10.5 C
Tirana
HomeArqidioqeza Tiranë-DurrësImzot Arjan Dodaj: "Hyji ka kërkuar që të jemi ne, dora dhe...
HomeArqidioqeza Tiranë-DurrësImzot Arjan Dodaj: "Hyji ka kërkuar që të jemi ne, dora dhe...

Imzot Arjan Dodaj: “Hyji ka kërkuar që të jemi ne, dora dhe krahu, nëpërmjet zemrës dhe lutjeve tona”

Homelia e Shkëlqesisë së Tij Imzot Arjan Dodaj, Arqipeshkëv i Tiranë-Durrës, në Meshën e kremtuar së bashku me Sekretarët e Përgjithshëm të Konferencave Ipeshkvore të Evropës

Të dashur sivëllezër në episkopat dhe në meshtari,

Mirë se erdhët në Tiranë!

Gjendemi këtë mbrëmje në Katedralen e Shën Palit për të kremtuar Mbrëmësoren e parë të kremtes së Lindjes së Shën Gjon Pagëzuesit, ai që, më i madhi nga të gjithë të lindurit nga gratë, u zgjodh për të dhënë shpalljen më të madhe dhe më të gëzueshme të historisë: ardhjen e vetë Birit të Hyjit për të shpëtuar njerëzimin.

Sot, ne lejojmë të udhëhiqemi nga Shpirti i Shenjtë që është i pranishëm dhe flet në liturgji; është pikërisht kjo qendërsi e pranisë së Shpirtit dhe veçanërisht e thirrjes së tij, që ia mundëson Jeremisë t’i kapërcejë të gjitha vështirësitë që lidhen me gjendjen e tij të veçantë njerëzore, veçanërisht rininë e tij ose disproporcionin që ndjen për një mision kaq të madh. Ne duhet të kthehemi e t’ia lëmë vendin e parë veprimit të Shpirtit, siç na thërret të bëjmë edhe në këtë kohë sinodalale Papa Françesku, duke i ikur, por mbi të gjitha duke luftuar kundër tundimit të protagonizmit që shpesh, si individë apo komunitete, e miratojmë. Edhe sot, Kisha duhet të kthehet në të qenurit ai popull i Hyjit ku së bashku, grigjë dhe barinj, ndjekim rrugën e treguar nga Shpirti, i cili dëgjohet vetëm në lutje, pra një bashkësi që mbi të gjitha lutet, e hapur ndaj këtij frymëzimi që vjen pres së Larti, dhe që është e gatshme për ta ndjekur.

Është pikërisht kjo qendërsi e veprimit të Shpirtit që na bën, siç na kujton Shën Pjetri, shërbëtorë të atyre gjërave që na janë kumtuar dhe mbi të cilat engjëjt dëshirojnë ta ngulisin shikimin. Ky karakter profetik i Kishës nuk është vetëm një pikë qendrore e teologjisë sonë katolike, por duhet të sigurohemi që ai të bëhet një përvojë konkrete e jetës. Njëmend, ne jemi të zhytur në një histori të madhe që na paraprin, në të cilën shumë dëshmitarë, edhe me çmimin e jetës së tyre, na kanë përçuar fenë në njëmendësinë e saj pikërisht sepse, të forcuar nga Hiri i Shpirtit Shenjt, i janë përkushtuar qëllimit të vetëm që është shpëtimi i shpirtrave. Kështu kanë bërë në këtë tokë të Lumët martirë shqiptarë, duke filluar nga paraardhësi im si ipeshkëv i kësaj dioqeze, i Lumi Vinçens Prendushi. Dhe është falë tyre që me gjithë vështirësitë dhe persekutimet që pësoi populli ynë gjatë periudhës së regjimit komunist, feja ka mbetur e gjallë dhe tani jemi dëshmitarë të një pranvere të re të Shpirtit, në të cilën dëshirojmë të bashkëpunojmë si Barinj dhe popull i Hyjit.

“Mos ki frikë Zakari, sepse lutja jote u dëgjua…”. Ashtu si në të gjithë historinë e shpëtimit, Zoti vjen gjithmonë për ta takuar popullin e vet që lutet dhe përgjërohet, kështu i ndodhi Zakarisë, por të gjithë e dimë se si vazhdon kjo pjesë e Ungjillit. Zakarisë do t’i duhen ende nëntë muaj për ta pranuar me zemër të hapur nismën e Hyjit, e cila ishte shumë më ndryshe nga sa e kishte përfytyruar. Me Marinë nuk ndodhi kështu, edhe pse ai lajmërim ngjalli shumë pyetje në të. Por Nëna e Hyjit, e përfshirë gjithnjë dhe me qëndrueshmëri në veprimin e Shpirtit në jetën e saj, siç na kujton Ungjilli, ruante dhe meditonte gjithçka dhe kjo i ka dhënë asaj mundësinë që çdo nismë të Hyjit ta pranonte gjithmonë me zemër të hapur. Kështu ndodhi në Kanë të Galilesë, ashtu si edhe nën kryq kur ajo e pranoi Gjonin, fillimi i Kishës që më pas në Rrëshajë e pa atë të pranonte detyrën e Nënës së të gjithëve, Nënës së Kishës. Edhe sot, Virgjëra Mari e shoqëron Kishën si Nënë dhe Mësuese, në mënyrë që dishepujt e Birit të vet të mësojnë prej saj këtë hapje ndaj veprimit të Shpirtit, të vihen në shërbim me fjalë dhe dëshmi, dhe kështu së bashku, barinj dhe popull i Hyjit, të vazhdojnë rrugën aty ku frymëzon Shpirti.

Asaj, e cila këtu në Shqipëri nderohet si Zoja e Këshillit të Mirë, ia besojmë Papën dhe Kishën, veçanërisht punimet e Sinodit në tetorin e ardhshëm, si dhe takimin tuaj në këto ditë.

Zoja e Këshillit të Mirë, Mbretëresha e Paqes dhe Virgjër e Ngushëllimit, lutu për ne!

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme