Dokumentet e Koncilit II të Vatikanit. IV. Kushtetuta Gaudium et spes (GS, 40-45)
Vëllezër e motra, mirëdita e mirë se erdhët!
Duke rimarrë reflektimin mbi Kushtetutën konciliare Gaudium et spes (GS), sot shqyrtojmë kapitullin e katërt të pjesës së parë, kushtuar misionit të Kishës në botën bashkëkohore. Para së gjithash, Koncili kujton se Kisha nuk është «mbi» apo «pranë» botës, por është si e shartuar në të. «Mundus reconciliatus Ecclesia», shkruante Shën Augustini (Sermo 96): Kisha është bota tashmë e pajtuar me Hyjin; jemi shtegtarë mbi tokë dhe me këtë botë bashkëndajmë brishtësinë dhe bukurinë (krh. GS, 41).
Ashtu si Biri i Hyjit u mishërua për t’i dhënë jetë botës dhe për ta pajtuar atë me Atin, po kështu Kisha banon në botë si shenjë e mishërimit të Hyjit, për të dëftuar planin e vet për të na bërë të gjithëve bij të tij në një familje të vetme të madhe njerëzore. Prandaj, Kisha ecën në histori mes popujve dhe kulturave, dhe «kjo ndërthurje jete me popujt e bën atë të kuptojë gjithnjë e më shumë se misioni i saj ka një përmasë historike dhe përmban një përgjegjësi lidhur me mënyrën se si thuren marrëdhëniet shoqërore» (Let. enc. Magnifica humanitas, 19).
Misioni i parë i Kishës është t’i ndihmojë njerëzit që të jenë të vëmendshëm ndaj pyetjeve të thella të jetës: atyre mbi prejardhjen dhe cakun tonë, si edhe atyre mbi kuptimin e dashurisë e të dhimbjes (krh. GS, 41). Logjika e fitimit me çdo kusht dhe manipulimi i informacionit rrezikojnë të ushtrojnë një trysni të padrejtë që njerëzit t’i përshtaten një stili jete të përqendruar te konsumimi i të mirave materiale, por zemra jonë është krijuar për të shikuar lart.
Etërit e Koncilit kujtojnë se misioni i Kishës realizohet edhe duke ndihmuar në ndërtimin e qytetit tokësor. Megjithatë, metodat dhe qëllimi i saj nuk janë para së gjithash të rendit politik, por qëndrojnë në dëshminë e fesë e të dashurisë, së bashku me angazhimin për drejtësinë, paqen dhe vëllazërinë. Duke adhuruar Krishtin, të Drejtin që vdiq për të padrejtët, besimtari nuk mund ta pranojë shtypjen e të vegjëlve dhe të varfërve, as ato struktura të padrejta që përjetësojnë gjendje varësie dhe padrejtësie. Doktrina shoqërore e Kishës orienton veprimin e të krishterëve, të cilët bashkëveprojnë me të gjithë njerëzit vullnetmirë në promovimin e së mirës së përbashkët. Prandaj, Kisha «nuk ka asgjë më shumë për zemër sesa t’i shërbejë së mirës së të gjithëve dhe të mund të zhvillohet lirisht nën çdo regjim që respekton të drejtat themelore të personit e të familjes dhe që njeh kërkesat e së mirës së përbashkët» (GS, 42).
Për ta përmbushur me frytshmëri misionin ungjillor, është e nevojshme që çdo i pagëzuar të angazhohet për të bashkëvepruar me hirin e Shpirtit Shenjt, në mënyrë që feja e tij të jetë e gjallë dhe të shprehet në sjellje koherente. Në të vërtetë, siç kujtojnë Etërit konciliarë, ndarja mes fesë së dëshmuar dhe jetës së përditshme «duhet të numërohet ndër gabimet më të rënda të kohës sonë» (GS, 43).
Gaudium et spes i kushton një përmendje të veçantë (krh. po aty) misionit të besimtarëve laikë, të cilët, në saje të Pagëzimit, janë të thirrur që ta gjallërojnë botën me shpirtin e krishterë dhe me vizionin e Ungjillit. Vendet kryesore të këtij veprimi, që me të drejtë mund të quhet meshtarak, janë padyshim familja dhe veprimtaria e punës, por ai shtrihet në çdo mjedis të jetës.
Kisha, së fundi, është gjithmonë e vëmendshme ndaj asaj që ndodh dhe zhvillohet në shoqëri (krh. GS, 44). Është detyrë e mbarë Popullit të Hyjit, veçanërisht e barinjve dhe e teologëve, të shoshitin atë që në kulturat e kohës sonë është e denjë për t’u marrë në konsideratë, duke pasur gjithmonë si kriterin më të lartë të shoshitjes Fjalën e Hyjit dhe Traditën e Kishës. Kjo kërkon një shpirt të ekuilibruar dhe të lirë nga modat kulturore, që arrin ta shohë botën në mënyrë pozitive dhe, njëkohësisht, të palëkundur në ruajtjen dhe paraqitjen e mesazhit ungjillor në tërësinë e tij. Në të vërtetë, «krishterimi nuk mund të bëhet tërheqës duke i zbehur përmbajtjet dhe duke i zbutur kërkesat» (Fjalimi drejtuar Asamblesë Plenare të Dikasterit për Ungjillëzimin – Seksioni për çështjet themelore të ungjillëzimit të botës, 28 maj 2026).
Shumë të dashur, Kisha, ndërsa ecën në histori, «ka vetëm një synim: që të vijë Mbretëria e Hyjit dhe të realizohet shpëtimi i mbarë njerëzimit» (GS, 45). Drejt këtij qëllimi ajo priret sidomos nëpërmjet shenjtërisë personale dhe dashurisë vëllazërore. Shkruante Shën Pali VI: «Pa këtë shenjë dalluese të shenjtërisë, fjala jonë vështirë se do të hapë rrugë në zemrën e njeriut të kohës sonë, por rrezikon të jetë e kotë dhe e pafrytshme» (Nxit. ap. Evangelii nuntiandi, 76). Prandaj, t’i hapim zemrat ndaj veprimit të Shpirtit Shenjt, që të na ndihmojë të jetojmë në shenjtëri e dashuri, në mënyrë që bota të mund të besojë e të shpresojë.

