23.5 C
Tirana
HomeKISHVeset dhe virtytet. Koprracia
HomeKISHVeset dhe virtytet. Koprracia

Veset dhe virtytet. Koprracia

Katekezë 5.

PAPA FRANÇESKU

AUDIENCË E PËRGJITHSHME

Vëllezër e motra, mirëdita!

Vazhdojmë katekezat mbi veset dhe virtytet dhe sot do të flasim për koprracinë, pra për atë formë të kapjes pas parasë që ia pengon njeriut bujarinë.

Nuk është mëkat që ka të bëjë vetëm me personat që kanë pasuri të mëdha, por një ves i tërthortë, që shpesh nuk ka të bëjë fare me gjendjen e llogarisë bankare. Është një sëmundje e zemrës, jo e portofolit.

Analizat që etërit e shkretëtirës kanë bërë mbi këtë të keqe mjerane nxorën në pah se si koprracia mund të sundonte edhe murgjit, të cilët, pasi kishin hequr dorë nga trashëgimi të mëdha, në vetminë e qelisë së tyre ishin lidhur me objekte që kishin pak vlerë: nuk i huazonin, nuk i bashkëndanin, aq më pak ishin të gatshëm që t’i dhuronin ato. Një kapje pas gjërave të vogla, që ta heq lirinë. Ato objekte bëheshin për ta një lloj fetishi, nga të cilat ishte e pamundur të shkëputeshin. Një lloj regresi në gjendjen e fëmijëve të cilët e shtrëngojnë lodrën duke përsëritur: “Është e imja! Është e imja!”. Në këtë rivendikim strehohet një marrëdhënie e sëmurë me realitetin, që mund të çojë në forma akaparimi të papërmbajtshme ose akumulimi patologjik.

Për t’u shëruar nga kjo sëmundje, murgjit propozonin një metodë drastike, por shumë vepruese: meditimi mbi vdekjen. Sado pasuri që një njeri grumbullon në këtë botë, për një gjë jemi katërçipërisht të sigurt: se ato nuk do të hyjnë në arkivol. Pasuritë nuk mund t’i marrim me vete! Këtu zbulohet pakuptimësia e këtij vesi. Lidhja sunduese që krijojmë me gjërat është vetëm e përfaqtë, sepse nuk jemi ne padronët e botës: kjo tokë që e duam, në të vërtetë, nuk është e jona dhe ne lëvizim në të si të huaj dhe shtegtarë (krh. Lev 25,23) .

Këto konsiderata të thjeshta na bëjnë të marrim me mend marrëzinë e koprracisë, por edhe arsyen më të fshehtë të saj. Ajo është një përpjekje për të ekzorcizuar [dëbuar] frikën e vdekjes: ajo kërkon siguri që në realitet shkërmoqen pikërisht në momentin kur i shtiem në dorë. Kujtoni shëmbëlltyrën e atij njeriu të marrë, arat e të cilit kishin prodhuar të korra tepër të bollshme e atëherë rrinte e ëndërronte në mendime se si t’i zgjerojë grunarët e tij për të futur aty të gjitha të korrat. Ai njeri kishte llogaritur gjithçka, kishte planifikuar të ardhmen. Mirëpo, ai nuk kishte marrë parasysh variablin më të sigurt të jetës: vdekjen. «I marrë! – thotë Ungjilli – Pikërisht sonte, në këtë natë, do të kërkohet shpirti yt prej teje, e ç’grumbullove kujt do t’i mbesë?» (Lk 12,20).

Në raste të tjera, janë hajdutët ata që e kryejnë këtë shërbim për ne. Edhe në Ungjij ata përmenden mjaft herë dhe, megjithëse veprimi i tyre është i dënueshëm, ai mund të bëhet një qortim i shëndetshëm. Ja çfarë thotë Jezusi në Fjalimin e malit: ​​«Mos grumbulloni për vete thesare mbi tokë, ku i brejnë tenja e ndryshku, ku vjedhësit birojnë muret e vjedhin! Mblidhni për vete visare në qiell, ku s’brejnë as tenja as ndryshku e ku vjedhësit nuk birojnë mure as nuk vjedhin» (Mt 6,19-20). Gjithnjë në tregimet e etërve të shkretëtirës rrëfehet ngjarja e ndonjë hajduti që zë në gjumë murgun dhe i vjedhë ato pak pasuri që mban në qeli. Kur zgjohet, pa u shqetësuar aspak nga ajo që ka ndodhur, murgu niset në gjurmët e hajdutit dhe, pasi e gjen atë, në vend që të kërkojë sendet e vjedhura, i jep ato pak gjëra të ngelura duke i thënë: “Ke harruar të marrësh këto!”.

Ne, vëllezër e motra, mund të jemi padronë të të mirave që zotërojmë, por shpesh ndodh e kundërta: janë ato që në fund na zotërojnë. Disa njerëz të pasur nuk janë më të lirë, nuk kanë më kohë as të pushojnë, duhet të shikojnë pas shpine sepse grumbullimi i të mirave kërkon edhe ruajtjen e tyre. Janë gjithnjë në ankth, sepse një pasuri krijohet me shumë djersë, por mund të zhduket për një çast. Ata harrojnë predikimin ungjillor, i cili nuk pohon se pasuritë në vetvete janë mëkat, por padyshim që janë përgjegjësi. Hyji nuk është i varfër: ai është Zoti i gjithçkaje, mirëpo – shkruan shën Pali –, «duke qenë i pasur, u bë për ju i varfër, që ju të bëheni të pasur me anë të varfërisë së tij» (2 Kor 8,9).

Koprraci nuk e kupton këtë gjë. Mund të ishte një motiv bekimi për shumë njerëz, por përkundrazi përfundon në qorrsokakun e pakënaqësisë. E jeta e koprracit është e shëmtuar. Më kujtohet rasti i një zotërie që kam njohur në dioqezën tjetër, një burrë shumë i pasur dhe nëna e tij ishte e sëmurë. Ai ishte i martuar. Vëllezërit kujdeseshin me radhë për nënën e vet dhe nëna e tyre merrte një kos për mëngjes. Ky zotëri i jepte asaj gjysmën në mëngjes dhe gjysmën tjetër pasdite, për të kursyer gjysmën e kosit. Kështu është koprracia, kështu është kapja pas të mirave. Më pas ky zotëri vdiq dhe komentet e njerëzve që shkuan në varim ishin këto: “Shihet se ky njeri nuk ka asgjë me vete, ka lënë gjithçka”. Dhe pastaj, duke u tallur pak, thoshin: “Jo, jo, nuk mund ta mbyllnin arkivolin sepse ai donte të merrte gjithçka me vete”. Koprracia i bën të tjerët të qeshin: sepse në fund duhet t’ia kthejmë trupin dhe shpirtin tonë Zotit dhe të lëmë gjithçka. Të kemi kujdes! Dhe të jemi bujarë, bujarë me të gjithë dhe bujarë me ata që kanë më shumë nevojë për ne. Faleminderit.

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme