7.5 C
Tirana
HomeKulturëNDËRTIMI I DASHURISË BASHKËSHORTORE
HomeKulturëNDËRTIMI I DASHURISË BASHKËSHORTORE

NDËRTIMI I DASHURISË BASHKËSHORTORE

Krishti Zot, në mishërim, e «merr dashurinë njerëzore, e pastron, e përmbush dhe, me Shpirtin e vet, u dhuron bashkëshortëve aftësinë për ta jetuar atë, duke përshkuar të gjithë jetën e tyre të fesë, shpresës e dashurisë» (Gëzimi i dashurisë nr. 53). Ky citim i marrë nga Nxitja Apostolike Amoris Lætitia, na ndihmon të kuptojmë se dashuria njerëzore, në dritën e misterit të shpëtimit, larg nga të qenurit një realitet profan që për parim është në kundërshtim me dashurinë hyjnore, bëhet bartëse dhe përçuese e kësaj të fundit. E njëmend, kjo dashuri njerëzore, e jetuar në martesë dhe familje, merr prej Krishtit, nëpërmjet Kishës, hirin e nevojshëm për ta dëshmuar dashurinë e Hyjit dhe për ta jetuar jetën në bashkim (krh. po aty nr. 63).

Mirëpo, kjo aftësi e dhuruar/hir, ka nevojë të pranohet përnjëmend e në përditshmëri, në mënyrë që dashuria njerëzore e bashkëshortore, e cila gjendet “in statu viae” d.m.th. “në gjendje rrugëtimi” drejt përsosurisë, ta përmbushë misionin e vet.

Pikërisht për t’u ardhur në ndihmë çifteve/bashkëshortëve, që janë në këtë rrugëtim, kemi menduar të paraqesim disa tema të shkëputura nga libri “Ndërtimi i dashurisë bashkëshortore” i autorit Atë Rikardo E. Façi. Ky libër, thekson vetë autori, «lindi nga nevoja e shfaqur nga shumë bashkëshortë, grupe çiftesh të martuara dhe operatorë të baritores familjare që të kishin një material të përshtatshëm, të thjeshtë dhe të këndshëm për të reflektuar mbi dashurinë dhe jetën bashkëshortore» e cila gjendet «e zhytur në një shoqëri që e ka banalizuar dashurinë».

Duke falënderuar përgjegjësit e botimit të librit “Shtëpi të reja”, që na dhanë lejen të publikojmë pjesë të shkëputura nga libri në fjalë, ju urojmë një lexim të këndshëm…

Harmonia bashkëshortore

Harmonia bashkëshortore

ndërtohet ditë pas dite.

Puna e vazhdueshme dhe themelore në jetën martesore është kërkimi i harmonisë bashkëshortore.

Ndokush mund të pyesë: përse e vazhdueshme? A është për faktin se asnjëherë nuk do të mund të arrijmë të themi se jemi të harmonizuar në martesën tonë?

Harmonia bashkëshortore është realiteti i të “tanishmes” dhe “ende jo-së”. Maria dhe Jozefi, duke treguar përvojën e tyre, pohonin se ndjenin një klimë të harmonishme mes tyre dhe, në të njëjtën kohë, nëse nuk luftonin vazhdimisht për ta ruajtur, iu dukej se po iu ikte si uji mes gishtave. Harmonia ndërtohet ditë pas dite, shkon duke u realizuar, mirëpo mbetet sërish udhë që duhet përshkuar. Ajo rritet në kërkimin e plotësisë që nuk është arritur ende.

Kur në një martesë ka konflikte, pengesa, probleme, nuk duhet të frikësohemi, pasi paharmonitë janë shenjë e një çifti normal. Ndërkaq, duhet të merret realisht parasysh një situatë joharmonike kur nuk dihet se si të kapërcehen me pjekuri konfliktet, pengesat dhe problemet. Përballë këtij realiteti, çifti do të përplaset, duke u ndeshur me një sërë pengesash, që do ta shkatërrojnë pak nga pak martesën.

Është tërësisht joreale situata e atij çifti që beson se jeton në harmoni të plotë përgjithmonë. Kjo nuk është normale. Çfarë do të jetë duke ndodhur? Mund të ketë shkaqe të ndryshme, të cilat bëjnë ashtu që çifti të jetojë në një harmoni të rrejshme. Një shembull: kur njëri prej të dy bashkëshortëve ka një karakter shumë të fortë dhe tjetri shumë të nënshtruar, priret që të krijohet një harmoni e rrejshme, sepse është njëri që vendos gjithçka pa hasur qëndresë nga ana tjetër, meqë pala tjetër sillet si satelit përreth palës së parë.

Mbetemi tek rasti i parë, joharmonikë që ecin drejt harmonisë. Harmonia dhe bashkimi shkojnë duke u ndërtuar, duke u krijuar. Nuk janë dhurata të rëna prej qiellit në ditën e martesës. Ato shkojnë duke u realizuar. Kur është më e bashkuar martesa? Në fillimet e saj? Apo kur është përshkuar tashmë një pjesë e udhës?

Si mund të vazhdohet të ecet drejt harmonisë? Me çfarë mjetesh? Në varësi të viteve të martesës që ka kaluar, çifti do të ketë pak ose shumë përvojë ecjeje, pak ose shumë mjete për ta vazhduar rritjen; jeta e përbashkët do t’ua ketë treguar këtë gjë. Është e rëndësishme që të bashkëbisedoni për disa prej këtyre elementeve që e ndihmojnë rritjen dhe që në vazhdim do të mund t’i thelloni.

  • Bashkëbisedimi – Arma më e fuqishme për shkatërrimin e pengesave. Një bashkëbisedim i hapur, i sinqertë, i plotë dhe me dashuri. Ky është çelësi i afërsisë, mjeti më i mirë për ndërtimin e rritjes në një çift.
  • Aftësia për të zgjidhur konfliktet – Treguesi i normalitetit të një çifti nuk matet nga mungesa e konflikteve, por nga aftësia për t’i zgjidhur ato.
  • Afekti – Një çift që vazhdimisht kujdeset ta shfaqë, në gjërat e vogla të së përditshmes, gjithçka që dëshiron, jeton një martesë që është në gjendje që t’i zgjidhë më me zotësi problemet, sepse aty ka marrë jetë zakoni për të dalë nga vetvetja dhe për t’u përqendruar te tjetri. Dhe përfundimisht, ky është kuptimi i afektit, “të bëj që të ndjehet se qenia ime është zgjatur drejt tjetrit”.
  • “Ne-ja” – është i rëndësishëm vetëdijesimi se problemet, që duhet të zgjidhë një çift, nuk i përkasin sferës së “tëndes” dhe “times”, por “tonës”.
  • Një ideal – Një çift pa ideale është një çift i bllokuar, i paaftë për t’iu bërë ballë pengesave apo për të ecur para. Është e nevojshme dëshira e kapërcimit të vështirësive, e kërkimit të përsosmërisë, lumturisë…
  • Lutja – “ne-ja” është edhe “Ai”. Jezusi zë vend brenda problemeve dhe e jep hirin për t’i zgjidhur ato. Ai e ka gjithmonë zgjidhjen e drejtë. Flisni për të, bashkëbisedoni në lutje. Të tre bashkë mundeni gjithçka; të vetëm sigurisht se nuk do të bëni dot asgjë.

Për bashkëbisedim në çift

  1. Si kemi vepruar për kapërcimin e konflikteve tona?
  2. A e përdorim bashkëbisedimin për zgjidhjen e problemeve tona?
  3. A kemi treguar aftësi në zgjidhjen e konflikteve?
  4. A e kemi përforcuar aftësinë për zgjidhjen e problemeve me një mjedis të ngrohtë?
  5. A jemi të vetëdijshëm se problemet janë “tonat”?
  6. A ekziston ndonjë ideal në ne?
  7. A lutemi lidhur me problemet tona?

Për t’u lutur bashkë

O Zot, të falënderojmë për martesën tonë

e gjithashtu edhe për konfliktet e saj,

që na ndihmojnë të piqemi.

Do të kishte qenë bukur të mos kishim probleme,

por ne njerëzit kështu jemi,

të papërsosur, egoistë, mëkatarë…

Kemi ardhur deri këtu

duke kapërcyer pengesa,

të cilat bënë që të bashkohemi më shumë,

të duhemi më shumë,

të jemi miq më të mirë…

Po të kërkojmë, o Zot,

që të mos na braktisësh kurrë,

që të qëndrosh gjithmonë pranë nesh,

sepse të tre bashkë, duke u rritur,

i shkatërrojmë pengesat,

dhe kështu, e ndërtojmë, ditë pas dite, “ne-në” më të mirë,

duke e biseduar me ty

zgjidhjen e çdo problemi.

Amen!

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme