20.5 C
Tirana
HomeKryesorVeset dhe virtytet – Dashuria
HomeKryesorVeset dhe virtytet – Dashuria

Veset dhe virtytet – Dashuria

Katekezë 19.

PAPA FRANÇESKU

AUDIENCË E PËRGJITHSHME

Të dashur vëllezër e motra, mirëdita!

Sot do të flasim për virtytin e tretë teologal, dashuria. Dy të tjerët, kujtojmë, ishin feja dhe shpresa: sot do të flasim për të tretin, për dashurinë. Është kulmi i krejt itinerarit që kemi bërë me katekezat mbi virtytet. Të mendosh për dashurinë e zgjeron menjëherë zemrën, zgjeron mendjen, të bën të vraposh drejt fjalëve të frymëzuara të shën Palit në Letrën e Parë drejtuar Korintianëve. Duke e përmbyllur atë himn të mrekullueshëm, shën Pali citon treshen e virtyteve teologale dhe brohoret: «Tani, veç, mbetet feja, shpresa e dashuria ‑ këto të tria ‑ porse më e madhja ndër to është dashuria» (1 Kor 13,13).

Pali ia drejton këto fjalë një bashkësie që ishte larg të qenit e përsosur në dashurinë vëllazërore: të krishterët e Korintit ishin mjaft grindavecë, kishte përçarje të brendshme, kishte prej atyre që pretendonin se kishin gjithmonë të drejtë dhe nuk i dëgjonin të tjerët, duke i çmuar inferiorë. Pali u kujton këtyre se dija fryn, ndërsa dashuria ndërton (krh. 1 Kor 8,1). Më pas Apostulli ndalet te një skandal që prek madje edhe momentin e bashkimit më të epërm të një bashkësie të krishterë, pra “Darkën e Zotit”, kremtimin eukaristik: edhe aty ka përçarje dhe ka nga ata që përfitojnë prej kremtimit për të ngrënë e pirë duke përjashtuar ata që nuk kanë asgjë (krh. 1 Kor 11,18-22). Përballë këtij fakti, Pali jep një gjykim të qartë: «Kur ju, pra, mblidheni së bashku kështu, kjo gjë nuk do të thotë se hani Darkën e Zotit» (rr. 20), ju keni një ritual tjetër, që është pagan, nuk është Darka e Zotit.

Kush e di, ndoshta në bashkësinë e Korintit askush nuk mendonte se kishte bërë mëkat dhe ato fjalë të ashpra të Apostullit u dukeshin paksa të pakuptueshme. Me gjasë, të gjithë ishin të bindur se ishin njerëz të mirë dhe nëse do të pyeteshin mbi dashurinë, do të përgjigjeshin se dashuria është padyshim një vlerë shumë e rëndësishme për ta, ashtu si miqësia dhe familja. Edhe në ditët e sotme dashuria është në buzët e të gjithëve, është në buzët e shumë “influencer-ave” dhe në refrenet e shumë këngëve. Flitet shumë për dashurinë, por çfarë është dashuria?

“Po dashuria tjetër?”, duket se i pyet Pali të krishterët e tij në Korint. Jo dashuria që ngrihet, por dashuria që zbret; jo ajo që merr, por ajo që jep; jo ajo që duket, por ajo që fshihet. Pali është i shqetësuar se në Korint – sikurse edhe sot mes nesh – ka konfuzion dhe se nga virtyti teologal i dashurisë, i atij që vjen vetëm prej Hyjit, në realitet nuk ka gjurmë ndër ta. Dhe nëse me fjalë të gjithë garantojnë se janë njerëz të mirë, se e duan familjen dhe miqtë e tyre, në të vërtetë ata marrin shumë pak vesh nga dashuria e Hyjit.

Të krishterët e lashtë përdornin disa fjalë greke për të përcaktuar dashurinë. Në fund, u shfaq fjala “agape”, të cilën ne e përkthejmë normalisht me fjalën “dashuri”. Sepse, në të vërtetë, të krishterët janë të aftë për të gjitha dashuritë në botë: edhe ata bien në dashuri, pak a shumë sikurse ndodh me të gjithë. Edhe ata përjetojnë dashamirësinë që gjendet te miqësia. Edhe ata jetojnë dashurinë për atdheun dhe dashurinë universale për mbarë njerëzimin. Por ka një dashuri më të madhe, një dashuri që vjen prej Hyjit dhe drejtohet kah Hyji, e cila na aftëson që ta duam Hyjin, që të bëhemi miqtë e tij, na aftëson që ta duam të afërmin tonë ashtu siç e do Hyji, me dëshirën për të bashkëndarë miqësinë me Hyjin. Kjo dashuri, për shkak të Krishtit, na shtyn atje ku njerëzisht nuk do të shkonim: është dashuri për të varfrin, për atë gjë që s’është e dashur, për ata që nuk na duan dhe nuk janë mirënjohës. Është dashuri për atë që askush nuk do ta donte: edhe për armikun. Edhe për armikun. Kjo është “teologale”, kjo vjen prej Hyjit, është vepra e Shpirtit Shenjt në ne.

Jezusi, në Fjalimin e malit, predikon: «Nëse i doni vetëm ata që ju duan, çfarë merite të veçantë pritni? Sepse edhe mëkatarët i duan dashamirët e vet. Edhe nëse, [pra] u bëni mirë vetëm atyre që ju bëjnë mirë, çfarë merite të veçantë pritni? Aq bëjnë edhe mëkatarët» (Lk 6,32-33). Dhe përfundon: “Por ju duajini armiqtë tuaj – ne jemi mësuar të flasim keq për armiqtë –, bëni mirë e huazoni pa pritur se do t’ju kthejnë gjë. Kështu do të jetë i madh shpërblimi juaj dhe do të jeni bijtë e të Tejetlartit Zot, sepse ai ua do të mirën edhe mosmirënjohësve e të këqijve» (rr. 35). Le ta kujtojmë këtë: “Duajini armiqtë tuaj, bëjuni mirë dhe huazojuni pa pritur asgjë». Të mos e harrojmë këtë!

Në këto fjalë, dashuria zbulohet si virtyt teologal dhe merr cilësinë e dashurisë hyjnore. Kjo dashuri është hyjnore. E kuptojmë menjëherë se është një dashuri e vështirë, madje e pamundur për t’u praktikuar nëse nuk jetojmë në Hyjin. Natyra jonë njerëzore na bën ta duam spontanisht atë që është e mirë dhe e bukur. Në emër të një ideali apo të një afekti të madh ne mund të jemi edhe bujarë dhe të kryejmë akte heroike. Por dashuria e Hyjit shkon përtej këtyre kritereve. Dashuria e krishterë përqafon atë gjë që s’është e dashur, ofron faljen – sa e vështirë është të falësh! Sa shumë dashuri duhet për të falur! –, dashuria e krishterë i bekon ata që mallkojnë, ndërsa ne jemi mësuar që, përballë një fyerjeje ose një mallkimi, të përgjigjemi me një tjetër fyerje, me një mallkim tjetër. Është një dashuri aq e guximshme sa duket pothuajse e pamundur, e prapëseprapë është e vetmja gjë që do të mbetet nga ne. Dashuria hyjnore është “dera e ngushtë” nëpër të cilën duhet të kalojmë për të hyrë në Mbretërinë e Hyjit. Sepse në mbrëmjen e jetës nuk do të gjykohemi mbi dashurinë e përgjithshme, por do të gjykohemi pikërisht mbi dashurinë hyjnore, mbi dashurinë që kemi treguar konkretisht. Dhe Jezusi na e thotë këtë gjë kaq bukur: «Për të vërtetë po ju them: çkado bëtë për njërin ndër këta vëllezërit e mi më të vegjël, e bëtë për mua» (Mt 25,40). Kjo është e bukura, gjëja madhështore e dashurisë. Jepini përpara dhe guxim!

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme