20.5 C
Tirana
HomeKISHVeset dhe virtytet - Përvujtëria
HomeKISHVeset dhe virtytet - Përvujtëria

Veset dhe virtytet – Përvujtëria

Katekezë 20.

PAPA FRANÇESKU

AUDIENCË E PËRGJITHSHME

Të dashur vëllezër e motra, mirëdita!

E përfundojmë këtë cikël katekezash duke u ndalur te një virtyt që nuk është pjesë e shtatëshes, e atyre kardinale e teologale, por që është baza e jetës së krishterë: ky virtyt është përvujtëria. Është antagonisti i madh i vesit më vdekjeprurës, domethënë krenarisë. Ndërsa krenaria dhe madhështia e fryjnë zemrën e njeriut, duke na bërë të dukemi më shumë nga ç’jemi, përvujtëria kthen gjithçka në dimensionin e duhur: ne jemi krijesa të mrekullueshme, por të kufizuara, me pikat e forta e të dobëta. Që në fillim, Bibla na kujton se ne jemi pluhur dhe në pluhur do të kthehemi (krh Zan 3,19), njëmend, fjala “i përvujtë” rrjedh nga humus, domethënë dhé. Megjithatë, në zemrën e njeriut shpeshherë ngallisin iluzionet e gjithëpushtetësisë, të cilat janë shumë të rrezikshme, dhe kjo gjë na lëndon shumë.

Për t’u çliruar nga madhështia, do të mjaftonte shumë pak, do të mjaftonte të sodisnim një qiell plot yje për të gjetur masën e duhur, siç thotë Psalmi: «Kur e sodis qiellin ‑ veprën e gishtave të tu, hënën e yjet që ti i vendose, çka është atëherë njeriu që ta kujtosh, biri i Adamit që të përkujdesesh për të?» (8,4-5). Shkenca moderne na lejon që ta zgjerojmë horizontin shumë, shumë më tej, e ta ndjejmë akoma më shumë misterin që na rrethon e që jeton brenda nesh.

Lum ata njerëz që e ruajnë në zemrat e tyre këtë perceptim të vogëlsisë së tyre! Këta njerëz ruhen nga një ves i shëmtuar: arroganca. Në Lumnitë e tij, Jezusi nis pikërisht prej tyre: «Lum të varfrit në shpirt, sepse e tyre është mbretëria e qiejve» (Mt 5,3). Është Lumnia e parë sepse qëndron në themel të atyre që pasojnë: njëmend, butësia, mëshira, pastërtia e zemrës lindin nga ajo ndjenjë e brendshme e vogëlsisë. Përvujtëria është dera e të gjitha virtyteve.

Në faqet e para të Ungjijve, përvujtëria dhe varfëria e shpirtit duket se janë burimi i çdo gjëje. Lajmërimi i engjëllit nuk ndodh në dyert e Jerusalemit, por në një fshat të largët të Galilesë, aq i parëndësishëm sa njerëzit thoshin: «A mund të dalë gjë e mirë nga Nazareti?» (Gjn 1,46). Në të vërtetë, bota rilind pikërisht prej aty. Heroina e përzgjedhur nuk është një mbretëreshë e mbajtur në pëllëmbë të dorës, por një vajzë e panjohur: Maria. E para që mahnitet është vetë ajo, kur engjëlli i sjell lajmin e Hyjit. Dhe në himnin e saj të lavdit, bie në sy kjo mahnitje: « Shpirti im e madhëron Zotin, shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim, sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvuajtur: qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur» (Lk 1,46-48). Hyji – si të thuash – tërhiqet nga vogëlsia e Marisë, e cila është mbi të gjitha një vogëlsi e brendshme. Dhe ai tërhiqet edhe nga vogëlsia jonë, kur ne e pranojmë atë.

Nga këtu e tutje, Maria do të jetë e kujdesshme që të mos dalë në dukje. Vendimi i saj i parë pas lajmërimit engjëllor është të shkojë e të ndihmojë, të shkojë për t’i shërbyer kushërirës së vet. Maria niset drejt maleve të Judës për të vizituar Elizabetën: ajo e ndihmon atë në muajt e fundit të shtatzënisë. Por kush e sheh këtë gjest? Askush, nëse jo Hyji. Nga ky vend i fshehtë, Virgjëra duket se nuk dëshiron të dalë kurrë. Si atëherë kur, nga turma, zëri i një gruaje e shpall lumninë e saj: «Lum kraharori që të mbarti e gjinjtë që thithe!» (Lk 11,27). Por Jezusi menjëherë përgjigjet: «Madje, të lumët ata që e dëgjojnë fjalën e Hyjit dhe e zbatojnë!» (Lk 11,28). As e vërteta më e shenjtë e jetës së saj – të qenit Nëna e Zotit – nuk u bë për të një burim lavdërimi para njerëzve. Në një botë që është në garë për t’u dukur, për t’u shfaqur më superiorë se të tjerët, Maria ecën vendosmërisht, vetëm me forcën e hirit të Hyjit, në drejtimin e kundërt.

Mund ta marrim me mend se edhe ajo ka përjetuar momente të vështira, ditë në të cilat feja e saj ecte në errësirë. Por kjo gjë nuk e lëkundi përvujtërinë e saj, e cila, te Maria, ishte një virtyt graniti. Dua ta nënvizoj këtë gjë: përvujtëria është një virtyt graniti. Le të mendojmë për Marinë: ajo është gjithmonë e vogël, gjithmonë e zhveshur nga vetja, gjithmonë e lirë nga ambiciet. Kjo vogëlsi e saj është forca e vet e pamposhtur: është ajo që qëndron te këmbët e kryqit, ndërsa iluzioni i një Mesije triumfues shkërmoqet. Në ditët para Rrëshajëve, është Maria ajo që do ta mbledhë grigjën e dishepujve, të cilët nuk qenë të zotët që të qëndronin në lutje me Jezusin një orë të vetme dhe e kishin braktisur kur ia behu stuhia.

Vëllezër e motra, përvujtëria është gjithçka. Është ajo që na shpëton nga i Keqi dhe nga rreziku për t’u bërë bashkëpunëtorë të tij. Dhe përvujtëria është burimi i paqes në botë dhe në Kishë. Aty ku nuk ka përvujtëri, ka luftë, ka mosmarrëveshje, ka përçarje. Hyji na e ka dhënë shembullin e kësaj në Jezusin e në Marinë, që të jetë shpëtimi dhe lumturia jonë. Përvujtëria është pikërisht rruga, rruga drejt shpëtimit. Faleminderit!

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme