26.5 C
Tirana
HomeKISHJezusi na mëson si të lutemi
HomeKISHJezusi na mëson si të lutemi

Jezusi na mëson si të lutemi

Vijim i katekezave, në kuadër të Vitit kushtuar lutjes…

Ashtu si Jezusi i lutet Atit dhe falënderon përpara se të marrë dhuratat e veta, po ashtu na e mëson këtë guxim birnor: «Çkado që të kërkoni me uratë, besoni se e morët» (Mk 11,24).

Lutja e fesë nuk qëndron vetëm në të thënit «O Zot, o Zot», por në vënien në gatishmëri të zemrës për të kryer vullnetin e Atit. Jezusi i këshillon dishepujt e vet që të sjellin në lutje pasionin për të bashkëpunuar me planin hyjnor.

2607 Kur Jezusi lutet, na mëson tashmë edhe neve si të lutemi. Rruga teologale e lutjes sonë është lutja e tij drejtuar Atit. Por Ungjilli na jep një mësim të qartë të Jezusit mbi lutjen. Si një pedagog, ai na merr aty ku jemi dhe na çon, gradualisht, tek Ati. Duke iu drejtuar turmave që e ndjekin, Jezusi merr shkas nga sa kanë përvetësuar ata nga lutja sipas Besëlidhjes së Vjetër dhe i hap ndaj risisë së Mbretërisë që vjen. Pastaj zbulon këtë risi me shëmbëlltyra. Në fund, dishepujve të vet, të cilët do t’u duhet të jenë pedagogë të lutjes në Kishën e vet, do t’u flasë haptas për Atin dhe për Shpirtin Shenjt.

2608 Që nga Fjalimi i malit, Jezusi ngulmon në kthimin e zemrës: pajtimin me vëllain përpara se të paraqitet një fli në altar[1], dashurinë për armiqtë dhe lutjen për përndjekësit[2], lutjen Atit «në fshehtësi» (Mt 6,6) pa përdorur shumë fjalë[3], faljen nga thellësia e zemrës në lutje[4], pastërtinë e zemrës dhe kërkimin e Mbretërisë[5]. Ky kthim është i tëri i drejtuar kah Ati: është birnor.

2609 Zemra, e vendosur kështu për t’u kthyer, mëson të lutet në fe. Feja është një aderim birnor në Hyjin, përtej asaj që ne ndiejmë dhe kuptojmë. Ky aderim është bërë i mundur, sepse Biri i dashur na mundëson hyrjen tek Ati. Ai mund të na lypë që «të kërkojmë» dhe «të trokasim», sepse ai vetë është dera dhe rruga[6].

2610 Ashtu si Jezusi i lutet Atit dhe falënderon përpara se të marrë dhuratat e veta, po ashtu na mëson këtë guxim birnor: «Çkado që të kërkoni me uratë, besoni se e morët» (Mk 11,24). E tillë është fuqia e lutjes. «Gjithçka është e mundshme për atë që beson!» (Mk 9,23), me një fe që nuk dyshon[7]. Jezusi, aq sa është i trishtuar nga «mosbesimi» (Mk 6,6) i bashkëvendësve të vet dhe nga «feja e pakët»[8] e dishepujve, aq tregohet plot admirim përpara fesë njëmend të madhe të centurionit romak[9] dhe të gruas nga Kananeja[10].

2611 Lutja e fesë nuk qëndron vetëm në të thënit «O Zot, o Zot», por në vënien në gatishmëri të zemrës për të kryer vullnetin e Atit[11]. Jezusi i këshillon dishepujt e vet që të sjellin në lutje pasionin për të bashkëpunuar me planin hyjnor[12].

2612 Në Jezusin «Mbretëria e Hyjit është ngjat» (Mk 1,15); ai bën thirrje për kthim dhe fe, por edhe për vigjilencë. Në lutje, dishepulli e mpreh fort vëmendjen ndaj atij që është dhe që vjen, duke përkujtuar ardhjen e tij të parë në përvujtërinë e mishit dhe duke shpresuar në ardhjen e tij të dytë me lavdi[13]. Lutja e dishepujve, në bashkim me Mësuesin e tyre, është një luftim, ndaj vetëm duke ndenjur zgjuar në lutje nuk rrezikojmë të biem në tundim[14].

2613 Shën Luka na ka lënë trashëgim tri shëmbëlltyra të rëndësishme për lutjen: E para, «miku që trazon»[15], ku këshillon për një lutje të bërë me këmbëngulje: «Trokitni dhe do t’ju çelet». Atij që lutet kështu, Ati i qiellit «do t’i japë çdo gjë që i nevojitet» veçanërisht Shpirtin Shenjt që përmban të gjitha dhuratat. E dyta, «vejusha që trazon»[16], është e përqendruar të njëra nga cilësitë e lutjes: duhet lutur gjithmonë, pa u lodhur, me durimin e fesë. «Por, a do ta gjejë fenë mbi tokë Biri i njeriut, kur të vijë?» Shëmbëlltyra e tretë, «fariseu dhe tagrambledhësi»[17], ka të bëjë me përvujtërinë e zemrës që lutet: «O Hyj, ki mëshirë për mua mëkatarin!». Kisha nuk pushon së bëri të vetën këtë lutje: «Kyrie eleison!».

2614 Kur Jezusi ua tregon haptazi dishepujve të vet misterin e lutjes së drejtuar Atit, u zbulon atyre si duhet të jetë lutja e tyre, dhe e jona, atëherë kur ai, në njerëzishmërinë e lavdëruar, do të jetë kthyer tek Ati. Risia, aktualisht, është të kërkuarit në emrin e tij[18]. Besimi në të i fut nxënësit në njohjen e Atit, sepse Jezusi është «Udha, e Vërteta dhe Jeta» (Gjn 14,6). Feja e jep frytin e vet në dashuri: të mbash Fjalën e tij, urdhërimet e tij, duke banuar me të në Atin, që në të na do, aq sa vjen e banon në ne. Në këtë Besëlidhje të re, siguria se përlutjet tona do të dëgjohen është e bazuar në lutjen e Jezusit[19].

2615 Edhe më tepër, kur lutja jonë bashkohet me atë të Jezusit, Ati na jep «Ngushëlluesin tjetër që të qëndrojë», me ne përgjithmonë, «Shpirti i së vërtetës» (Gjn 14,16-17). Kjo risi e lutjes dhe e kushteve të saj shfaqet te fjalimi i lamtumirës[20]. Në Shpirtin Shenjt, lutja e krishterë është bashkim dashurie me Atin, jo vetëm nëpërmjet Krishtit, por edhe në të: «Deri tani asgjë nuk kërkuat në emër tim. Kërkoni dhe do të merrni që gëzimi juaj të jetë i plotë» (Gjn 16,24).

Vijon në numrin e ardhshëm…


[1] Krh. Mt 5,23-24.

[2] Krh. Mt 5,44-45.

[3] Krh. Mt 6,7.

[4] Krh. Mt 6,14-15.

[5] Krh. Mt 6,21.25.33.

[6] Krh. Mt 7,7-11; 13-14.

[7] Krh. Mt 21,21.

[8] Krh. Mt 8,26.

[9] Krh. Mt 8,10.

[10] Krh. Mt 15,28.

[11] Krh. Mt 7,21.

[12] Krh. Mt 9,38; Lk 10,2; Gjn 4,34.

[13] Krh. Mk 13; Lk 21,34-36.

[14] Krh. Lk 22,40.46.

[15] Krh. Lk 11,5-13.

[16] Krh. Lk 18,1-8.

[17] Krh. Lk 18,9-14.

[18] Krh. Gjn 14,13.

[19] Krh. Gjn 14,13-14.

[20] Krh. Gjn 14,23-26; 15,7.16; 16,13-15.23-27.

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme