20.5 C
Tirana
HomeKryesorARTI SINODAL I HESHTJES, NË DËGJIM TË HYJIT
KryesorARTI SINODAL I HESHTJES, NË DËGJIM TË HYJIT

ARTI SINODAL I HESHTJES, NË DËGJIM TË HYJIT

Nënë Maria Ignazia Angelini: heshtja, si ritmi i vërtetë dhe autentik i dialogut sinodal, është në të vërtetë luftë kundër banalitetit, kërkim i së vërtetës dhe pranim i misterit që fshihet te çdo njeri.

Në ditën e dytë të tërheqjes shpirtërore për pjesëmarrësit në Sinod, vjen sërish reflektimi i murgeshës benediktine mbi vlerën e heshtjes si lavd ndaj Zotit. Një “art sinodal” i mirëfilltë që mundëson lirimin nga padurimi, aktivizmi dhe ankimet për t’u vënë në dëgjim të fjalës së Hyjit.

«Nëse e do të vërtetën, je një dashurues i heshtjes»: një varg nga Isaku Sirian udhëhoqi meditimin e Nënës Maria Ignazia Angelini këtë mëngjes, më 1 tetor, në ditën e dytë të tërheqjes shpirtërore për anëtarët, delegatët vëllazërorë dhe të ftuarit e posaçëm në seksionin e dytë të Asamblesë së përgjithshme të zakonshme të XVI të Sinodit të Ipeshkvijve.

Heshtja e Hyjit, dimension konstituiv i fjalës njerëzore

Murgesha benediktine nga manastiri i Viboldonit, në Itali, u paraqiti të pranishmëve në sallën e re të Sinodit, temën e heshtjes si lavd ndaj Hyjit. «Në rrënjë të çdo lutjeje, të çdo “vepre të Hyjit” – tha ajo – fërfëllon heshtja e Frymës së Hyjit. Bëhet fjalë për ta perceptuar atë», sepse, siç thoshte shën Injaci i Antiokisë, «Zoti njihet në heshtjen e tij», në atë «zgavër» që përfaqëson «dimensionin konstitutiv të fjalës njerëzore».

Vlera e pauzave sinodale

Heshtja si «lavd tejet i lartë, ku nuk mund të bëhet gjë tjetër veçse të admirohet vepra e Hyjit» – vazhdoi Nënë Maria Angelini – është gjithashtu ajo që «na pozicionon në kremtimin pendestar dhe na shtyn gjithashtu që të vlerësojmë peshën e plotë të pauzave të heshtjes të futura ndër dialogët sinodalë». Këto momente, në të vërtetë, nuk duhen kuptuar si “një variacione çlodhëse», por si «një dëgjim i mahnitur i asaj që nuk është dëgjuar kurrë», një heshtje që i jep vlerë dhe përmbajtje shkëmbimeve midis pjesëmarrësve në Asamble.

«Skleroza» e zemrës së njeriut

Në përditshmërinë e fjalëve tona, vazhdoi murgesha benediktine, strehohen në fakt «shumë heshtje hipokrite» që nuk ia lejojnë zemrës së njeriut – «të sklerotizuar nga ankthet dhe frustrimet», por e etur për «plotësinë e jetës» – të rigjejë atë frymëmarrje e harmoni me heshtjen e Hyjit.

Në dëgjim të britmës së të varfërve dhe të Krijimit

Vështirësia për ta jetuar heshtjen ndeshet edhe në rrugëtimin sinodal, theksoi sërish Nënë Angelini, pasi kur zhytemi «në emfazën e koncepteve tona» nuk kemi as kohë dhe as dëshirë që t’i kushtohemi heshtjes. Ajo «na frikëson» sepse na lë të zhytur në një «vorbull mendimesh» në të cilën përballen kujtimet e së shkuarës, mërzia e së tashmes dhe ankthi i së ardhmes. Përkundrazi, heshtja që lavdëron Hyjin, «rrënja e çdo dialogu konstruktiv, e çdo rrugëtimi sinodal», është ai parim i çmuar i atyre që «dinë të largohen nga skena dhe të jetojnë një lloj vetmie të frytshme e të hapur ndaj tjetërsisë», në dëgjimin e fjalës së Hyjit, të britmës së të varfërve dhe të rënkimeve të krijimit». Heshtja, si «ritmi i vërtetë dhe autentik i dialogut sinodal», vazhdoi Nënë Angelini, është në të vërtetë «luftë kundër banalitetit, kërkim i së vërtetës dhe pranim i misterit që fshihet tek çdo njeri».

Kthimi dhe ecja e Kishës

Dhe pikërisht në këtë dimension, pohoi ajo, zënë vend punimet e Asamblesë Sinodalale, «e ngërthyer në një kthesë epokale të historisë dhe Kishës». Në një «heshtje kthimi», ecja e Asamblesë duhet të karakterizohet nga stili i Ungjillit i cili «duke ecur hap rrugën, përmes pengesave».

Çlirimi i shikimit nga aktivizmi dhe padurimi

Pikërisht si Jezusi: në pjesën ungjillore të shpallur këtë mëngjes, Ai është rrugës për në Jerusalem, por duke u ndalur në një fshat të samaritanëve, ai refuzohet. Përballë reagimeve ankuese të dishepujve, ai i qorton ata dhe më pas niset drejt një fshati tjetër. Ky, pra, është «arti “sinodal” i Zotërisë që i ofrohet Asamblesë» – përfundoi Nënë Angelini -, me fjalë të tjera, duhet «çliruar shikimi nga çdo padurim dhe aktivizëm sipërmarrës, nga pretendimet, nga hatërmbetjet dhe ankimet. Nga fjalët e “shumta”. Për të mirëpritur zellin e dëshirës që tërheq në heshtje drejt përmbushjes së vullnetit të Atit».

spot_img

Te fundit

spot_img