Atë i Shenjtë,
me gëzim të madh, në emrin tim, në emër të sivëllezërve të Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë dhe të mbarë popullsisë katolike të vendit tonë, Ju bëj urimet më të mira me rastin e përvjetorit Tuaj të parë të zgjedhjes në selinë e Pjetrit, që përkon me 8 majin e këtij muaji.
Si ipeshkëv i Romës, Ju na prini ne të gjithëve në dashuri. Gjatë këtij viti të parë, Ju, Atë i Shenjtë, e keni udhëhequr Kishën me forcën e Fjalës dhe me shembullin e dashurisë. Mesazhet Tuaja, udhëtimet Tuaja apostolike, sidomos udhëtimi i fundit në Afrikë, kanë qenë veçanërisht ndërtuese për të gjithë ne dhe njëkohësisht përbëjnë një orientim të vërtetë për ecjen e Kishave tona vendore. Së bashku me Ju, Atë i Shenjtë, ecim përpara si Kishë sinodale e misionare dhe ndihemi të gjithë të ngushëlluar e të përforcuar në fe nga shërbesa Juaj pjetrine.
Në këto momente të vështira të historisë së njerëzimit, të munduar nga luftërat e dhuna, zëri Juaj, përpjekja Juaj e vazhdueshme dhe e palëkundur për paqen në botë, janë burim shprese për popujt e përfshirë dhe për shumë njerëz vullnetmirë. Fjalët Tuaja të para, të shqiptuara sapo u zgjodhët Papë, duke kërkuar e duke i uruar botës «një paqe të çarmatosur dhe çarmatosëse», jehojnë ende fuqishëm ndër ne. Zëri Juaj është zëri i Ungjillit, që i kundërvihet mendësisë së mbrapshtë të luftës dhe shkeljes së të drejtës ndërkombëtare.
Lutja jonë për Ju ngrihet drejt Zotit dhe ne e mbështesim plotësisht gjithçka që Ju thoni e bëni për paqen në emër të Ungjillit.
I dashur Papa Leoni, ne ripërtërijmë ftesën që Ju kemi bërë për të ardhur e për të na vizituar gjatë këtij viti jubilar të 130-vjetorit të shpalljes së Nënës së Këshillit të Mirë si Pajtore e Shqipërisë. Është dëshirë e madhe e jona, jo vetëm e katolikëve, por e mbarë popullsisë, t’Ju kemi në Shqipëri. Lutemi që kjo të ndodhë.
Atë i Shenjtë, Ju uroj edhe një herë një shërbesë pjetrine të frytshme në shërbim të Krishtit dhe të burrave e grave të kohës sonë!
Vëllazërisht në Krishtin
+ Gjergj Meta
Ipeshkëv i Rrëshenit
President i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë

