10.5 C
Tirana
HomeKISHAtë në hije
HomeKISHAtë në hije

Atë në hije

Baba nuk lind, por bëhesh. Dhe nuk bëhesh vetëm sepse sjell në jetë një fëmijë, por sepse kujdesesh për të me përgjegjësi. Sa herë që dikush merr përgjegjësi për jetën e tjetrit, në njëfarë kuptimi ai ushtron atësinë e vet ndaj tij.

Sa herë që gjendemi në kushtet për ta ushtruar atësinë tonë, gjithmonë duhet të kujtojmë se nuk është kurrë një ushtrim zotërimi, por “shenjë” që i referohet një atësie më të lartë.

[Shkëputur nga Letra apostolike “Patris corde” e papa Françeskut]

Shkrimtari polak Jan Dobraczyński, në librin e tij Hija e Atit, ka treguar jetën e Shën Jozefit në formën e një romani. Me imazhin magjepsës të hijes përkufizon figurën e Jozefit, i cili përkundrejt Jezusit është hija në tokë e Atit Qiellor: ai e ruan, e mbron, nuk largohet kurrë prej Tij pasi dëshiron të ndjekë hapat e tij. Le të mendojmë për atë që Moisiu i kujton Izraelit: “Po edhe në shkretëtirë, vetë e keni parë, Zoti të ka përqafuar, Zoti, Hyji yt, ashtu siç e mbart njeriu fëmijën e vet, në çdo udhë nëpër të cilën ratë deri që erdhët në këtë vend” (Lp 1,31). Kështu e ushtroi Jozefi atësinë gjatë gjithë jetës së vet.

Baba nuk lind, por bëhesh. Dhe nuk bëhesh vetëm sepse sjell në jetë një fëmijë, por sepse kujdesesh për të me përgjegjësi. Sa herë që dikush merr përgjegjësi për jetën e tjetrit, në njëfarë kuptimi ai ushtron atësinë e vet ndaj tij.

Në shoqërinë e kohës sonë, shpesh fëmijët duket sikur janë pa baba. Edhe Kisha e sotme ka nevojë për etër. Është ende aktuale vërejtja që Shën Pali u bën korintianëve: “Sepse, edhe po t’i kishit në Krishtin dhjetë mijë mësues, nuk do të kishit shumë etër” (1 Kor 4,15); dhe çdo prift ose ipeshkëv duhet të jetë në gjendje të shtojë si Apostulli: “Unë ju linda në Jezu Krishtin” (po aty). Dhe Galatasve u thotë: “O fëmijët e mi, që unë ju rilind me dhimbje rishtas derisa Krishti të formohet në ju!” (Gal 4,19).

Të jesh atë do të thotë ta futësh fëmijën në përvojën e jetës, të realitetit. Të mos e ndalosh, të mos e burgosësh, të mos e zotërosh, por ta bësh të aftë për zgjedhje, liri, largime. Ndoshta kjo është arsyeja pse, krahas emërtimit të atit, tradita Jozefit i ka vënë edhe atë të “shumë i dëlirë/pastër”. Nuk është thjesht një tregues afektiv, por përmbledhja e një qëndrimi që shpreh të kundërtën e zotërimit. Dëlirësia/pastërtia është liria prej zotërimit në të gjitha fushat e jetës. Vetëm kur një dashuri është e dëlirë/pastër, ajo është me të vërtetë dashuri. Dashuria që dëshiron të zotërojë, në fund bëhet gjithmonë e rrezikshme, burgos, mbyt, bën të palumtur. Vetë Hyji e ka dashur njeriun me një dashuri të dëlirë/pastër, duke e lënë të lirë edhe për të bërë gabime dhe për t’u vënë kundër Tij. Logjika e dashurisë është gjithmonë një logjikë lirie dhe Jozefi ka ditur të dojë në mënyrë jashtëzakonisht të lirë. Kurrë nuk e ka vënë veten në qendër. Ka ditur ta mohojë rolin qendror, për të vënë Marinë dhe Jezusin në qendër të jetës së vet.

Lumturia e Jozefit nuk është në logjikën e flijimit të vetvetes, por në atë të dhurimit të vetvetes. Nuk perceptohet fije frustrimi te ky njeri, por vetëm besim. Heshtja e tij e vazhdueshme nuk përfshin ankesa, por gjithmonë gjeste konkrete besimi. Bota ka nevojë për etër, ajo nuk i pranon padronët, nuk i pranon ata që duan të përdorin zotërimin e tjetrit për të mbushur boshllëkun e tyre; nuk i pranon ata që ngatërrojnë autoritetin me autoritarizmin, shërbimin me servilizmin, ballafaqimin me shtypjen, dashurinë-bamirësi me asistencializmin, forcën me shkatërrimin. Çdo thirrje e vërtetë lind nga dhurimi i vetvetes, që është pjekuria e vetë flisë. Kjo lloj pjekurie kërkohet edhe në meshtari dhe në jetën e kushtuar. Aty ku një thirrje, martesore, beqarie apo virgjërie, nuk arrin pjekurinë e dhurimit të vetvetes, duke u ndalur vetëm në logjikën e flijimit, atëherë në vend që ta bëjë vetveten një shenjë të bukurisë dhe të gëzimit të dashurisë, rrezikon të shprehë pakënaqësi, trishtim dhe frustrim.

Atësia që heq dorë nga tundimi për të jetuar jetën e fëmijëve gjithmonë hap hapësira të papara. Çdo bir gjithmonë mbart me vete një mister, një diçka të papritur që mund të zbulohet vetëm me ndihmën e një ati që respekton lirinë e tij. Një atë i vetëdijshëm për të përfunduar veprimin e tij edukativ dhe për të jetuar plotësisht atësinë e vet vetëm kur e ka bërë veten “të padobishëm”, kur sheh se biri i tij bëhet autonom dhe ecën vetë në shtigjet e jetës, kur vihet në situatën e Jozefit, i cili gjithmonë e ka ditur se Fëmija nuk ishte i tij, por thjesht i ishte besuar përkujdesjeve të tij. Në thelb, kjo është ajo që nënkupton Jezusi kur thotë: “Dhe përmbi tokë mos thirrni askënd Atë, sepse keni vetëm një Atë ‑ atë që është në qiell!” (Mt 23,9).

Sa herë që gjendemi në kushtet për ta ushtruar atësinë tonë, gjithmonë duhet të kujtojmë se nuk është kurrë një ushtrim zotërimi, por “shenjë” që i referohet një atësie më të lartë. Në njëfarë kuptimi, të gjithë gjendemi përherë në situatën e Jozefit: hije e një Ati të vetëm qiellor, i cili “bën të lindë dielli i tij mbi të këqijtë e mbi të mirët e të bjerë shi për të drejtët e për të padrejtët” (Mt 5,45); dhe hije që ndjek Birin.

Atij t’ia drejtojmë lutjen tonë:

Të falemi, o kujdestar i Shëlbuesit,

dhe i fejuari i Marisë Virgjër.

Hyji ty ta besoi Birin e vet;

te ti Maria vendosi besimin e saj;

me ty Krishti u bë njeri.

O i Lumi Jozef, tregohu atë edhe për ne,

dhe na udhëzo në rrugën e jetës.

Merr për ne hir, mëshirë dhe guxim

dhe na mbro nga çdo e keqe. Amen.

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme