31.5 C
Tirana
HomeKISHVeset dhe virtytet. Luftimi shpirtëror
HomeKISHVeset dhe virtytet. Luftimi shpirtëror

Veset dhe virtytet. Luftimi shpirtëror

Katekezë 2.

PAPA FRANÇESKU

AUDIENCË E PËRGJITHSHME

Vëllezër e motra, mirëdita!

Javën e kaluar kemi filluar me temën e veseve dhe virtyteve. Ajo sjellë në mendje luftën shpirtërore të të krishterit. Njëmend, jeta shpirtërore e të krishterit nuk është paqësore, lineare dhe pa sfida; përkundrazi, jeta e krishterë kërkon luftim të vazhdueshëm: luftën e krishterë për të ruajtur fenë, për të pasuruar dhuratat e fesë brenda nesh. Jo rastësisht, lyerja e parë që çdo i krishterë merr në sakramentin e Pagëzimit – lyerja katekumenale – është pa parfum dhe simbolikisht lajmëron se jeta është një luftë. Në të vërtetë, në kohët e lashta, luftëtarët lyheshin plotësisht para ndeshjes, si për të forcuar muskujt, ashtu edhe për ta bërë trupin e tyre të rrëshqitshëm për të mos u kapur nga kundërshtari. Lyerja e katekumenëve e bën të qartë menjëherë se i krishteri nuk kursehet nga lufta, se një i krishterë duhet të luftojë: edhe ekzistenca e tij, si ajo e të gjithëve, do të duhet të zbresë në arenë, sepse jeta është një varg sprovash dhe tundimesh.

Një thënie e famshme që i atribuohet Abba Antonit, atit të parë të madh të monakizmit, thotë kështu: “Hiqi tundimet dhe askush nuk do të shpëtohet”. Shenjtërit nuk janë njerëz të cilëve u është kursyer tundimi, por njerëz që e dinë mirë faktin se, në jetë, joshjet e së keqes shfaqen vazhdimisht dhe se ato duhet të demaskohen e refuzohen. Të gjithë kemi përvojë me këtë gjë, të gjithë ne: që të vjen një mendim i keq, që të vjen një dëshirë për ta bërë këtë gjë ose për të folur keq për tjetrin… Të gjithë, të gjithë tundohemi dhe duhet të luftojmë që të mos biem në këto tundime. Nëse ndonjëri nga ju nuk ka tundime, ma thoni, sepse do të ishte një gjë e jashtëzakonshme! Të gjithë kemi tundime dhe të gjithë duhet të mësojmë se si të sillemi me këto situata.

Ka shumë njerëz që e pafajësojnë veten, që mendojnë se janë “në rregull” – “Jo, unë jam i mirë, jam e mirë, nuk i kam këto probleme”. Porse asnjëri prej nesh nuk është në rregull; nëse dikush ndihet në rregull, ai është duke ëndërruar; secili prej nesh ka shumë gjëra për të rregulluar, dhe gjithashtu duhet të jetë vigjilent. Dhe ndonjëherë ndodh që shkojmë në sakramentin e Pajtimit dhe themi, me sinqeritet: “At’, nuk më kujtohet, nuk e di nëse kam ndonjë mëkat…”. Por kjo është mungesë njohjeje lidhur me atë që ndodh në zemër. Ne jemi të gjithë mëkatarë, të gjithë. Dhe pak shqyrtim i ndërgjegjes, pak shikim i brendshëm do të na bëjë mirë. Përndryshe rrezikojmë të jetojmë në errësirë, sepse tashmë jemi mësuar me errësirën dhe nuk dimë më ta dallojmë të mirën nga e keqja. Izaku i Ninivës thoshte se, në Kishë, kush i njeh mëkatet e veta dhe i vajton ato është më i madh se ai që ringjall një të vdekur. Të gjithë duhet t’ia kërkojmë Hyjit hirin për ta njohur veten si mëkatarë të mjerë, që kanë nevojë për kthim, duke mbajtur në zemrat tona besimin se asnjë mëkat nuk është aq shumë i madh para mëshirës së pafund të Hyjit Atë. Ky është mësimi përurues që na dhuron Jezusi.

E shohim në faqet e para të Ungjijve, para së gjithash kur na tregohet për pagëzimin e Mesisë në ujërat e lumit Jordan. Episodi ka në vetvete diçka të habitshme: pse Jezusi i nënshtrohet një riti të tillë pastrimi? Ai është Hyj, ai është i përsosur! Për çfarë mëkati duhet të pendohet Jezusi? Për asnjë! Edhe Gjon Pagëzuesi shkandullohet, deri në atë pikë sa teksti thotë: «Gjoni donte t’i kundërshtonte e i thoshte: “Mua më duhet të pagëzohem prej teje, e ti po vjen tek unë?”» (Mt 3,14). Por Jezusi është një Mesi shumë i ndryshëm nga si Gjoni e kishte paraqitur dhe njerëzit e imagjinonin: Ai nuk mishëron Hyjin e zemëruar dhe nuk thërret për gjykim, por, përkundrazi, vihet në rresht me mëkatarët. Si vallë? Po, Jezusi na shoqëron, të gjithë ne mëkatarëve. Ai nuk është mëkatar, por është mes nesh. Dhe kjo është një gjë e bukur. “At’, unë kam shumë mëkate!” – “Por Jezusi është me ty: fol me të për këtë gjë, Ai do të të ndihmojë për të dalë prej kësaj”. Jezusi nuk na lë kurrë vetëm, kurrë! Mendojeni mirë këtë. “Oh, At’, unë kam gabuar rëndë!” – “Por Jezusi të kupton dhe të shoqëron: e kupton mëkatin tënd dhe e fal”. Mos e harroni kurrë këtë gjë! Në momentet më të këqija, në momentet kur rrëshqasim në mëkate, Jezusi është pranë nesh për të na ndihmuar që të çohemi. Kjo gjë të jep ngushëllim. Nuk duhet ta humbasim këtë siguri: Jezusi është pranë nesh për të na ndihmuar, për të na mbrojtur, edhe për të na ngritur pas mëkatit. “Por, At’, a është e vërtetë që Jezusi fal gjithçka?” – “Gjithçka. Ai ka ardhur për të falur, për të shpëtuar. Vetëm se Jezusi do që zemra jote të jetë e hapur”. Ai nuk harron kurrë të falë: jemi ne, shumë herë, që humbasim aftësinë për të kërkuar falje. Le ta rimarrim përsëri këtë aftësi për të kërkuar falje. Secili prej nesh ka shumë gjëra për të kërkuar falje: secili ta mendojë këtë brenda vetes dhe sot ta bisedojë me Jezusin. Bisedo me Jezusin për këtë: “Zot, nuk e di nëse kjo është e vërtetë apo jo, por unë jam i sigurt që Ti nuk largohesh prej meje. Jam i sigurt që Ti më fal. Zot, unë jam mëkatar, mëkatare, por të lutem mos u largo”. Kjo do të ishte sot një lutje e bukur drejtuar Jezusit: “Zot, mos u largo prej meje”.

Dhe menjëherë pas episodit të pagëzimit, Ungjijtë na tregojnë se Jezusi tërhiqet në shkretëtirë, ku tundohet nga Satani. Edhe në këtë rast lind pyetja: për çfarë arsye Biri i Hyjit duhet ta njohë tundimin? Edhe në këtë rast, Jezusi tregohet solidar me natyrën tonë të brishtë njerëzore dhe bëhet exemplum-i [shembulli] ynë i madh: tundimet që ai kalon dhe mposht mes gurëve të thatë të shkretëtirës janë mësimi i parë që ia dorëzon jetës sonë si dishepuj. Ai ka përjetuar atë që edhe ne duhet të përgatitemi kurdoherë për ta përballuar: jeta përbëhet nga sfida, sprova, udhëkryqe, vizione të kundërta, joshje të fshehura, zëra kontradiktorë. Ndonjë zë është madje edhe bindës, njëmend, Satani e tundon Jezusin duke iu drejtuar fjalëve të Shkrimit. Ne duhet ta ruajmë kthjelltësinë e brendshme për të zgjedhur rrugën që na çon përnjëmend drejt lumturisë dhe më pas të angazhohemi që të mos ndalemi gjatë rrugës.

Le të kujtojmë se ne jemi gjithmonë të luftuar midis ekstremeve të kundërta: krenaria sfidon përvujtërinë; urrejtja kundërshton dashurinë; trishtimi vihet kundër gëzimit të njëmendtë të Shpirtit; ngurtësia e zemrës refuzon mëshirën. Të krishterët ecin vazhdimisht në këto kreshta. Prandaj është e rëndësishme që të reflektojmë mbi veset dhe virtytet: na ndihmon të mposhtim kulturën nihiliste ku kufijtë midis së mirës dhe së keqes mbeten të paqartë dhe, njëkohësisht, na kujton se njeriu, ndryshe nga çdo krijesë tjetër, mund ta tejkalojë kurdoherë vetveten, duke iu hapur Hyjit dhe duke ecur drejt shenjtërisë.

Luftimi shpirtëror, atëherë, na bën t’i vërejmë nga afër ato vese që na lidhin dhe të ecim, me hirin e Hyjit, drejt atyre virtyteve që mund të lulëzojnë në ne, duke sjellë pranverën e Shpirtit në jetën tonë.

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme