16.5 C
Tirana
HomeKISHTirana mikpriti konferencën ndërkombëtare mbi migracionin – “Në rrugët e migrimit: Nga...
HomeKISHTirana mikpriti konferencën ndërkombëtare mbi migracionin – “Në rrugët e migrimit: Nga...

Tirana mikpriti konferencën ndërkombëtare mbi migracionin – “Në rrugët e migrimit: Nga vështrimi pastoral tek  angazhimi  shoqëror”

Tiranë, 23 shtator 2025 – Migracioni, një nga sfidat më të mëdha shoqërore për Shqipërinë dhe rajonin, ishte në qendër të konferencës ndërkombëtare “Në rrugët e migrimit: Nga vështrimi pastoral tek angazhimi shoqëror”, organizuar nga Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë.

Konferenca mblodhi së bashku përfaqësues të Kishës Katolike, institucioneve shtetërore, organizatave ndërkombëtare dhe shoqërisë civile, duke i dhënë takimit një dimension të gjerë pastoral, shoqëror dhe ndërkombëtar. Punimet u drejtuan nga Dom Mark Pashkja, i cili udhëhoqi me pyetje dhe reflektime të hapura diskutimet mes folësve.

Në fjalën e hapjes, Imzot Simon Kulli, Ipeshkëv i Sapës dhe kryetar i Komisionit për Migracionin, prezantoi mesazhin e Atit të Shenjtë për Ditën e 111-të Botërore të Migrantit dhe Refugjatit 2025, mbi rëndësinë e komuniteteve mikpritëse:

Migranti nuk është thjesht një numër, por një fytyrë, një histori dhe një thirrje për solidaritet.

Konferenca u pasurua me ndërhyrjet e Imzot Arjan Dodaj, Arqipeshkëv i Tiranë-Durrësit i cili foli për sfidat pastorale të migrimit të brendshëm, Atë Avelino Chico S.J. (përfaqësues i Dikasterit për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor – Vatikan) i cili theksoi lidhjen mes migracionit dhe zhvillimit njerëzor, Imzot Luis Okulik (CCEE Këshilli i Konferencave Ipeshkvnore të Evropës), i cili theksoi rolin e Kishës në ndërtimin e një Europe më të bashkuar, dhe Dom Marco Pagniello (drejtor i Caritas Italiana), i cili ndau perspektiva mbi sfidat pastorale e sociale dhe rolin e Kishës në shërbim të migrantëve.

Ekspertë si Prof. Gëzim Tushi analizuan ndikimet e migracionit në zhvillimin shoqëror dhe kulturor, ndërsa z. Alban Haxhi (Ministria e Brendshme) theksoi rolin e shtetit me situatën e migracionit. Znj. Olinga Rafat (IOM) foli mbi sfidat që ka hasur Shqipëria dhe ndikimin e tyre në zhvillimin e qëndrueshëm.

Në panelin e Kishës Katolike, znj. Ariela Mitri (Caritas Albania) ndau përvojat e punës me migrantët, ndërsa Motra Teuta Buka nënvizoi rëndësinë e edukimit si armë kundër emigrimit masiv të të rinjve.

Konferenca solli gjithashtu dëshmi personale, shembuj frymëzues dhe angazhime institucionale, si ato të z. Altin Prenga, Atë Agustin Margjoni, znj. Vasilika Laska (Bashkia Lezhë) dhe znj. Endrita Berisha.

Të pranishëm ishin edhe Imzot Giovanni Peragine Arqipeshkvi i Shkodër-Pultit, zonë e cila po e përjeton fort fenomenin e migracionit, gjithashtu dhe Imzot Ionuţ Paul Strejac, i Ngarkuar me Punë i Selisë së Shenjtë në Tiranë. Nuk munguan gjithashtu edhe përfaqësues nga dioqeza të ndryshme të vendit.

Në përfundim, pjesëmarrësit bënë thirrje për një platformë të përbashkët bashkëpunimi mes Kishës, shtetit, shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë, për ta kthyer migracionin nga një plagë shoqërore në një mundësi zhvillimi dhe solidariteti.

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme