Ditën e dytë të vizitës Ad Limina Apostolorum, ipeshkvijtë tanë e nisën ditën në Bazilikën e Shën Pjetrit. Pikërisht këtu zë fill edhe kuptimi i thellë i kësaj vizite: pranë varrit të Apostullit të parë, pranë themelit të dukshëm të Kishës së Krishtit.
Në këtë vend të shenjtë, ipeshkvijtë tanë kremtuan Meshën e Shenjtë, duke iu lutur në mënyrë të veçantë Zotit për popullin e besuar kujdesit të tyre baritor. Meshën e Shenjtë e udhëhoqi Sh.T. Imzot Ottavio Vitale, ipeshkëv i Lezhës.
Gjatë kësaj kremteje eukaristike, secili prej barinjve të pranishëm iu afrua altarit të Zotit me lutjen dhe përkushtimin e vet, duke ia besuar Krishtit jetën, shpresat dhe sfidat e bashkësive dioqezane që u janë besuar. Pranë varrit të Shën Pjetrit, kjo lutje mori një domethënie të veçantë: të ripërtërinte bashkimin me pasardhësin e Apostullit, Papën, dhe të forconte misionin e tyre si barinj të Kishës, në shërbim të popullit të Zotit.
Kështu, kjo vizitë nuk është vetëm një takim zyrtar, por edhe një përvojë e thellë shpirtërore, një moment bashkimi, lutjeje dhe ripërtëritjeje të përgjegjësisë baritore, në dritën e besimit apostolik dhe të misionit të Kishës në ditët tona.
Dom Mark Pashkja
Zëdhënës i KISH

