Duke parë vitin e kaluar, këto duhet të jenë ndjenjat tona parësore

Fundi i një viti tjetër kalendarik mund të ngjallë një sërë ndjenjash kur bëhet fjalë për të kujtuar ngjarjet e shumta të dymbëdhjetë muajve të fundit. Mund të pendohemi për mundësitë e humbura, dhe në të njëjtën kohë të shpresojmë për një fillim të ri.

Udhëzuesi i Vatikanit mbi Devotshmërinë Popullore dhe Liturgjinë na paraqet dy ndjenja që duhet të përjetojmë në fund të vitit:

«Nga devotshmëria popullore na vijnë disa ushtrime të përshpirtshme që karakterizojnë 31 dhjetorin. Në shumicën e vendeve perëndimore, fundi i vitit kalendarik festohet në këtë ditë. Përvjetori i shtyn besimtarët të reflektojnë mbi “misterin e kohës” që vrapon shpejt dhe në mënyrë të pashmangshme. Kjo ngjall në shpirtin e tyre një ndjenjë të dyfishtë: pendimi dhe keqardhjeje për gabimet e bëra dhe për rastet e hirit të humbura gjatë vitit që i afrohet fundit; mirënjohje për të mirat e marra nga Hyji».

Si qenie njerëzore, të gjithë ne bëjmë gabime dhe shprehja e dhimbjes që përjetojmë është pjesë e përvojës sonë me mëshirën e Hyjit. Kur përjetojmë këtë trishtim dhe kërkojmë faljen e Hyjit, ne njohim vartësinë tonë ndaj Tij, duke ditur se Ai është i gatshëm për të na rrokur mes krahëve të Tij atërorë.

Megjithëse kujtimi i dështimeve tona është një ushtrim i mirë, ne nuk duhet të shpenzojmë shumë energji duke menduar për to. Duhet ta përfundojmë meditimin tonë duke falënderuar Hyjin për bekimet e shumta që Ai na ka dhuruar. Sado e errët të duket jeta jonë, Hyji na ka dhënë bekime dhe hire të panumërta gjatë vitit të kaluar. Ne thjesht duhet t’i njohim këto momente, duke i kërkuar Hyjit ndihmë për të zbuluar bollëkun e dashurisë së Tij për ne.

Me përfundimin e vitit kalendarik, ne mund t’i kthejmë sytë e të shohim dymbëdhjetë muajt e kaluar me këtë përzierje gëzimi dhe trishtimi dhe vitin që vjen me shpresë të thellë.