9.5 C
Tirana
HomeKISHVeset dhe virtytet. Plogështia/përtacia
HomeKISHVeset dhe virtytet. Plogështia/përtacia

Veset dhe virtytet. Plogështia/përtacia

Katekezë 8

PAPA FRANÇESKU

AUDIENCË E PËRGJITHSHME

Vëllezër e motra, mirëdita!

Ndër të gjitha veset kryesore, gjendet një i cili shpesh kalon nën zë, mbase edhe për shkak të emrit i cili, për shumëkënd, duket i pakuptueshëm: po flas për plogështinë [accidia]. Për këtë arsye në katalogun e veseve termi plogështi [acidia] shpeshherë zëvendësohet nga një tjetër i cili përdoret zakonisht: përtacia [pigrizia]. Në realitet përtacia është më tepër një efekt sesa një shkak. Kur një person rri i pa punë, i mefshtë, apatik ne themi se është përtac. Por, sikurse mëson urtia e etërve të lashtë të shkretëtirës, shpesh rrënja e përtacisë është plogështia [acidia], e cila shprehimisht nga greqishtja do të thotë “mungesë kujdesi”.

Bëhet fjalë për një nga tundimet shumë të rrezikshme. S’bëhet lojë me të. Ai që bie viktimë e tij është sikur të ishte i shtypur nga një dëshirë për vdekje: ndjen neveri për gjithçka. Marrëdhënia me Hyjin i bëhet e mërzitshme: edhe aktet më të shenjta, ato që në të kaluarën ia kishin ngrohur zemrën, tani i dukën krejt të kota. Një person fillon të qajë mbi kohën që ikën dhe mbi rininë që, në mënyrë të pakthyeshme, ka lënë pas krahëve.

Plogështia është përcaktuar si “djalli i mesditës”. Na kap në mes të ditës, kur lodhja arrin kulmin dhe orët që janë para nesh na duket të mërzitshme, të pamundshme për t’u jetuar. Në një përshkrim të famshëm, murgu Evagrio e paraqet këtë tundim kështu: “Syri i njeriut të plogësht rri vazhdimisht i ngulitur në dritare dhe në mendjen e tij fantazon mbi kalimtarët […] Kur lexon, të plogështit i hapet goja shpesh dhe mposhtet lehtësisht nga gjumi, fërkon sytë, fërkon duart dhe, duke larguar sytë nga libri, fikson murin; pastaj duke i kthyer sërish te libri, lexon edhe pak […]; në fund, si t’i përkulet koka, e vendos librin poshtë dhe e zë një gjumë i lehtë, derisa uria e zgjon dhe e shtyn të kujdeset për nevojat e tij»; si përfundim, “i plogështi nuk e kryen me gatishmëri punën e Hyjit» [[1]].

Lexuesit bashkëkohorë hetojnë në këto përshkrime diçka që u kujton shumë të keqen e depresionit, si nga pikëpamja psikologjike, ashtu edhe nga pikëpamja filozofike. Njëmend, për ata që janë kapur nga plogështia, jeta humb domethënien, lutja bëhet e mërzitshme, çdo betejë duket e pakuptimtë. Nëse edhe në rini ushqenim pasionet, tani na duken të palogjikshme, ëndrra që nuk na kanë bërë të lumtur. Ndaj e lëshojmë veten dhe shpërqendrimi, të mos menduarit, shfaqen si e vetmja rrugëdalje: do të donim të ishim të shkujdesur, ta kishim një mendje krejtësisht të zbrazët… Është pak si të vdesim më herët, dhe është gjë e shëmtuar.

Përballë këtij vesi, që e vëmë re se është kaq i rrezikshëm, mësuesit e përshpirtërisë parashikojnë zgjidhje të ndryshme. Do të doja të theksoja atë që më duket më e rëndësishmja e që do ta quaja duresa e fesë. Edhe pse nën fshikullin e plogështisë dëshira e njeriut është të jetë “diku tjetër”, të arratiset nga realiteti, duhet gjetur guximi për të qëndruar e pranuar në “këtu dhe tani”-në time, në situatën time ashtu siç është, praninë e Hyjit. Murgjit thonë se, për ta, qela është mësuesja më e mirë e jetës, sepse është vendi ku, konkretisht dhe përditë, të flet për historinë tënde të dashurisë me Zotin. Djalli i plogështisë dëshiron të shkatërrojë pikërisht këtë gëzim të thjeshtë të “këtu dhe tani”-së, këtë mahnitje mirënjohëse të realitetit; ai do që ta mbushë mendjen se gjithçka është e kotë, se asgjë nuk ka kuptim, se nuk ia vlen të kujdesesh për asgjë. Në jetë takojmë njerëz të “plogësht”, njerëz për të cilët themi: “Po ky është i mërzitshëm!” e nuk na pëlqen të rrimë me të; njerëz që kanë gjithashtu një qëndrim mërzie ngjitëse. Ja, plogështia.

Sa shumë njerëz, nën sundimin e plogështisë, të shtyrë nga një shqetësim pa emër, kanë braktisur marrëzisht rrugën e së mirës që kishin ndërmarrë! Beteja ndaj  plogështisë është vendimtare, e duhet fituar me çdo kusht. Është një betejë që nuk i ka kursyer as shenjtërit, sepse në shumë nga ditarët e tyre ka disa faqe që ndajnë momente të tmerrshme, netësh të mirëfillta feje, ku gjithçka dukej e errët. Këta shenjtër e shenjtëresha na mësojnë që ta përshkojmë natën me durim, duke pranuar varfërinë e fesë. Ata rekomandonin që, kur njeriu gjendet nën shtypjen e plogështisë, të merren angazhime më të vogla, të vendosen synime që janë më të arritshme, por në të njëjtën kohë të ketë rezistencë dhe këmbëngulje duke u mbështetur te Jezusi, i cili nuk të braktis kurrë në tundim.

Feja, e munduar nga sprova e plogështisë, nuk e humb vlerën e vet. Madje është fe e vërtetë, fe plotësisht në masën e njerëzores, që pavarësisht gjithçkaje, pavarësisht errësirës që e verbon, beson përsëri me përvujtëri. Është ajo fe që mbetet në zemër, sikurse gacat nën hi. Mbetet gjithmonë. E nëse dikush prej nesh bie në këtë ves ose në një tundim plogështie, të përpiqet që të shikojë brenda vetes e të ruajë gacat e fesë: kështu ecet përpara.


Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme