10.5 C
Tirana
HomeKISHVeset dhe virtytet. Drejtësia
HomeKISHVeset dhe virtytet. Drejtësia

Veset dhe virtytet. Drejtësia

Katekezë 13.

PAPA FRANÇESKU

AUDIENCË E PËRGJITHSHME

Të dashur vëllezër dhe motra, Gëzuar Pashkët, mirëmëngjesi!

Ja, jemi tek i dyti i virtyteve kardinale: sot do të flasim për drejtësinë. Është virtyti shoqëror më i shquar. Katekizmi i Kishës Katolike e përkufizon si më poshtë: «Drejtësia është virtyti moral që ka të bëjë me vullnetin e pandryshueshëm dhe të vendosur për t’i dhënë Hyjit dhe të afërmit atë që u përket atyre» (n. 1807). Kjo është drejtësia. Shpesh, kur përmendet drejtësia, citohet edhe motoja që e përfaqëson: “unicuique suum” pra “secilit të veten”. Është virtyti i së drejtës, i cili kërkon të rregullojë marrëdhëniet midis njerëzve me paanshmëri.

Përfaqësohet në mënyrë alegorike nga peshorja, sepse synon të “barazojë llogaritë” mes njerëzve, sidomos kur rrezikojnë të shtrembërohen nga ndonjë çekuilibër. Qëllimi i drejtësisë është që, në një shoqëri, të gjithë të trajtohen sipas dinjitetit të vet. Por mësuesit e moçëm mësonin tashmë se për këtë gjë nevojiten edhe qëndrime të tjera të virtytshme, si dashamirësia, respekti, mirënjohja, përzemërsia, ndershmëria: virtyte që kontribuojnë në bashkëjetesën e mirë të njerëzve. Drejtësia është një virtyt për bashkëjetesën e mirë të njerëzve.

Të gjithë e kuptojmë se si drejtësia është themelore për bashkëjetesën paqësore në shoqëri: një botë pa ligje që respektojnë të drejtat do të ishte një botë në të cilën është e pamundur të jetohet, do t’i ngjante një xhungle. Pa drejtësi nuk ka paqe. Pa drejtësi nuk ka paqe. Njëmend, nëse nuk respektohet drejtësia, lindin konflikte. Pa drejtësi, vendoset ligji i abuzimit prej anës së të fortit ndaj të dobëtit dhe kjo nuk është e drejtë.

Por drejtësia është një virtyt që vepron si në gjëra të mëdha ashtu edhe në të vogla: nuk ka të bëjë vetëm me sallat e gjyqit, por edhe me etikën që e shënon jetën tonë të përditshme. Krijon marrëdhënie të sinqerta me të tjerët: realizon urdhërimin e Ungjillit, sipas të cilit të folurit e krishterë duhet të jetë: «“Po, po”, “jo, jo”! Çkado që është më tepër se kaq, vjen prej Qoftëlargut» (Mt 5,37). Gjysmë të vërtetat, fjalimet e stërholluara që duan t’ia marrin mendtë të afërmit, retiçencat që fshehin qëllimet e vërteta, nuk janë qëndrime në përputhje me drejtësinë. Njeriu i drejtë është i ndershëm, i thjeshtë dhe i sinqertë, nuk mban maska, paraqitet për atë që është, ka një të folur me vërtetësi. Fjala “faleminderit” gjendet shpesh në buzët e tij: ai e di se, sado bujarë që përpiqemi të jemi, mbetemi gjithmonë borxhli ndaj të afërmit. Nëse duam, është sepse edhe ne kemi qenë dashur më parë.

Në traditë mund te gjenden përshkrime të panumërta të njeriut të drejtë. Le të shohim disa prej tyre. Njeriu i drejtë ka nderim për ligjet dhe i respekton ato, duke e ditur se ato përbëjnë një barrierë që mbron të pambrojturit nga arroganca e të fuqishmëve. Njeriu i drejtë nuk kujdeset vetëm për mirëqenien e tij individuale, por dëshiron të mirën e të gjithë shoqërisë. Prandaj ai nuk i dorëzohet tundimit që të mendojë vetëm për veten dhe të kujdeset për punët e veta, sado të ligjshme, sikur të ishin e vetmja gjë që ekziston në botë. Virtyti i drejtësisë e bën të qartë – dhe vendos në zemër nevojën – se nuk mund të ketë një të mirë të vërtetë për mua nëse nuk është edhe e mira e të gjithëve.

Kësisoj, njeriu i drejtë vigjilon mbi sjelljen e vet që të mos jetë e dëmshme ndaj të tjerëve: nëse gabon, kërkon falje. Njeriu i drejtë kërkon gjithmonë falje. Në disa situata ai madje sakrifikon një të mirë personale për ta vënë atë në dispozicion të komunitetit. Ai dëshiron një shoqëri të rregullt, ku janë njerëzit ata që u japin lavdi detyrave dhe jo detyrat njerëzve. Ai s’i duron ndërhyrjet me mik, e nuk bën tregti favoresh. E do përgjegjësinë dhe është shembullor në jetën e në promovimin e ligjshmërisë. Njëmend, ajo është rruga e drejtësisë, antidoti i korrupsionit: sa e rëndësishme është që njerëzit, veçanërisht të rinjtë, të edukohen me kulturën e ligjshmërisë! Është mënyra për të parandaluar kancerin e korrupsionit dhe për të çrrënjosur kriminalitetin, duke i ia hequr dheun nën këmbë.

Për më tepër, i drejti shmang sjelljet e dëmshme si shpifja, dëshmia e rreme, mashtrimi, kamata, tallja dhe pandershmëria. I drejti e mban fjalën e dhënë, kthen atë që ka marrë hua, ua jep rrogën e duhur të gjithë punëtorëve –  një njeri që nuk jep rrogën e duhur për punëtorët nuk është i drejtë, është i padrejtë –, është i kujdesshëm që të mos japë gjykime të pamatura ndaj të afërmit, mbron famën dhe emrin e mirë të të tjerëve.

Askush prej nesh nuk e di nëse në botën tonë njerëzit e drejtë janë të shumtë apo aq të rrallë sa perlat e çmuara. Porse janë njerëz që tërheqin hirin dhe bekimet si mbi veten e tyre ashtu edhe mbi botën në të cilën jetojnë. Nuk janë dështakë në krahasim me ata që janë “dinakë e finokë”, sepse, siç thotë Shkrimi, «Kush ndjek drejtësinë e mëshirën, do të gjejë drejtësi, jetë e nder» (Fu 21,21). Të drejtët nuk janë moralistë që marrin rolin e censuristëve, por njerëz të drejtë që «kanë uri e etje për drejtësi» (Mt 5,6), ëndërrimtarë që mbajnë në zemrat e tyre dëshirën për vëllazëri universale. Për këtë ëndërr, sidomos sot, të gjithë kemi një nevojë të madhe. Kemi nevojë që të jemi njerëz, burra e gra, të drejtë, e kjo gjë do të na bëjë të lumtur.

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme