10.5 C
Tirana
HomeKISHPAQJA E BRENDSHME
HomeKISHPAQJA E BRENDSHME

PAQJA E BRENDSHME

Prifti francez Jacques Philippe shpjegon në një libër pse paqja e zemrës është një përparësi: “Hyji vepron në shpirtin në paqe”

Njëherë, shën Tereza Lisieux po përjetonte një moment ankthi. Ajo shkoi të përshëndeste Nënën Geneviève dhe sapo kjo e pa dhe, pa e ditur dhimbjen që e mundonte Terezën, ajo i tha:

“Shërbeje Hyjin me paqe dhe hare. Kujto, bija ime, se Hyji ynë është Hyji i paqes”.

Në Krishtlindje, ne të krishterët, e presim Hyjin e paqes me gëzim të madh, por edhe të papërqendruar.

Axhenda e Krishtlindjeve

Ngutja e ethshme që na shoqëron gjatë gjithë vitit shtohet në dhjetor. Përgatitjet e Krishtlindjeve nisin në nëntor, të cilat nisin me dekorimin e derës dhe më pas vazhdojnë me dhomën e ndenjjes, me pemën dhe betlehemin, derisa zëmë çdo cep të shtëpisë.

Të gjitha këtyre duhet t’i shtojmë listën e dhuratave, darkën e Krishtlindjes me të ftuarit, nëntëditëshet dhe eventet e veçanta.

Meqenëse e gjithë kjo duhet bërë pa lënë pas dore detyrat e përditshme, koha kur lind Jezusi na gjen tashmë të rraskapitur.

Hyji ka kontrollin mbi gjithçka

Një libër nga At’ Jacques Philippe, i titulluar “Paqja e Brendshme”, na mëson të jetojmë me qetësinë e atyre që e dinë se janë në duart e Hyjit, madje edhe në mes të trazirave të botës.

Nëse do të donim t’i jepnim një titull tjetër, më komercial, ndoshta mund të ishte “Pusho në Hyjin”, sepse ideja kryesore që përshkon tekstin është kjo: duhet të mësohemi të besojmë/braktisemi gjithnjë e më shumë në Zotin, sepse vetëm në këtë mënyrë do të përjetojmë se Hyji na do dhe kujdeset për ne. Ne duhet të qetësohemi dhe ta lejojmë Atin qiellor të shfaqet në jetën tonë.

Turbulencat nuk i përkasin Hyjit, prandaj ne duhet të përpiqemi t’i kryejmë të gjitha detyrat tona sipas mënyrës së Hyjit, domethënë me qetësi, gjithmonë duke u mbështetur tek Ai.

Kur zemra është në paqe, siç do ta shohim më poshtë, hiri i Hyjit shpaloset, na vërshon dhe ne lulëzojmë në një nivel shpirtëror.

Paqja e botës

Idenë e “paqes së brendshme” shumëkush e lidh me aromaterapinë, jogën ose me një pasdite në spa.

Gjithashtu shpesh shoqërohet me pushimin e përkohshëm të atyre që shijojnë një moment qetësie. Diçka të tillë si “Faturat e mia i pagova, dhimbja e shpinës më në fund është zhdukur dhe fëmijët janë te gjyshja… çfarë gëzimi!”.

Kjo është paqja e kësaj bote, një moment i shkurtër argëtimi që ne e fabrikojmë me burimet tona njerëzore për të na dhënë pak frymëmarrje në nxitimin e përgjithshëm.

Problemi është se kjo mund të përfundojë në çdo kohë, kështu që nuk duhet të ndodhë diçka serioze që kjo “paqe” kalimtare të pëlcasë.

Paqja e Hyjit

Biri i Hyjit vjen për të na sjellë paqen e vërtetë, një paqe krejtësisht të ndryshme nga ajo që ne fabrikojmë për veten tonë ose që bota na e shet.

Është një dhuratë, një hir që na mbush me qetësi të gëzueshme dhe gjithashtu me një liri që nuk e njihnim më parë.

At’ Philippe paraqet në një mënyrë shumë të thjeshtë idenë se paqja e vërtetë e zemrës vjen nga besimi i plotë në Hyjin, ose nga braktisja në Të.

Në pjesën e parë të tekstit ai shpjegon se ku qëndron kjo paqe e zemrës, pse është kaq e rëndësishme ta arrijmë atë dhe cili është procesi për të arritur që “t’i japim Hyjit liri veprimi”, domethënë ta vendosim tërë jetën tonë në duart e Tij.

Paqja që na ofron Jezusi është një dhuratë kaq e madhe sa, sikurse çfarë thotë At’ Lorenzo Scupoli, i cituar në tekst:

“Djalli bën të gjitha përpjekjet e tij për ta shqyer paqen nga zemrat tona, sepse ai e di se Hyji banon në paqe dhe në paqe ai kryen gjëra të mëdha”.

Kthehu tek besimi

Në pjesën e dytë të librit, shohim të gjitha pengesat që mund të ndeshim në rrugën drejt paqes së brendshme dhe si t’i kapërcejmë ato.

Meshtari u përgjigjet të gjitha pyetjeve që mund të na vijnë në mendje dhe na bind mbi faktin që nëse nuk braktisemi në Atin qiellor është një marrëzi:

“Sa e pajustifikuar është kjo mungesë besimi! A nuk është absurde që një bir të dyshojë në këtë mënyrë në Atin e tij, kur ky Atë është më i miri dhe më i pushtetshmi që mund të ekzistojë, kur ky baba është Ati qiellor?”

Një libër i mrekullueshëm

At’ Philippe pastaj përfundon me një perlë. Në faqet e fundit, ai na ofron një përzgjedhje të mendimeve më të mira për paqen e brendshme, të shkruara nga shenjtër të mëdhenj si shën Tereza e Lisieux, shën Françesku i Asizit dhe shën Josemaría Escrivá.

Ky libër i mrekullueshëm mund të lexohet pa u shkëputur, sepse është i shkurtër dhe i thjeshtë, por duke qenë se lexuesi do të dëshirojë ta përvetësojë përmbajtjen e tij, meriton të lexohet disa herë për ta medituar mirë dhe për ta shijuar plotësisht.

Pushimi në Hyjin

Pse të vazhdojmë të jetojmë të shqetësuar, të paqetë, duke vrapuar nga njëra anë në tjetrën, nëse Zoti na do të lirë, të lumtur dhe në paqe?

Nëse e braktisim veten në duart e Atit qiellor, do të përjetojmë se Zoti na do, na udhëheq dhe na shoqëron gjithmonë.

Është e thjeshtë: nëse e lejojmë Hyjin të punojë në jetën tonë, çfarë mendoni se do të ndodhë? Që Hyji do të veprojë!

Hyji i paqes është shumë afër. Le ta pranojmë me qetësi. Në këtë fundviti, besojani veten Hyjit i dhe mos vraponi. Gëzuar Krishtlindjen!

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme