Janë shembur këto ditë muret anësore të kishës 700-vjeçare “Shën Nikolla” në Zejmen të Lezhës. Lajmin e ka bërë të ditur studiuesi Dom Nikë Ukgjini në faqen tij zyrtare. Sipas tij mësohet janë shembur muret anësore dhe në pjesën veriore të mureve madje kishte gjurmë të konsiderueshme të afreskeve të shek. XIII. Kisha ndodhet mbi fushën shkëmbore të Zejmenit, përballë Kishës së Pllanës. Kjo kishë është rindërtuar disa herë për shkak të dëmtimeve nga pushtuesit osman. Ky objekt kulti përmendet edhe nga Marin Bici në vitin 1610 si një vepër me vlera arkitekturore të mëdha. Aktualisht kisha është dëmtuar po ashtu edhe afresket, ndërkohë që edhe shembjet e këtyre ditëve ishin tepër të mëdha.
Ashtu si me Kishën e Shën Prendës në Balldre, Dom Nikë Ukgjini shprehet se kishte menduar për të gjetur mundësinë e restaurimit, pasi nga ana e Ministrisë së Kulturës është lënë jashtë vëmendjes, por do të gjejmë forcë për të ringritur këtë dëshmi 700 vjeçar të identiteti tonë.
Dom Nikë Ukgjini shkruan:
“SHEMBET KISHA 700 VJEÇARE NË ZEJMEN, BASHKIA LEZHË!
Me dt. 15 janar, 2022, mësova lajmin së Kisha e Shën Nikollës në Zejmen, Monumente Kulture, u shembë në muret anësore, ku në pjesën e murit verior mbante në vete gjurmë të konsiderueshme të afreskeve të shek..XIII.
Mbi fushën shkëmborë të Zejmenit, përballë, Kishës se Pllanës, gjendej Kisha më mure të plota, e ndërtuar dhe rindërtuar disa here për shkak të dëmtimeve qe ju benë gjatë pushtimeve Osman për 500 vite me radhë. Ajo e cila përmendet në relacionet e Marin Bicit në vitin 1610, si objekte kishtar me vlera të mëdha arkitekturore, me hajat për 200 persona dhe më shume afreske të shpërndara në gjithë ambientin, tashme pjesët e rëndësishme të saj, për shkak te mosmirëmbajtjes nga Ministria e Kulturës, mjerisht nuk ekzistojnë me. I ndihmuar edhe nga tërmeti gjatë këtyre ditëve dhe dëmtimi i kohës, benë që dy muret të jenë rrafshuar për tokë.
Gjatë vitit të kaluar e kam vizituar disa herë më qellim të përvishem punës s bashku me Fra Landin për përforcimin dhe restaurimin e mureve dhe vendosjen e një çatie provizore në mënyrë që të ruhet nga shkatërrimi i mundshëm, ajo pasuri me vlera të madhe, kulturore dhe historike për popullin shqiptare. Por, ja, ndodhi a jo qe ndodhi dhe tani shkova, me Fra Landin dhe Dom Pashkun, me zemër të plasur për ta vizituar ashtu të shtrirë për tokë, me shprese së do gjejë force për t i ringritur ato mure edhe njëherë dhe për t i kthyer në gjendje siç kanë qenë, por i vetëdijshëm se asnjëherë nuk do jetë ajo zonjë qe ishte, si dëshmitare e një historie 700 vjeçare të dinjitetit dhe identitetit tonë”.
Lindita KOKAJ