20.5 C
Tirana
HomeKryesorHAPJA E ASAMBLESË SË PËRGJITHSHME TË ZAKONSHME TË SINODIT TË IPESHKVIJVE
KryesorHAPJA E ASAMBLESË SË PËRGJITHSHME TË ZAKONSHME TË SINODIT TË IPESHKVIJVE

HAPJA E ASAMBLESË SË PËRGJITHSHME TË ZAKONSHME TË SINODIT TË IPESHKVIJVE

SHENJTËRIT ENGJËJ ROJTARË – MESHA E SHENJTË

KAPELA PAPNORE

HOMILIA E ATIT TË SHENJTË FRANÇESKUT

Sheshi i Shën Pjetrit

2 tetor 2024

Sot kremtojmë përkujtimin liturgjik të Engjëjve të Shenjtë Rojtarë dhe rihapim Seksionin plenar të Sinodit të Ipeshkvijve. Në dëgjim të asaj që na sugjeron Fjala e Hyjit, mund të frymëzohemi nga tre imazhe për reflektimin tonë: zëri, strehimi dhe fëmija.

Së pari, zëri. Në udhëtimin drejt Tokës së Premtuar, Hyji e porosit popullin që ta dëgjojë “zërin e engjëllit” që Ai e ka dërguar (krh. Dal 23,20-22). Është një imazh që na prek nga afër, sepse edhe Sinodi është një rrugëtim, në të cilin Zoti vendos në duart tona historinë, ëndrrat dhe shpresat e një Populli të madh: të motrave dhe vëllezërve të shpërndarë në çdo anë të botës, të gjallëruar nga i njëjti besim, të shtyrë nga e njëjta dëshirë për shenjtëri, në mënyrë që me ta dhe për ta të përpiqemi të kuptojmë se cilën rrugë duhet të ndjekim për të arritur atje ku Ai dëshiron të na çojë. Por si mund ta dëgjojmë “zërin e engjëllit”?

Një mënyrë është padyshim t’u afrohemi me respekt dhe vëmendje, në lutje dhe në dritën e Fjalës së Hyjit, të gjitha kontributeve të mbledhura në këto tre vjet pune, bashkëndarjeje, përballjeje dhe përpjekjeje të durueshme për të pastruar mendjen dhe zemrën. Bëhet fjalë që, me ndihmën e Shpirtit Shenjt, të dëgjojmë dhe t’i kuptojmë zërat, domethënë idetë, pritshmëritë, propozimet, për të dalluar së bashku zërin e Hyjit që i flet Kishës (krh. Renato Corti, Quale prete?, Shënime të pabotuara). Siç e kemi kujtuar vazhdimisht, kjo asamble nuk është parlamentare, por një vend dëgjimi në bashkim, ku, siç thotë shën Gregori i Madh, atë që dikush e zotëron pjesërisht vetë e zotëron plotësisht një tjetër dhe megjithëse disa kanë dhurata të veçanta, gjithçka u përket vëllezërve në “dashurinë e Shpirtit” (krh. Predikimet mbi Ungjijtë, XXXIV).

Që kjo të ndodhë, kërkon një kusht: që ne të lirohemi nga ajo që, brenda nesh dhe mes nesh, mund ta pengojë “dashurinë e Shpirtit” për të krijuar harmoni në ndryshmëri. Ata që me arrogancë supozojnë dhe pretendojnë se kanë ekskluziven mbi fjalën e Zotit, nuk janë në gjendje ta dëgjojnë atë (krh. Mk 9,38-39). Çdo fjalë duhet të mirëpritet me mirënjohje dhe thjeshtësi, për t’i bërë jehonë asaj që Hyji ka dhënë për të mirën e vëllezërve tanë (krh. Mt 10,7-8). Konkretisht, le të kujdesemi që kontributet tona të mos i shndërrojmë në qëndrime kokëforta për t’u mbrojtur ose axhenda për t’u imponuar, por t’i ofrojmë si dhurata për t’i bashkëndarë, madje të gatshëm për të sakrifikuar atë që është e posaçme, nëse kjo gjë mund të shërbejë për të krijuar diçka të re së bashku sipas planit të Hyjit. Përndryshe do të përfundojmë të mbyllur në dialogë mes shurdhamanësh, ku secili përpiqet të “çojë ujë në mullirin e vet” pa dëgjuar të tjerët dhe mbi të gjitha pa dëgjuar zërin e Zotit.

Zgjidhjet për problemet me të cilat përballemi nuk i kemi ne, por Ai (krh. Gjn 14,6) dhe ta kujtojmë se në shkretëtirë nuk bëhet shaka: nëse nuk i kushtohet vëmendje udhërrëfyesit, duke pandehur se i mjaftojmë vetvetes, mund të vdesim nga uria dhe etja, duke tërhequr pas vetes edhe të tjerët. Prandaj, ta dëgjojmë zërin e Hyjit dhe të engjëllit të tij, nëse vërtet duam të vazhdojmë të sigurt në ecjen tonë përtej kufizimeve dhe vështirësive (krh. Ps 23,4).

Dhe kjo na çon te imazhi i dytë: strehimi. Simboli është ai i krahëve që mbrojnë: «nën krahët e tij do të gjesh strehim» (Ps 91,4). Krahët janë mjete të fuqishme, të afta për të ngritur një trup nga toka me lëvizjet e tyre të fuqishme. Megjithatë, pavarësisht se janë kaq të fortë, ata gjithashtu mund të ulen e të mblidhen, duke u bërë mburojë dhe fole mikpritëse për të vegjlit, që kanë nevojë për ngrohtësi dhe mbrojtje.

Ky është një simbol i asaj që Hyji bën për ne, por është gjithashtu një model për t’u ndjekur, veçanërisht në këtë moment asambleje. Mes nesh, të dashur vëllezër e motra, ka shumë njerëz të fortë, të përgatitur, të aftë për t’u ngritur lart me lëvizjet e fuqishme të reflektimeve dhe intuitave të shkëlqyera. E gjithë kjo është një pasuri, e cila na stimulon, na shtyn, na detyron herë pas here të mendojmë më hapur dhe të ecim përpara me vendosmëri, si dhe na ndihmon të qëndrojmë të paluhatshëm në fe edhe përballë sfidave dhe vështirësive. Zemra e hapur, zemra në dialog. Një zemër e mbyllur në bindjet e veta nuk është e Shpirtit të Zotit, kjo nuk është e Zotit. Hapja është një dhuratë, një dhuratë që, në kohën e volitshme, duhet bashkuar me aftësinë për të shtendosur muskujt dhe për t’u përkulur, për t’i ofruar njëri-tjetrit si një përqafim mikpritës dhe një vend strehimi: për të qenë, si thoshte shën Pali VI, «një shtëpi […] vëllezërish, një punishte veprimtarie të gjallë, një qenakull i një përshpirtërie të zjarrtë» (Fjalim drejtuar Këshillit Presidencial të C.E.I., 9 maj 1974).

Këtu, secili do të ndihet i lirë për t’u shprehur aq më shumë spontanisht dhe lirshëm, sa më shumë që e percepton praninë e miqve rreth tij që e duan dhe që e respektojnë, vlerësojnë dhe duan të dëgjojnë atë që ai ka për të thënë.

Për ne, kjo gjë nuk është thjesht një teknikë “lehtësuese” – është e vërtetë që në Sinod janë edhe “lehtësuesit”, por kjo është për të na ndihmuar që të ecim më mirë përpara –, nuk është thjesht një teknikë për të lehtësuar dialogun ose një dinamike komunikimi në grup: të përqafosh, të mbrosh dhe të kujdesesh është në fakt pjesë e vetë natyrës së Kishës. Të përqafosh, të mbrosh dhe të kujdesesh. Kisha është për nga thirrja e saj një vend mikpritës i atyre që mblidhen, ku «dashuria kolegjiale kërkon një harmoni të përsosur, nga e cila rrjedh forca e saj morale, bukuria e saj shpirtërore, natyra e saj shembullore» (po aty). Kjo fjalë është shumë e rëndësishme, “harmonia”. Nuk ka shumicë, nuk ka pakicë; ky mund të jetë hapi i parë. Ajo që ka rëndësi, ajo që është themelore është harmonia, harmonia që vetëm Shpirti Shenjt mund ta krijojë. Ai është mjeshtri i harmonisë, i cili me shumë dallime është i aftë të krijojë një zë të vetëm, me shumë zëra të ndryshëm. Le të mendojmë për mëngjesin e Rrëshajëve, se si Shpirti e krijoi atë harmoni në dallime. Kisha ka nevojë për “vende paqësore dhe të hapura”, për t’u krijuar para së gjithash në zemrat, ku secili të ndihet i pranuar si një bir në krahët e nënës së vet (krh. Is 49,15; 66,13) dhe si një bir të cilin i ati e merr në grykë (krh. Oz 11,4; Ps 103,13).

Dhe ja, tani, imazhi i tretë: fëmija. Është vetë Jezusi, në Ungjill, që “e vendos në mes”, dhe ua tregon dishepujve, duke i ftuar ata që të kthehen e të bëhen të vegjël si ai. Ata e kishin pyetur se kush ishte më i madhi në mbretërinë e qiejve: Ai u përgjigjet duke i inkurajuar që të bëhen të vegjël si një fëmijë. Por jo vetëm kaq: ai shton gjithashtu se duke e pranuar një fëmijë në emrin e tij, pranohet vetë Ai (krh. Mt 18,1-5).

Për ne, ky paradoks është thelbësor. Sinodi, duke pasur parasysh rëndësinë e tij, në njëfarë kuptimi na kërkon të jemi “të mëdhenj” – në mendje, në zemër, në pikëpamje – sepse çështjet që duhen trajtuar janë “të mëdha” dhe delikate, dhe skenarët brenda të cilave ato gjenden janë të gjera, universale. Por pikërisht për këtë arsye, ne nuk mund t’ia lejojmë vetes që t’i heqim sytë nga fëmija, të cilin Jezusi vazhdon ta vendosë në qendër të mbledhjeve dhe tryezave tona të punës, për të na kujtuar se e vetmja mënyrë për të qenë “në lartësinë” e detyrës që na është besuar, është ta përulim veten, të bëhemi të vegjël dhe ta pranojmë njëri-tjetrin si të tillë, me përvujtëri. Më i larti në Kishë është ai që e përul veten më shumë.

Duhet ta kujtojmë se, pikërisht ndërsa e bëjmë veten të vogël, Hyji «na tregon se çfarë është madhështia e vërtetë, madje se çfarë do të thotë të jesh Hyj» (Benedikti XVI, Predikimi në festën e Pagëzimit të Zotit, 11 janar 2009). Nuk është rastësi që Jezusi thotë se engjëjt e fëmijëve «shohin vazhdimisht fytyrën e Atit […] që është në qiell» (Mt 18,10): domethënë, ata janë si një “teleskop” i dashurisë së Atit.

Vëllezër e motra, ta rimarrim këtë rrugëtim kishtar me një shikim të drejtuar kah bota, sepse bashkësia e krishterë është gjithmonë në shërbim të njerëzimit, për t’ua shpallur të gjithëve gëzimin e Ungjillit. Kemi nevojë për të, veçanërisht në këtë orë dramatike të historisë sonë, ndërkohë që erërat e luftës dhe zjarri i dhunës vazhdojnë të tronditin popuj dhe kombe të tëra.

Për ta thirrur dhuratën e paqes përmes ndërmjetësimit të Shën Mërisë, të dielën e ardhshme do të shkoj në Bazilikën Santa Maria Maggiore ku do të lus Rruzaren e shenjtë dhe do t’i drejtoj Virgjërës një përgjërim të përzemërt; nëse është e mundur, ju lus edhe ju, anëtarë të Sinodit, të më bashkoheni me këtë rast.

Të nesërmen, më 7 tetor, u kërkoj të gjithëve që të jetojnë një ditë lutjeje dhe agjërimi për paqen në botë.

Të ecim së bashku. Të vihemi në dëgjim të Zotit. Dhe të lejojmë që të na udhëheqë puhia e Shpirtit.

spot_img

Te fundit

spot_img