk qëndrojmë si të huaj ose spektatorë të heshtur (krh. po aty) ndaj liturgjisë, por marrim pjesë në të me krejt qenien tonë – trup, mendje dhe zemër – në bindje ndaj urdhrit të Zotit. Përmes ritit të shenjtë formohemi kështu për dëgjimin e Fjalës së Hyjit, për falënderimin dhe adhurimin, për bashkëndarjen vëllazërore dhe për bashkimin kishtar. Zbulojmë se jemi një bashkësi e fytyrave të larmishme, e bashkuar nga e njëjta fe.

Riti na përfshin në një rend, të mirëpërcaktuar, gjestesh dhe lutjesh, që ndonjëherë mund të bjerë ndesh me prirjen tonë individuale drejt spontanitetit. Megjithatë, logjika e tij nuk është ajo e kufizimit të lirisë përmes skemave. Përkundrazi, riti, me kremtorinë e përmbajtur të ritmeve të tij, ndërpret veprimtaritë e ethshme dhe na rikthen te thelbësorja. Kështu zbulojmë një përmasë tjetër të veprimit, që nuk udhëhiqet nga kalkulimet e prodhimtarisë, si edhe një përvojë tjetër me kohën dhe hapësirën. Në rit përjetojmë një logjikë falasshmërie, gjejmë një pushim që e rigjallëron zemrën, kuptojmë se jemi të paraprirë nga hiri hyjnor dhe mësojmë të jetojmë sipas një ritmi të banuar nga Shpirti Shenjt.

Gramatika e ritit është e endur me shenjat dhe simbolet e veçanta të liturgjisë. Në të, siç pohon Koncili, «shenjtërimi i njeriut shënjohet përmes shenjave të ndjeshme dhe realizohet në mënyrën e vet për secilën prej tyre» (SC, 7). Katekizmi i Kishës Katolike e thellon vlerën e këtyre shenjave duke kujtuar se «domethënia e tyre në veprën e krijimit dhe në kulturën njerëzore përcaktohet më qartë në ngjarjet e Besëlidhjes së Vjetër dhe zbulohet plotësisht në personin dhe veprën e Krishtit» (nr. 1145). Emblematike është shenja e ujit: që nga fillesat e krijimit e deri te përmbytja, nga kalimi i Detit të Kuq deri te Jordani, e deri te uji që rrjedh nga kraharori i Krishtit dhe bëhet shenjë sakramentale e zhytjes në vdekjen dhe ngjalljen e tij.

«Shenjë» dhe «simbol» janë terma që shpesh përdoren si sinonime. Në të vërtetë, një shenjë është simbolike kur është e aftë të tregojë jo vetëm një ide, por një sistem të tërë kuptimesh dhe vlerash. Kështu, për shembull, kur spërkatemi me ujë të bekuar, gjallërohet në ne vetëdija për dhuratën e marrë në Pagëzim dhe për aderimin tonë ndaj jetës së re në Krishtin. Së dyti, simbolet kanë në thelb një karakter praktik, pasi para së gjithash janë veprime: më të thjeshta dhe më të zakonshme, si gjunjëzimi ose dhënia e paqes, apo më të thelluara, si veprimet konstitutive të çdo Sakramenti. Mbi të gjitha, simbolet kanë një përmasë të veçantë performuese dhe shndërruese, si ndaj elementeve materiale që i përbëjnë, ashtu edhe ndaj atyre që hyjnë në kontakt me to, duke krijuar përkatësi, duke prekur zemrën e mendjen dhe duke ngjallur marrëdhënie autentike kishtare.

Në Letrën Apostolike Desiderio desideravi, Papa Françesku, duke e bërë të tijin një pohim të Romano Guardinit, shihte në këtë gjë «detyrën e parë të punës së formimit liturgjik: njeriu duhet të bëhet përsëri i aftë për simbolet» (nr. 44). Kemi nevojë që të lejojmë të edukohemi nga ritet e liturgjisë, duke u kujdesur me finesë dhe pa arbitraritet për bukurinë e kremtimeve tona dhe duke u angazhuar në një mistagogji autentike. Përvoja e një liturgjie të gjallë dhe plot përshpirtëri, e shoqëruar nga një katekezë e përshtatshme mistagogjike, është burimi më i mirë për të zgjuar te të gjithë atë hapje ndaj takimit me Hyjin që, sipas logjikës së Mishërimit, mund të ndodhë vetëm duke përfshirë krejt njeriun: shpirt, jetë e trup (krh. 1 Sel 5,23).

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme