Papa: djalli kërkon dështimin e njeriut, por nuk mund të bëjë asgjë nëse lutemi

Në një intervistë të padëgjuar, që gjendet në librin “Eksorcistët kundër Satanit” (Piemme) të gazetarit Fabio Marchese Ragona, në librari nga 11 prilli 2023, Papa Françesku ripohon se djalli përpiqet gjithmonë të sulmojë të gjithë dhe të mbjellë egjër, edhe në Kishë, duke u përpjekur t’i kthejë njerëzit njëri kundër tjetrit. Teksti fillon me historinë e një ekzorcizmi ndaj një rregulltareje.

Ati i Shenjtë, në dëshminë e motrës së pushtuar, lexohet se djalli, duke folur për ju, paska thënë: «E urrej atë, ai gjithmonë flet keq për mua. E ke parë sa telashe i krijoj?». Si t’i marrim këto pohime?

Unë personalisht nuk jam i njohur me rastin dhe për këtë arsye nuk mund të jap një vlerësim. Por është me të vërtetë e mundur që unë ta zemëroj djallin, sepse përpiqem të ndjek Zotin dhe të bëj atë që thotë Ungjilli. Dhe kjo e trazon atë. Në të njëjtën kohë, ai sigurisht se kënaqet kur unë bëj ndonjë mëkat. Ai kërkon dështimin e njeriut, por nuk ka shpresë nëse ka lutje.

A jeni marrë ndonjëherë drejtpërdrejt me njerëz të pushtuar nga demonët?

Kur isha arqipeshkëv i Buenos Aires, kisha disa raste të njerëzve që vinin tek unë duke thënë se ishin të pushtuar. I kam dërguar për konsultim te dy priftërinj të mirë “specialistë”: ata nuk janë shërues, por ekzorcistë. Njëri quhet Carlos Alberto Mancuso dhe ishte ekzorcist në dioqezën e La Plata-s. Tjetri ishte rrëfyestari im, At’ Nicolas Mihaljevic, një jezuit i lindur në Kroaci. Më pas, të dy më kanë thënë se vetëm dy ose tre nga ata persona ishin vërtet viktima të pushtimit djallëzor. Të tjerët vuanin nga obsesioni djallëzor, i cili është mjaft ndryshe [nga pushtimi] sepse nuk kishin djallin në trup. Kjo duhet të specifikohet.

Si Papë a keni praktikuar ndonjëherë ekzorcizëm?

Jo, nuk ka ndodhur kurrë. Nëse do të ndodhte, do të kërkoja mbështetjen e një ekzorcisti të mirë, siç kam bërë kur isha arqipeshkëv.

Mjaft persona kanë thënë për Benediktin XVI se gjatë pontifikatit të tij ai ka pësuar sulmin e djallit – i cili na tundon gjithmonë – por që, pavarësisht se vuajti, ai i rezistoi mirë. Pali VI në vitin 1972 tha se tymi i Satanait kishte hyrë nëpërmjet ndonjë të çare në tempullin e Hyjit. A mund të veprojë djalli edhe në Vatikan dhe ta sulmojë Papën?

Sigurisht që djalli përpiqet t’i sulmojë të gjithë, pa dallim, dhe mundohet mbi të gjitha të godasë ata që kanë më shumë përgjegjësi në Kishë apo në shoqëri. Edhe Jezusi pësoi tundime nga djalli dhe le të mendojmë edhe për fjalët e Simon Pjetrit të cilit Jezusi i tha: «Shporru meje, Satan». Prandaj edhe Papa sulmohet nga i keqi. Jemi njerëz dhe ai përpiqet gjithmonë të na sulmojë. Është e dhimbshme, por përballë lutjes ai nuk ka shpresë! Pastaj është e vërtetë, siç tha Shën Pali VI, se djalli mund të hyjë edhe në tempullin e Hyjit, për të mbjellë egjër dhe për t’i kthyer njerëzit njëri kundër tjetrit: përçarjet dhe sulmet janë gjithmonë vepër e djallit. Ai gjithmonë përpiqet të ngrehë kurthe për të korruptuar zemrën dhe mendjen e njeriut. Shpëtimi i vetëm është të ndjekësh rrugën e treguar nga Krishti.

A duhet të kemi frikë nga djalli?

Unë mendoj se ekzistojnë disa djaj shumë të rrezikshëm dhe e kam fjalën për djajtë e “edukuar”. Edhe Jezusi flet për këtë, ne lexojmë për këtë gjë në Ungjillin e Lukës: ai thotë se kur shpirti i keq largohet, ai endet nëpër shkretëtirë duke kërkuar pushim. Por në një farë pike mërzitet dhe kthehet në “shtëpi”, nga ku e kishin dëbuar, dhe sheh që shtëpia është e rregulluar, është e bukur, si atëherë kur ishte brenda.

Çfarë ndodh në atë pikë?

Shkon e merr djaj të tjerë më të këqij se vetja, i sjell, hyjnë në atë shtëpi, me mirësjellje, ‘i bien ziles’, e pushtojnë personin në mënyrë të sjellshme. Shpirti, duke mos u kujdesur që ta shqyrtojë ndërgjegjen, nuk e vëren atë. Ose, nga vaktësia shpirtërore, i lë të hyjnë. Këto janë të tmerrshëm. Sepse të vrasin. Është pushtimi më i keq. Mondaniteti shpirtëror i mbulon të gjitha këto gjëra. S’ke nga të ikësh: djalli ose shkatërron drejtpërdrejt me luftëra dhe padrejtësi ose e bën këtë gjë në mënyrë të sjellshme, në mënyrë shumë diplomatike, siç tregon Jezusi. Nevojitet dallim.