16.5 C
Tirana
HomeKryesorPapa reformon “Kushtetutën” e Shtetit të Qytetit të Vatikanit
HomeKryesorPapa reformon “Kushtetutën” e Shtetit të Qytetit të Vatikanit

Papa reformon “Kushtetutën” e Shtetit të Qytetit të Vatikanit

Françesku ka shpallur Ligjin e ri Themelor, për të zëvendësuar atë të vitit 2000, “për t’iu përgjigjur nevojave të ditëve tona” dhe me detyrën që angazhimet ndërkombëtare të ndërmarra nga Selia e Shenjtë të bëhen vepruese edhe për Shtetin. Zgjerohet Komisioni Papnor, i cili tashmë do të përbëhet jo vetëm nga kardinalë: do të mund të marrin pjesë edhe laikë dhe laike. Rregullimi i buxhetit dhe bilancit përfundimtar është më i shtrënguar. Ky Ligj hyri në fuqi më 7 qershor.

Për t’iu “përgjigjur nevojave të ditëve tona” dhe “për t’i bërë vepruese” situatat që rrjedhin nga angazhimet ndërkombëtare të ndërmarra nga Selia Apostolike “me nevojat e ripërtërira që kërkon ky aspekt specifik”, Papa ka shpallur më 13 maj, në përkujtimin e Zojës së Fatimes, Ligjin e ri Themelor për Shtetin e Qytetit të Vatikanit. Kështu Françesku përtërin “Kushtetutën” e Shtetit të Vatikanit, duke zëvendësuar atë të 26 nëntorit 2000 nga Shën Gjon Pali II, e cila pasonte nga ana e saj atë të nxjerrë më 7 qershor 1929 nga Piu XI.

Një reformë në kuadër të reformave

Një reformë e re, pra – në fuqi që nga 7 qershori – e cila futet në kuadrin e reformave të shumta të zhvilluara në këto dhjetë vjet të pontifikatit. Ligji, në të vërtetë, është përgatitur dhe formuluar për t’i dhënë një “fizionomi konstituive” Shtetit, pushteteve të tij, ushtrimit të funksioneve dhe “merr përsipër dhe plotëson” përditësimet normative të nxjerra tashmë dhe profilet institucionale të bëra vepruese në Shtet me reformën e Ligjit për burimet e së drejtës, të Ligjit për Qeverinë e Shtetit dhe të Ligjit për sistemin gjyqësor. Vetë Papa e shpjegon këtë duke paraqitur 24 nenet:

“I thirrur për të ushtruar pushtete sovrane në bazë të munus petrino edhe mbi Shtetin e Qytetit të Vatikanit, të cilin Traktati Lateranens e ka vendosur si një instrument për të garantuar pavarësinë absolute dhe të dukshme të Selisë së Shenjtë dhe për të garantuar sovranitetin e saj edhe në arenën ndërkombëtare, e kam gjykuar të nevojshme të miratoj Ligjin e ri Themelor për t’iu përgjigjur nevojave të ditëve tona”.

Në këtë mënyrë synohet të garantohet “autonomia e nevojshme” që e kërkojnë funksionet shtetërore ndaj akteve dhe veprimtarive që i përkasin shtetit.

Në zëvendësim të ligjit të vitit 2000

Ashtu si në “Kushtetutën” e vitit 2000, Papa konfirmon “plotësinë e pushtetit të qeverisjes” së Papës [Summum Pontificem] “që përfshin pushtetin legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor”. Konfirmohet gjithashtu “veçoria specifike dhe autonomia e sistemit juridik të Vatikanit”, e dallueshme nga ai i Kuries Romake. Konfirmohet kompetenca e Shtetit mbi zonat ekstraterritoriale, ose më mirë “ushtrimi i çdo pushteti pasues mbi territorin, të përcaktuar nga Traktati i Lateranit, dhe mbi ndërtesat dhe zonat ku institucionet e Shtetit ose të Selisë së Shenjtë veprojnë dhe janë në fuqi, sipas të drejtës ndërkombëtare, garancitë dhe imunitetet personale dhe funksionale”.

Komisioni Papnor

Pastaj Papa konfirmon funksionin legjislativ të Komisionit Papnor për Shtetin e Qytetit të Vatikanit, i përbërë deri më tani nga një president kardinal (i cili është edhe president i Guvernatoratit) dhe kardinalë të tjerë. Me Ligjin e ri Themelor – dhe kjo është një nga risitë – nuk do të jetë më kështu: përveç kardinalëve, në Komision do të hyjnë edhe “anëtarë të tjerë” të emëruar nga Papa për një mandat pesëvjeçar. Prandaj, në të mund të marrin pjesë edhe laikë dhe laike.

Me përjashtim të rasteve kur Papa dëshiron t’ia rezervojë vetes, Komisioni Papnor miraton ligje dhe dispozita të tjera normative. Presidenti, lexohet aty, “mund të nxjerrë urdhëresa, dekrete dhe dispozita të tjera, në zbatim të normave legjislative apo rregullatore”. Dhe në rast nevoje urgjente, “mund të nxjerrë dekrete me fuqi ligji, të cilat megjithatë humbasin efektivitetin e tyre nëse nuk shndërrohen në ligj nga Komisioni Papnor brenda 90 ditëve nga botimi”.

Një kolegj i Këshilltarëve të Shtetit

Për përpunimin e projekteve përkatëse, Komisioni Papnor shërbehet me bashkëpunimin e Zyrës Juridike të Guvernatoratit, të ekspertëve dhe të Këshilltarëve të Shtetit. Në lidhje me këta të fundit, një strukturë e re e futur në ligj është krijimi i një Kolegji të posaçëm të Këshilltarëve të Shtetit. Më parë këshilltarët – të emëruar gjithmonë nga Papa për pesë vjet – konsultoheshin individualisht, tani ekziston një Kolegj i cili kryen (si dhe anëtarët individualisht) funksione ekzekutive dhe konsultative.

Rregullorja buxhetore

Risi të tjera të rëndësishme kanë të bëjnë me rregullimin më të shtrënguar dhe më të detajuar të buxhetit dhe bilancit përfundimtar që vendoset çdo vit nga Komisioni Papnor, “në përputhje me rregullat e kontabilitetit” dhe “me akte që kanë fuqinë e ligjit”. Komisioni cakton planin financiar trevjeçar duke ia nënshtruar “këto akte miratimit të drejtpërdrejtë të Papës”. Buxheti duhet të sigurojë “baraspeshën e të hyrjeve dhe daljeve” dhe të frymëzohen nga “parimet e qartësisë, transparencës dhe korrektësisë”. “Në rast nevojë – lexohet në dokument – presidenti mund të kërkojë me dekret zhvendosjet e burimeve mes kapitujve të buxhetit, duke ruajtur baraspeshën e mbetjeve dhe duke marrë parasysh qëndrueshmërinë në kohë”. Për më tepër, “buxheti i nënshtrohet kontrollit dhe auditimit të një Kolegji, i përbërë nga tre anëtarë, të emëruar për një mandat 3-vjeçar nga Komisioni Papnor, të cilit i raporton”.

Ligji Themeltar i vitit 2000 parashikonte që buxhetet, pas miratimit nga Komisioni, t’i dorëzoheshin Papës “nëpërmjet Sekretariatit të Shtetit”. Zhduket neni i vjetër 4 që parashikonte përfshirjen e Sekretariatit të Shtetit në veprimtarinë legjislative të Komisionit dhe neni 6 që përcaktonte se Presidenti i Komisionit vepronte në marrëveshje me Sekretariatin e Shtetit “për çështje më të rëndësishme”.

Guvernatorati

Sa i përket Guvernatoratit, Ligji i ri rithekson se ai “me strukturën e vet organizative kontribuon në misionin e shtetit dhe është në shërbim të pasardhësit të Pjetrit, të cilit i përgjigjet drejtpërdrejt”. Përfaqësimi i Shtetit të Qytetit të Vatikanit në marrëdhëniet me shtetet dhe me subjektet e tjera të së drejtës ndërkombëtare, në marrëdhëniet diplomatike dhe për lidhjen e traktateve, i rezervohet Papës, i cili e ushtron nëpërmjet Sekretariatit të Shtetit, por në disa raste përfaqësimi ushtrohet nga Presidenti i Guvernatoratit, i cili merr pjesë në Institucionet ndërkombëtare, anëtare e të cilave është Selia e Shenjtë, “në emër dhe për llogari të Shtetit”, “ruan marrëdhënie dhe nënshkruan, me organe dhe subjekte të huaja”, të nevojshme për të siguruar furnizimet, lidhjet, dhurimet dhe shërbimet publike.

Për më tepër, Guvernatorati vazhdon të merret me sigurinë, rendin publik, mbrojtjen civile, mbrojtjen e shëndetit, kujdesin shëndetësor, higjienën publike, ekologjinë, aktivitetet ekonomike, shërbimet postare, infrastrukturën e rrjetit, aktivitetet e ndërtimit, sistemet teknike. Detyra e tij është gjithashtu ruajtja, rritja dhe përdorimi i kompleksit artistik të Muzeve të Vatikanit, si dhe mbikëqyrja e aseteve të krejt trashëgimisë artistike, historike, arkeologjike dhe etnografike.

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme