9.5 C
Tirana
HomeKryesorSelia e Shenjtë. Sinodi «jo vetëm» i Ipeshkvijve: edhe gratë do të...
KryesorSelia e Shenjtë. Sinodi «jo vetëm» i Ipeshkvijve: edhe gratë do të...

Selia e Shenjtë. Sinodi «jo vetëm» i Ipeshkvijve: edhe gratë do të kenë të drejtën e votës

Asambleja e ardhshme e Sinodit të Ipeshkvijve, megjithëse duke ruajtur «natyrën episkopale», do të shohë pjesëmarrjen si anëtarë me të drejtë vote të paktën të 21% të rregulltarëve dhe të kushtuarave, laikë dhe laike, gjysma e të cilëve duhet të jenë gra. Njoftimi u bë sot me një komunikatë për shtyp nga Sekretariati i Përgjithshëm i Sinodit, i cili u pasua nga një konferencë e shkurtër nga kardinalët Mario Grech, sekretar i përgjithshëm dhe Jean-Claude Hollerich, relator i përgjithshëm i kësaj Asambleje të Përgjithshme të XVI që do të mbahet – mbi temën e sinodalitetit – në Romë ndërmjet 4 dhe 29 tetorit në seksionin e parë dhe në të dytin në 2024.

Njoftimi për shtyp specifikon se Papa Françesku, 17 prillin e kaluar – data në të cilën ai priti dy kardinalët dhe At’ Giacomo Costa në audiencë – miratoi «zgjerimin e pjesëmarrjes në Asamblenë sinodale edhe për “jo ipeshkvijtë” (presbiterë, diakonë, të kushtuar e të kushtuara, laikë dhe laike)». Një zgjedhje, shpjegohet aty, e cila «është në vazhdimësi me përvetësimin progresiv të dimensionit sinodal konstituiv të Kishës dhe me kuptimin rrjedhimor të institucioneve nëpërmjet të cilave ushtrohet». Deri më tani, normat e përcaktuara në Kodin e së Drejtës Kanonike ishin të prera ndërsa përcaktonin se në Asamblenë e Sinodit të Ipeshkvijve vetëm ipeshkvijtë, të zgjedhur ose të emëruar nga Papa, do të konsideroheshin anëtarë, bashkë me “disa”, dhjetë, rregulltarë klerikë. Ndërsa tani do të ketë një numër të konsiderueshëm votuesish “jo ipeshkvij”, sidoqoftë më pak se 25% e totalit prej rreth 370 anëtarësh të parashikuar. Gjithsesi, që me Kushtetutën Apostolike Episcopalis Communio të vitit 2018, përcaktohej se «sipas temës dhe rrethanave, në Asamblenë e Sinodit mund të thirren edhe disa të tjerë, të cilët nuk e kanë munus-in ipeshkvor, roli i të cilëve përcaktohet sipas rastit nga Papa». Nga ana tjetër, me shpalljen, më 5 qershor 2022, të Kushtetutës Apostolike Praedicate Evangelium, “Sekretariati i Përgjithshëm i Sinodit të Ipeshkvijve” u bë “Sekretariati i Përgjithshëm i Sinodit”.

Konkretisht, dispozitat e reja parashikojnë që dhjetë klerikë rregulltarë të parashikuar në të kaluarën të zëvendësohen me pesë rregulltare dhe pesë rregulltarë të zgjedhur, përkatësisht, nga Usmi [Unione Superiore Maggiori d’Italia -Unioni i Eprorëve Madhor të Italisë] dhe Uisg [Unione Internazionale delle Superiore Generali – Unioni Ndërkombëtar i Eprorëve të Përgjithshëm]. Në vend të auditorëve, të cilët nuk kishin të drejtë vote, do të jetë 70 anëtarë jo-ipeshkvij, të cilët do të zgjidhen nga Papa nga një listë prej 140 personash të identifikuar (dhe jo të zgjedhur) nga shtatë Mbledhjet Ndërkombëtare të Episkopateve (CCEE për Evropën, CELAM për Amerikën Latine, USCCB me CCCB për Amerikën e Veriut, SECAM për Afrikën, FABC për Azinë, FCBCO për Oqeaninë, Asambleja e Patriarkëve të Kishave Lindore). «Kërkohet – saktëson njoftimi – që 50% e tyre të jenë gra dhe të vlerësohet edhe prania e të rinjve». Më tej, në identifikimin e tyre, do të jetë e nevojshme të merren parasysh «jo vetëm kultura e tyre të përgjithshme dhe maturia, por edhe njohuria e tyre teorike dhe praktike, krahas pjesëmarrjes së tyre në role të ndryshme në procesin sinodal». Përveç këtyre 70-tëve, padyshim që mund të ketë edhe “jo-ipeshkvij” në kuotën e anëtarëve të emëruar drejtpërdrejt nga Papa.

Të gjitha zgjedhjet duhet të ratifikohen nga Papa dhe – siç ka qenë edhe në të kaluarën – derisa të ketë konfirmimin e tij, emrat e të zgjedhurve nuk mund të bëhen të ditur. Më tej, për herë të parë në Sinod, do të jenë edhe figurat e «lehtësuesve». Një zgjedhje, shpjegoi Grech, e lindur nga përvoja e grupeve të studimit, «që na tregoi se këta ekspertë mund të krijojnë një dinamikë që mund të japë fryte». Nga ana e tij, Hollerich nënvizoi se, për herë të parë, në Asamble do të përfaqësohen me një delegat të zgjedhur prej tyre edhe vendet që nuk kanë një Konferencë ipeshkvore, si Luksemburgu, Monako, Estonia apo Moldavia.

Në njoftimin për shtyp nga Sekretariati i Sinodit nënvizohet se emërimi i 70 “jo-ipeshkvijve” «përforcon soliditetin e procesit në tërësi, duke përfshirë në Asamble kujtimin e gjallë të fazës përgatitore, nëpërmjet pranisë së disa prej atyre që ishin protagonistë në të, duke rivendosur kështu imazhin e një Kishe-Popull i Hyjit, të bazuar në marrëdhënien konstituive midis meshtarisë së përbashkët dhe meshtarisë mbarështuese, dhe duke i dhënë dukshmëri marrëdhënies rrethore midis funksionit profetik të Popullit të Hyjit dhe atij shoshitës të Barinjve».

BurimiAvvenire
spot_img

Te fundit

spot_img