11.5 C
Tirana
HomeSocialeHALLOWEEN PO AFRON: NE U PËRGJIGJEMI PYETJEVE MË TË SHPESHTA
HomeSocialeHALLOWEEN PO AFRON: NE U PËRGJIGJEMI PYETJEVE MË TË SHPESHTA

HALLOWEEN PO AFRON: NE U PËRGJIGJEMI PYETJEVE MË TË SHPESHTA

A është e vërtetë që Halloween-i është ditëlindja e djallit?

Kur lindi kjo festë e çuditshme e bazuar në kunguj bosh dhe flokë shtrigash? Cila është origjina e vërtetë e festës? Përse amerikanët filluan ta festojnë? Përse disa e përkufizojnë atë si një festë me origjinë të krishterë dhe të tjerë e përkufizojnë atë si një përvjetor satanist? Le të përpiqemi që ta zbulojmë së bashku.

Halloween po afrohet me hapa të shpejtë; dhe patjetër shkakton një ndjenjë frike te shumë prindër që i lë ata konfuzë dhe hezitues.

A duhet ta festojë një familje katolike këtë përvjetor? Apo ndoshta prindërit do të bënin më mirë ta kundërshtonin, duke i ndaluar fëmijët e tyre të marrin pjesë në festa me maska?

Këto janë padyshim pyetje legjitime dhe të lidhura me zgjedhje edukative që çdo familje do të ketë mundësinë t’i marrë në mënyrë autonome. Por, për t’i dhënë lexuesve tanë disa elemente të tjera për të reflektuar, ndoshta do të jetë e dobishme të pastrohet fusha nga disa keqkuptime që dalin në pah shumë shpesh kur flasim për këtë festë. Në këtë artikull ne kemi mbledhur pyetjet që bëhen më shpesh, duke u përpjekur t’u japim atyre një përgjigje sintetike, por të saktë.

1-Cila është origjina e festës së Halloween-it?

Shumë kohë më parë, edhe para se murgjit ungjillëzues të mbërrinin në ato toka, mes popullsive kelte të Ishujve Britanikë ishte i përhapur zakoni për të festuar, në natën e 31 tetorit, ditën e parë të muajit Samhain. Ishte kryesisht një festë fshatare: një Vit i Ri agrar që shënonte zyrtarisht hyrjen në muajt e ftohtë të dimrit. Nderohej duke ngrënë me tepri (duke përfituar nga fakti se, pikërisht në atë kohë, thereshin bagëtitë që nuk do të ruheshin për dimër); dhe argëtoheshin duke kaluar natën rreth zjarrit, duke treguar histori aventureske dhe paksa të frikshme.

folklorin e asaj kohe, ishte e përhapur ideja se atë natë ndodhnin shenja të pabesueshme. Zanat dhe xhindet mbushnin botën e të gjallëve, duke bërë rrengje të vogla ose duke bërë kërcënime të mirëfillta. Në të njëjtën kohë, përflitej se edhe shpirtrat e të vdekurve mund të ktheheshin në tokë për ca kohë, në formën e pranive dashamirëse dhe të këndshme që vizitonin shtëpitë e të afërmve të tyre ende gjallë dhe përforconin atë lidhje të pashkëputur që i bashkonte me ta.

2-Cila është domethënia e vërtetë e Halloween-it?

Në dritën e asaj që sapo thamë, nuk habitemi nëse marrim vesh që këto festime ushtruan një magjepsje të madhe te ungjillëzuesit që erdhën në Ishujt Britanikë në shekujt e parë pas Krishtit. Ky korpus zakonesh u riinterpretua në një këndvështrim purgatorial: me disa korrigjime të vogla teologjike aty-këtu, kulti i të vdekurve i matricës druide ilustronte mjaft mirë idenë e krishterë të një bashkimi të pandashëm midis të gjallëve dhe të vdekurve.

Nuk është rastësi që, nga mesi i shekullit VIII, Papa Gregori III zgjodhi të caktojë pikërisht më 1 nëntor datën në të cilën do t’u kërkonte besimtarëve përkujtimin e të gjithë shenjtërve (dhe të të gjithë shpirtrave të të vdekurve, ditën pas). Në krye të herës, festa e “të Gjithë Shenjtërve” (ose më saktë “e të gjithë martirëve”, siç quhej në atë kohë) kremtohej çdo 13 maj, në dioqezën e Romës. Mirëpo, meqenëse mori vendimin për ta shtrirë atë festë në të gjithë krishterimin, papës i pëlqeu ideja për ta mbivendosur atë në datën në të cilën, në dioqezat më veriore, tashmë mbaheshin ato përkujtime të bukura që i përshtateshin fare mirë kontekstit.

Edhe etimologjikisht, termi “Halloween” është shkurtimi i “All Hallows’ Eve”, d.m.th. “vigjilja e festës së të Gjithë Shenjtërve”; dhe shumë Mesharë të publikuar në zonën anglo-saksone përpara reformës së Koncilit II të Vatikanit, përdornin në mënyrë eksplicite termin “Mesha e Halloween”-it për të treguar kremtimet liturgjike që mbaheshin në mbrëmjen e 31 tetorit.

3-Përse për Halloween gdhenden kunguj?

Nëse vërejmë me kujdes, kungujt që gdhenden për Halloween nuk janë abstraktë dhe jopersonalë: ata mbajnë një emër, atë të Jack-o’-Lantern. Por, kush ishte ky Jack [Xhek]?

Emri është marrë nga një legjendë, shumë popullore në zonën irlandeze, e cila e paraqet Xhekun si një person të keq: berrejshëm, mashtrues, hileqar kumari, hajdut, batakçi. I admiruar nga një personazh i tillë, edhe Satani një ditë shkoi për ta takuar personalisht për t’i shtrënguar dorën; dhe Xheku shfrytëzoi rastin për ta sfiduar atë në një lojë me zare. Natyrisht, fitoi, ngaqë ishte hileqar; pastaj, krenar për vetveten, njeriu mori nga Satanai çmimin që kishte kërkuar në rast fitoreje: domethënë premtimin se djalli nuk do ta kërkonte kurrë shpirtin e Xhekut për ta çuar në ferr, kur ky të vdiste. Duke u kolovitur në këtë perspektivë ngushëlluese, Xheku bëri një jetë tërësisht të shthurur dhe vdiq pa treguar as shenjën më të vogël të pendimit, krenar për planin që kishte sajuar.

Një plan që megjithatë kishte një huq të madh. Është e vërtetë që Satani nuk e kërkoi kurrë shpirtin e Xhekut, por kjo nuk do të thotë se portat e Parajsës u hapën katër kapakësh për të. Dhe as Purgatori nuk u çmua si një opsion i zbatueshëm, për shkak të sasisë së madhe të mëkateve të rënda që njeriu kishte kryer në jetë; dhe pa u penduar askurrë. Që nga ajo ditë – thotë legjenda – shpirti i Xhekut endet mbi tokë pa gjetur paqe, duke ndriçuar bredhjen e tij të përjetshme me flakën e dobët, të refuzuar nga Ferri dhe megjithatë të paaftë për të fituar një shpëtim që nuk e meritonte.

Një legjendë me temë purgatoriale, e cila tregohej shpeshherë në netët e Halloween-it në Irlandën shumë katolike dhe që emigrantët irlandezë e sollën me vete kur u shpërngulën në Shtetet e Bashkuara. Në anën tjetër të Oqeanit, legjenda u përzie me zakonin (tashmë të pranishëm) të gdhendjes së kungujve me modele gjeometrike të llojeve të ndryshme, për t’i bërë fenerë të këndshëm që viheshin para shtëpive gjatë gjithë periudhës së vjeshtës. Por nga fundi i tetëqindës, ngalliti moda e gdhendjes së kungujve, duke u dhënë atyre formën e fytyrës së vuajtur të Xhekut, i tërbuar me vetveten për krekosjen e tij trashamane. Lindi kështu Jack-o’-Lantern [kungulli/fener i Xhekut].

4-Çfarë lidhjeje kanë shtrigat dhe Halloween?

Shumë pak, në të vërtetë. Disa historianë kanë dashur të shohin lidhjen e parë të kësaj në një gjyq mbi magjinë të shpallur në vitin 1590 në qytetin skocez të Berwick-ut të Veriut, gjatë të cilit një grup grash u akuzuan se kishin bërë magji me qëllimin për të fundosur anijen me të cilën, mbretëresha Ana e Danimarkës, po lundronte për në Skoci për t’u bashkuar me burrin e saj, mbretin Jakob të Skocisë. Njëmend, disa nga të pandehurat, nën tortura, rrëfyen se kishin bërë magji pikërisht në natën e 31 tetorit – por kjo, në realitet, është një dëshmi e izoluar. Duam të themi se, në atë kohë, lidhja midis Halloween-it dhe praktikave okulte nuk ishte e spikatur dhe nuk qe e tillë për disa shekuj të ardhshëm (ajo e 31 tetorit ishte më tepër “nata e fantazmave”, sesa “nata e shtrigave”).

Tendenca për ta vënë Halloween-in krahas botës së okultizmit filloi të përhapej në Shtetet e Bashkuara të shekullit XIX, kur familjet filluan të festonin mbrëmjen e 31 tetorit me lojëra të vogla që qëndronin mes shakasë dhe marifetit magjik. Për shembull, shumë vajza në moshë martese nxirrnin lejen për të qëndruar deri natën vonë, sepse besohej se cilado që shikonte në pasqyrë në tingullin e dymbëdhjetë të mesnatës, mund të shihte, për një moment, refleksin e fytyrës së burrit të vet të ardhshëm.

Në mënyrë të pashmangshme, këto “magji të vogla shtëpiake” përforcuan lidhjen midis Halloween-it dhe botës së okultizmit. Një lidhje që, gjatë shekullit XX, u thellua gjithnjë e më shumë; falë edhe kinematografisë dhe bumit të industrisë horror të viteve ’60, e cila filloi të shfrytëzojë përvjetorin e 31 tetorit për të lançuar filma të rinj kushtuar zombive, vampirëve, likantropëve etj.

5-Si lindi “trick-o’-treating[marifet apo ëmbëlsirë]?

Trick-o’-treating e matricës amerikane i ka rrënjët e veta në kontekstin e tensioneve të forta sociale që përfshinë Amerikën në vitet e krizës së shkaktuar nga kolapsi i Wall Street. Në shumë qytete, bandat (gang) e vogla të adoleshentëve problematikë e kishin bërë zakon të keq ta shfrytëzonin natën e Halloween-it për të shkaktuar akte të mirëfillta vandalizmi në dëm të pronave të fqinjëve më të pasur, duke shfryrë kështu dufin e tyre.

Legjenda rrëfen se, në vitin 1938, gazetarja amerikane Doris Hudson-Moss u përball hapur me njërin nga këta banditë të vegjël, i cili po i afrohej me kërcënim portës së shtëpisë së saj. Në vend që ta përzinte, ajo e ftoi të hynte në shtëpinë e saj dhe i ofroi një tortë … të cilën djali e kollofiti në dy kafshata, nga uria e madhe që kishte. Pastaj ai iku dhe, pas pak, u kthye përsëri me disa miq që gjetën të njëjtin trajtim nga Doris; në fund të natës së Halloween-it, shtëpia e gazetares ishte e vetmja në të gjithë lagjen që nuk pësoi asnjë shenjë vandalizmi. Në vitin 1939, Doris e rrëfeu përvojën e saj në revistën për femra American Home, duke ftuar të gjitha amvisat e Amerikës të ndiqnin shembullin e saj … dhe kështu u bë. Kështu lindi tradita e “trick or treat”.

6-A është e vërtetë që Halloween është ditëlindja e djallit?

Në asnjë mënyrë. Ndër të tjera, nuk rezulton se, në njëzet shekuj të historisë së krishterë, teologët të kenë kushtuar ndonjëherë kohë të veçantë për të hulumtuar mbi datën në të cilën Satani fik qirinjtë mbi tortë, duke qenë se djajtë (natyrisht) nuk kanë ditëlindje.

Përkufizimi i Halloween-it si ditëlindja e djallit u sajua në vitin 1986 nga Jack T. Chick, një karikaturist ungjillor i lidhur me botën e fundamentalizmit të krishterë të matricës protestante, i cili përdori artin e tij për të paralajmëruar të rinjtë për rreziqet e plagëve të rënda që kërcënonin shoqërinë.

Ndër më të frikshmet, sipas Chick-ut, ishin feminizmi, katolicizmi dhe teoria darviniane e evolucionit; por autori ishte gjithashtu disi i fiksuar me idenë e komploteve satanike që përpiqeshin të mashtronin fëmijët e pafajshëm; dhe ai besonte se mund të shihte një të tillë në festimet e Halloween-it tradicional të SHBA-së, “sipas masës fëmijërore”. Në vizionin e Chick-ut, edhe një kungull i gdhendur dhe një kostum shtrige ishin homazhe të pëlqyera për Satanin: një teori që karikaturisti e shprehu në komiken The Trick; ai qe autori i parë që e lidhi natën e Halloween-it me një ditëlindje demonike të pamundur.

Fakti që ka grupe të përkushtuara ndaj okultizmit të cilët mblidhen më 31 tetor për të kryer ritualet e tyre, është një çështje tjetër. Por, këto rituale nuk kanë lidhje me biskotat në formë kungulli dhe festat që kanë për temë Harry Potter-in. Njëmend, ka disa gjëra të frikshme që ndodhin natën e Halloween-it; por ndoshta do të ishte mirë t’i dallonim ato nga traditat më të pafajshme, për të shmangur shpërmendje dhe keqkuptime të rrezikshme.

BurimiAleteia

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme