12.5 C
Tirana
HomeKISHVeset dhe virtytet. Durimi
HomeKISHVeset dhe virtytet. Durimi

Veset dhe virtytet. Durimi

Katekezë.

PAPA FRANÇESKU

AUDIENCË E PËRGJITHSHME

Vëllezër e motra, mirëdita!

Të dielën e kaluar kemi dëgjuar tregimin e Mundimeve të Zotit. Jezusi u përgjigjet vuajtjeve që pëson me një virtyt, i cili, edhe pse nuk përfshihet ndër ato tradicionalët, është shumë i rëndësishëm: virtyti i durimit. Ka të bëjë me durimin e asaj nga e cila njeriu mundohet: jo rastësisht durimi [patientia] ka të njëjtën rrënjë me mundimin. Dhe pikërisht në Mundim shfaqet durimi i Krishtit, i cili me një zemër të shtruar e të butë pranon të arrestohet, të goditet e të dënohet padrejtësisht; para Pilatit ai nuk qahet; duron fyerjet, të pështymat dhe frushkullimet e ushtarëve; mban peshën e kryqit; i fal ata që e gozhdojnë në dru dhe mbi kryq nuk u përgjigjet provokimeve, por ofron mëshirë. Ky është durimi i Jezusit. E gjithë kjo na thotë se durimi i Jezusit nuk qëndron në një rezistencë stoike ndaj vuajtjes, por është fryti i një dashurie më të madhe.

Pali apostull, në të ashtuquajturin “Himni i dashurisë” (khs. 1 Kor 13,4-7), lidh ngushtësisht dashurinë dhe durimin. Njëmend, në përshkrimin e cilësisë së parë të dashurisë, ai përdor një fjalë që përkthehet si “zemërgjerësi”, “e durueshme”. Dashuria është zemërgjerë, është e durueshme. Ajo shpreh një koncept mahnitës, i cili gjendet shpesh në Bibël: Hyji, përballë pabesisë sonë, tregohet “i ngadalshëm në zemërim” (khs Dal 34,6; khs Nr 14,18): në vend që të shfryjë neverinë e tij për të keqen dhe mëkatin e njeriut, tregohet më i madh, i gatshëm çdo herë për të filluar nga e para me durim të pafund. Për Palin, kjo gjë është tipari i parë i dashurisë së Hyjit, i cili ofron faljen përballë mëkatit. Por jo vetëm kaq: është tipari i parë i çdo dashurie të madhe, që di t’i përgjigjet të keqes me të mirën, e cila nuk mbyllet në zemërim dhe shkurajim, por ngulmon dhe rinis. Durimi që fillon sërish. Prandaj, në rrënjë të durimit qëndron dashuria, sikurse thotë shën Augustini: “Sa më e madhe është dashuria e Hyjit një njeriun, aq më i fortë është ai për të përballuar çdo të keqe” (De patientia, XVII).

Mund të themi, atëherë, se nuk ka dëshmi më të mirë të dashurisë së Jezusit sesa të takosh një të krishterë të durueshëm. Por le të mendojmë edhe për sa nëna e baballarë, punëtorë, mjekë e infermierë, të sëmurë që çdo ditë, në fshehtësinë e tyre, zbukurojnë botën me durimin e shenjtë! Siç thotë Shkrimi, “Më i mirë është njeriu i durueshëm se trimi i fortë” (Fu 16,32). Megjithatë, duhet të jemi të sinqertë: shpeshherë na mungon durimi. Në jetën e përditshme jemi të padurueshëm, të gjithë. Kemi nevojë për të si për një “vitaminë jetike” për të ecur përpara, por neve na vjen instinktivisht të bëhemi të padurueshëm dhe t’i përgjigjemi të keqes me të keqen: është e vështirë të qëndrojmë të qetë, ta kontrollojmë instinktin, t’i frenojmë përgjigjet e këqija, të zbutim debatet dhe konfliktet në familje, në punë ose në bashkësinë e krishterë. Përgjigja na vjen menjëherë, nuk jemi të zotët të jemi të durueshëm.

Mirëpo, duhet të kujtojmë se durimi nuk është thjesht një nevojë, është një thirrje: nëse Krishti është i durueshëm, i krishteri është i thirrur të jetë i durueshëm. Dhe kjo gjë kërkon që ne të shkojmë kundër rrymës së mentalitetit të përhapur sot, në të cilin sundon nxitimi dhe kërkesa “gjithçka menjëherë”; ku, në vend që të presim që situatat të piqen, shtrydhim njerëzit, duke pretenduar që ato të ndryshojnë në çast. Të mos harrojmë se nxitimi dhe padurimi janë armiq të jetës shpirtërore. Pse? Hyji është dashuri, dhe ai që do, nuk lodhet, nuk është hidhërak, nuk jep ultimatume, Hyji është i durueshëm, Hyji di të presë. Le të mendojmë për tregimin e Atit të mëshirshëm, i cili e pret djalin e tij që është larguar nga shtëpia: ai vuan me durim, është i paduruar vetëm që ta përqafojë atë sapo e sheh duke u kthyer (khs. Lk 15,21); ose le të mendojmë për shëmbëlltyrën e grurit dhe egjrës, me Zotin që nuk nxiton për ta çrrënjosur të keqen para kohës, në mënyrë që asgjë të mos humbasë (khs. Mt 13,29-30). Durimi na bën që të shpëtojmë gjithçka.

Por, vëllezër e motra, si mund ta rrisim durimin? Duke qenë, siç mëson shën Pali, një fryt i Shpirtit Shenjt (khs Gal 5,22); duhet t’ia kërkojmë pikërisht Shpirtit të Krishtit. Ai na jep forcën e butë të durimit – durimi është një forcë e butë – sepse “është karakteristikë e virtytit të krishterë jo vetëm të bësh të mirën, por edhe të dish të durosh të keqen” (shën Augustini, Discorsi, 46,13). Sidomos në këto ditë, do të na bëjë mirë të sodisim të Kryqëzuarin për të përvetësuar durimin e tij. Një ushtrim i mirë është edhe ai i afrimit të njerëzve më të bezdisshëm tek Ai, duke kërkuar hirin për ta vënë në praktikë ndaj tyre atë vepër mëshirë aq të njohur sa edhe të shpërfillur: të bartësh me duresë njerëzit e bezdisshëm. Dhe nuk është e lehtë. Le të mendojmë nëse e bëjmë këtë gjë: të bartim me duresë njerëzit e bezdisshëm. Fillohet duke u përpjekur për t’i parë me dhembshuri, me shikimin e Hyjit, duke ditur të dallojmë fytyrat e tyre nga gabimet e tyre. Ne kemi zakon që t’i katalogojmë njerëzit sipas gabimeve që ata bëjnë. Jo, kjo nuk është gjë e mirë. Ne i kërkojmë njerëzit për fytyrat e tyre, për zemrat e tyre dhe jo për gabimet e tyre!

Së fundi, për të kultivuar durimin, një virtyt që i jep jetës ​​frymëmarrje, është mirë të zgjerosh shikimin. Për shembull, duke mos e ngushtuar fushën e botës vetëm në hallet vetjake, siç na fton De imitatione Christi: «Prandaj është e nevojshme të kujtosh vuajtjet më të rënda të të tjerëve, që të mësosh të durosh të tuat, të vogla», duke kujtuar se «nuk ka asgjë, sado e vogël qoftë, që nëse durohet për dashuri të Hyjit të ngelet pa shpërblim te Hyji» (III, 19). Dhe përsëri, kur gjendemi në ngushticën e sprovës, siç mëson Jobi, është mirë të hapemi me shpresë ndaj risive të Hyjit, me besimin e patundur se Ai nuk do t’i zhgënjejë pritshmëritë tona. Durim është të dish të bartësh të këqijat.

Dhe këtu sot, në këtë audiencë, janë dy persona, dy baballarë: një izraelit dhe një arab. Të dy kanë humbur vajzat e tyre në këtë luftë dhe të dy janë miq. Ata nuk shohin armiqësinë e luftës, por shikojnë miqësinë e dy burrave që ia duan të mirën njëri-tjetrit dhe që kanë kaluar  përmes të njëjtit kryq. Të mendojmë për këtë dëshmi kaq të bukur të këtyre dy personave që vuajtën në vajzat e tyre luftën e Tokës së Shenjtë. Të dashur vëllezër, faleminderit për dëshminë tuaj!

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme