10.5 C
Tirana
HomeEditorialROBERT SCHUMAN: BESIMTARI DHE SHTETARI (Në 60-vjetorin e vdekjes)
HomeEditorialROBERT SCHUMAN: BESIMTARI DHE SHTETARI (Në 60-vjetorin e vdekjes)

ROBERT SCHUMAN: BESIMTARI DHE SHTETARI (Në 60-vjetorin e vdekjes)

Dom Gjergj META

“Pa pretenduar të japë një recetë të pagabueshme për problemet në rrafshin praktik – ku zgjedhjen e dikton volia – e kemi thënë duke folur për formën e shtetit dhe të institucioneve të tij – Kisha ka për merak mbrojtjen e interesave të mëdha të qënies njerëzore: lirinë, dinjitetin, lulëzimin e tij. Ajo i kundërvihet gjithçkaje që mund t’u bëhet pengesë. Ajo u kundërvihet kështu të gjitha regjimeve totalitare, qofshin të djathta a të majta”. Këto janë fjalë të cituara nga e vetmja vepër e shtetarit francez, Ministrit të Jashtëm të Francës, Robert Schuman-it, një ndër etërit e Evropës moderne, i cili këtë vit, më 4 shtator 2023, ka 60-vjetorin e vdekjes së tij.  

Do të ishte pa interes çfarëdo përkujtimi vdekjeje apo datëlindjeje, nëse ai kremtim nuk do t’i thoshte diçka aktualitetit, nëse nuk do t’i prekte sadopak mendimet apo ndjenjat e njeriut të sotshëm, apo nëse vepra e tij nuk do të ishte ende e vlefshme në ditët tona. Në këtë rast, interesi është i madh. Schuman vazhdon të mbetet i rëndësishëm edhe sot, gjashtëdhjetë vite pas vdekjes së tij, ndonëse në formësimin e idesë së Evropës dhe në ndërtimin e kësaj ideje, shumë gjëra kanë ndryshuar që nga ajo kohë.

Jo pa qëllim citova diçka nga njëri prej kapitujve të librit të tij “Në emër të Evropës”, i botuar në shqip në vitin 2016. Në fakt, Schuman nuk ishte vetëm një shtetar, por edhe një njeri i ditur dhe një besimtar katolik i devotshëm, që njihte mirë mendimtarët si Jacque Maritain apo Henry Bergson, të cilët i citon vazhdimisht në shkrimet e tij, si dhe historinë e Kishës. Ai kishte një lidhje të fortë me kishën dhe krishtërimin. Ishte një besimtar realist e aspak spiritualist apo devocionalist.

Në atë kapitull të librit, ai merret me lidhjen që ka krishtërimi me demokracinë dhe e shikon të parin si themel të së dytës, me gjithë ndeshtrashat që kanë kaluar si demokracia ashtu edhe krishtërimi. Schuman është edhe një ithtar i revolucionit francez, pavarësisht se nuk i ndan metodat me të cilat ky revolucion bëri kalimin midis ancient regime dhe një kohe të re, ku individi apo subjekti mendues sipas Dekartit e Kantit, më në fund shikon tokën e mohuar të një mendimi metafizik të pamundur për njeriun.

Megjithëkëtë, Schuman mbetet një njeri praktik dhe e ka të qartë kufirin midis kishës dhe shtetit, midis religjionit dhe demokracisë. Nuk i kundërvë ata, por i pranëvë. Ai është i bindur se revolucioni demokratik i ka rrënjët te krishtërimi, domethënë te ligji i dashurisë dhe i mëshirës, që ishte një revolucion i Ungjillit në botën perëndimore, por gjithashtu ai është i idesë se “vërtet gjejmë gjurmë të thella të idesë së krishterë në jetën politike bashkëkohore, [por] krishtërimi nuk është dhe nuk duhet të jetë i bashkëngjitur me ndonjë regjim politik, nuk mund të njësohet me asnjë lloj forme qeverisëse, qoftë edhe demokratike. Në këtë pikë si në shumë të tjera duhet ndarë pjesa e Çezarit nga ajo e Zotit”.   

Si një i krishterë praktikant në politikë, Schuman e ka të qartë gjithashtu se teokracia, në çfarëdolloj forme, është një devijim, pasi ajo “nuk pranon parimin e ndarjes së dy fushave. Ajo i vesh idesë fetare papërgjegjshmëri që nuk janë të sajat. Nën një regjim të tillë divergjencat e natyrës politike rrezikojnë të degjenerojnë në fanatizma fetarë; lufta e shenjtë është shprehja më e frikshme e një shfrytëzimi gjakësor të ndjenjës fetare”.

Aktualisht, në dyert e Evropës po bëhet një luftë, nuancat e së cilës janë të shumëllojshme e faktorët ideologjikë janë edhe të natyrës fetare, pavarësisht se midis të krishterësh. Faktorët janë përzier e kjo është një e keqe më e madhe sesa vetë lufta dhe e përkeqëson atë duke e egërsuar edhe më shumë. Është arritur deri aty sa të flitet për një themel metafizik të luftës.

Në faqet e veprës së Schuman-it, gjejmë edhe një vlerësim shumë real për Selinë e Shenjtë. “Selia e shenjtë, me pavarësinë e vet, me paanësinë e vet po aq pa interes dhe me politikën e vet aq njerëzore e aq të ndjeshme ndaj të gjitha fatkeqësive e ndaj të gjitha rreziqeve që kërcënojnë popujt, cilado qoftë bindja e tyre, është bërë këshilltari më i dëgjuar dhe më i informuari”. Ja edhe një mënyrë leximi e vlefshme për atë që po bën sot Papa Françesku me magjisterin e tij, me marrëdhëniet dhe qëndrimet e tij për luftën në Ukrainë. Ati i Shenjtë nuk ka reshtur asnjë ditë së kërkuari paqen e së ndërmjetësuari për të me fjalët e tij dhe me njerëzit e tij. Po ashtu, Papa trajton edhe shumë tema të tjera që prekin njerëzimin si: varfëria, drejtësia sociale, përjashtimi social, valët migruese drejt perëndimit, ekosistemi etj., që e rrezikojnë rendin shoqëror duke e bërë shoqërinë njerëzore të pajetueshme.

Si atë i Evropës, nismëtar i kontratës së qymyrit dhe çelikut midis Francës dhe Gjermanisë bashkë me Monnet-in, Schuman e ka shqetësim të tij të vazhdueshëm Evropën dhe duket se ajo ka qenë vokacioni i tij si politikan. Më 9 maj të vitit 1950, Schuman, asokohe Ministër i Jashtëm i Francës, shpalli deklaratën nismëtare të Evropës, e cila është e njohur si deklaratë dhe duke parë erërat e luftës dhe luftërave që po ndodhin e që mund të ndodhin në të ardhmen e afërt, ia vlen që në fund të këtij shkrimi të sjellim një fragment të bukur të asaj deklarate: “Paqja botërore nuk mund të mbrohet pa përpjekje krijuese me të njëjtat përmasa sa janë edhe rreziqet që e kërcënojnë. Ndihmesa që një Evropë e organizuar dhe e gjallë mund të japë për qytetërimin është e domosdoshme në ruajtjen e marrëdhënieve paqësore.”

Çfarë ka për detyrë të promovojë sot Evropa, më shumë sesa paqen, duke financuar më shumë në jetët e njerëzve, në zhvillimin e shoqërisë, sesa në rritjen e prodhimit të armëve dhe në shpikjen e tyre?! Evropa ka për detyrë të ngrihet në lartësinë e detyrës që i lanë testament etërit e saj kur nisën ta krijonin, domethënë promovimin e paqes dhe të mirëqenies për të gjithë popujt evropianë dhe jo vetëm.

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme