HomeKISHKatekezë 8. Kisha, shtegtare në histori drejt atdheut qiellor

Katekezë 8. Kisha, shtegtare në histori drejt atdheut qiellor

Dokumentet e Koncilit II të Vatikanit. Kushtetuta dogmatike Lumen gentium.

Të dashur vëllezër e motra, mirëdita e mirë se vini!

Duke u ndalur sot mbi një pjesë të kapitullit VII të Kushtetutës së Koncilit II të Vatikanit mbi
Kishën, meditojmë mbi një karakteristikë të saj cilësuese: përmasa eskatologjike. Njëmend,
Kisha ecën në këtë histori tokësore gjithmonë e orientuar drejt cakut fundor, që është atdheu
qiellor. Bëhet fjalë për një përmasë thelbësore, të cilën megjithatë shpeshherë e lëmë pas dore
ose e zvogëlojmë, sepse jemi tepër të përqendruar në atë që është menjëherë e dukshme dhe
në dinamikat më konkrete të jetës së bashkësisë së krishterë.

Kisha është populli i Hyjit në ecje në histori, që ka si qëllim të krejt veprimtarisë së saj
Mbretërinë e Hyjit (krh. LG, 9). Jezusi i dha fill Kishës pikërisht duke shpallur këtë Mbretëri
dashurie, drejtësie dhe paqeje (krh. LG 5). Prandaj jemi të thirrur që ta çmojmë përmasën
bashkësiore dhe kozmike të shpëtimit në Krishtin dhe ta drejtojmë shikimin drejt këtij
horizonti fundor, për të matur e vlerësuar gjithçka nën këtë perspektivë.

Kisha jeton në histori në shërbim të ardhjes së Mbretërisë së Hyjit në botë. Ajo ua shpall të
gjithëve dhe gjithmonë fjalët e këtij premtimi, merr një kapar të tij në kremtimin e
Sakramenteve, veçanërisht të Eukaristisë, zbaton dhe përjeton logjikën e tij në marrëdhëniet e
dashurisë e të shërbimit. Ajo, për më tepër, e di se është vend dhe mjet ku bashkimi me
Krishtin realizohet «më ngushtësisht» (LG, 48), duke pranuar njëkohësisht se shpëtimi mund
të dhurohet nga Hyji në Shpirtin Shenjt edhe përtej kufijve të saj të dukshëm.

Në lidhje me këtë gjë, Kushtetuta Lumen gentium bën një pohim të rëndësishëm: Kisha është
«sakrament universal i shpëtimit» (LG, 48), domethënë shenjë dhe mjet i asaj plotësie jete
dhe paqeje të premtuar nga Hyji. Kjo do të thotë se ajo nuk identifikohet në mënyrë të
përsosur me Mbretërinë e Hyjit, por është sythi dhe fillimi i saj, sepse përmbushja do t’i
dhurohet njerëzimit dhe kozmosit vetëm në fund. Besimtarët në Krishtin, kësisoj, ecin në këtë
histori tokësore, të shënuar nga pjekuria e së mirës por edhe nga padrejtësitë dhe vuajtjet, pa
u mbështetur në iluzione e pa u dëshpëruar; ata jetojnë të orientuar nga premtimi i marrë prej
«Atij që i bën të reja të gjitha gjërat» (Zb 21,5). Prandaj, Kisha e realizon misionin e saj
ndërmjet “tashmë”-së së fillimit të Mbretërisë së Hyjit në Jezusin dhe “ende jo”-së së
përmbushjes së premtuar e të pritur. Bartëse e një shprese që ndriçon ecjen, ajo është
gjithashtu e veshur me misionin për të shqiptuar fjalë të qarta për të refuzuar gjithçka që e
vret jetën dhe pengon zhvillimin e saj, si edhe për të marrë qëndrim në favor të të varfërve, të
të shfrytëzuarve, të viktimave të dhunës dhe të luftës dhe të të gjithë atyre që vuajnë në trup e
në shpirt (krh. Përmbledhja e Doktrinës Shoqërore të Kishës, nr. 159).

Shenjë dhe sakrament i Mbretërisë, Kisha është populli i Hyjit shtegtar mbi tokë që, pikërisht
duke u nisur nga premtimi fundor, lexon dhe interpreton në dritën e Ungjillit dinamikat e historisë, duke denoncuar të keqen në të gjitha format e saj dhe duke kumtuar, me fjalë e me
vepra, shpëtimin që Krishti dëshiron të realizojë për mbarë njerëzimin dhe Mbretërinë e tij të
drejtësisë, të dashurisë dhe të paqes. Kisha, pra, nuk shpall vetveten; përkundrazi, në të
gjithçka duhet të tregojë shpëtimin e Krishtit.

Në këtë perspektivë, Kisha është e thirrur që të njohë me përvujtëri brishtësinë dhe
paqëndrueshmërinë njerëzore të institucioneve të veta, të cilat, ndonëse janë në shërbim të
Mbretërisë së Hyjit, mbartin trajtën kalimtare të kësaj bote (krh. LG, 48). Asnjë institucion
kishtar nuk mund të absolutizohet; përkundrazi, duke qenë se jetojnë në histori dhe në kohë,
ato janë të thirrura për një kthim të vazhdueshëm, për ripërtëritjen e formave dhe reformën e
strukturave, për rigjenerimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve, në mënyrë që të mund t’i
përgjigjen me të vërtetë misionit të tyre.

Në horizontin e Mbretërisë së Hyjit duhet të kuptohet edhe marrëdhënia ndërmjet të
krishterëve që po e kryejnë sot misionin e tyre dhe atyre që tashmë e kanë përfunduar
ekzistencën tokësore dhe ndodhen në një gjendje pastrimi ose lumnie. Njëmend, Lumen
gentium
pohon se të gjithë të krishterët formojnë një Kishë të vetme, se ekziston një bashkim
dhe një bashkëpjesëmarrje në të mirat shpirtërore e themeluar mbi bashkimin me Krishtin të
të gjithë besimtarëve, një përkujdesje vëllazërore ndërmjet Kishës tokësore dhe Kishës
qiellore: ai bashkim i shenjtërve [shoqëria e shenjtërve, shih Besojma] që përjetohet
veçanërisht në liturgji (krh. LG, 49-51). Duke u lutur për të vdekurit dhe duke ndjekur
gjurmët e atyre që tashmë kanë jetuar si dishepuj të Jezusit, mbështetemi edhe ne në ecje dhe
përforcojmë adhurimin e Hyjit: të shënuar nga i njëjti Shpirt dhe të bashkuar në të njëjtën
liturgji, së bashku me ata që na kanë paraprirë në fe, nderojmë dhe i japim lavdi Trinisë
Shenjte.

U jemi mirënjohës Etërve konciliarë që na e kanë kujtuar këtë përmasë kaq të rëndësishme
dhe kaq të bukur të të qenit të krishterë, dhe të përpiqemi që ta kultivojmë atë në jetën tonë.

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme