8.5 C
Tirana
HomeKryesorNjë reflektim mbi ecjen e sinodalitetit
KryesorNjë reflektim mbi ecjen e sinodalitetit

Një reflektim mbi ecjen e sinodalitetit

Për të kuptuar më mirë përvojën e Sinodit ende në zhvillim, po publikojmë dëshminë drejtuar Papës nga njëri prej pjesëmarrësve.

«I dashur Papa Françesku, jam entuziast për klimën që është krijuar në Sinod. Metoda e ndjekur na lejon, në mënyrë të sinqertë, t’i rrëfejmë njëri-tjetrit, të shprehim dëshirat dhe ëndrrat. Nisemi nga përvojat dhe jo nga parimet. Është një metodë induktive [nga poshtë] që funksionon dhe ka një vlerë të veçantë edhe për domethënien e saj teologjike, por edhe metodologjike. Njëmend, ajo na bën t’i lexojmë praktikat dhe përvojat si të ishte në to veprimi i Shpirtit.

Në këto ditë, të jetuara me shumë dëgjim dhe takime, kam vërejtur gjithë zoritjen për të hequr dorë nga pozicionet dhe bindjet vetjake. Ipeshkvijtë latinë nuk duan të heqin dorë nga dëshira për rëndësi ku zë vend tundimi për rizënien e “territoreve të humbura”, por edhe nga një farë mënyrë se si e kuptojnë primatin petrin, mënyrë e cila shpeshherë fsheh përtaci në qasjen me urti dhe kompetencë të situatave që kanë të bëjnë me Kishat vendore, pa qenë nevoja t’i drejtohen Romës çdo herë.

Lindorët nuk janë gati të heqin dorë nga asnjë nga traditat e tyre. Rregulltarët e kanë zor të heqin dorë nga një farë autonomie e ekzagjeruar e cila shpeshherë rrezikon të lindë një Kishë paralele, si dhe lëvizjet dhe bashkësitë e reja kishtare. Nuk mund të kemi gjithçka pa hequr dorë nga asgjë. Kjo është e pamundur dhe minon në rrënjë “profecinë” e Sinodit, por edhe të ardhmen e Kishës. Njëmend, e si vallë e kemi ngarkuar kaq shumë Kishën? Si arritëm deri në atë pikë sa të na merret fryma? Si vallë Kishat tona (jo Kisha) janë bërë varri i fesë (të paktën në Evropë, të cilën e njoh më mirë)? Unë kam vetëm një përgjigje: Zoti ka hequr dorë nga ajo që e kishte më të dashur, “thesarin xheloz” të hyjnisë së tij, për të jetuar mes nesh dhe për të mos na frikësuar. Ai ka dhënë gjithçka për ne, deri në frymën e fundit, duke përmbushur kështu gjithçka. Në këtë mënyrë na ka treguar se kjo është e vetmja rrugë për të qenë të lirë, për të vrapuar si nusja në Këngën e Këngëve në kërkim të dhëndrit të vet. Por si mund të vrapojmë, të shpallim Ungjillin me sa zë kemi, nëse jemi kaq të rënduar dhe heqim keq për të lëvizur? A jemi ndoshta peng i një farë obeziteti të përftuar nga vetë-mjaftueshmëria dhe narcisizmi?

Ja përse besoj se sinodaliteti do të na ndihmojë të zbrazemi nga kaq shumë pretendime për pushtet, nga kaq shumë struktura që rëndojnë jetën tonë. Sinodaliteti është një diakoni që ia lejon secilit të bëjë punën e vet, të kryejë shërbesën e vet, sikurse ua lejoi apostujtve të predikojnë Fjalën dhe të tjerëve që të shërbejnë të varfërit dhe të vejat.

Prandaj, në zemrën time, bart me vete për në shtëpi shumë pyetje, shumë më tepër nga sa kisha përpara se të vija këtu, por ndjej se ato janë pyetje të afta për të gjurmuar një ecje dhe për të treguar një drejtim, atë të dallimit në Shpirt, që është gjendje e përhershme e Kishës. E mbyll me një citim të Rainer Maria Rilke: “Ji i durueshëm me gjithçka që është e pazgjidhur në zemrën tënde dhe përpiqu që t’i duash pyetjet, të cilat janë të ngjashme me dhomat e mbyllura dhe librat e shkruar në gjuhë të huaj. Mos i kërko tani përgjigjet që nuk mund të të jepen, sepse nuk do të ishe në gjendje të bashkëjetoje me to. Puna është të jetosh çdo gjë. Jetoji, tani, pyetjet. Ndoshta do të të jepet, pa e vënë re ti, për të jetuar deri në ditën e largët kur do të kesh përgjigjen”».

spot_img

Te fundit

spot_img