HomeKryesor8. Feja dhe jeta shoqërore, politike dhe ekonomike

8. Feja dhe jeta shoqërore, politike dhe ekonomike

Dokumentet e Koncilit II të Vatikanit. IV. Kushtetuta baritore Gaudium et spes (GS, 63-76)

Të dashur vëllezër e motra, mirëdita e mirë se erdhët!

Përmasa shoqërore është pjesë përbërëse jo vetëm e natyrës njerëzore, por edhe e fesë sonë në Jezu Krishtin, si një trashëgimi e çmuar që e marrim nga mishërimi i Birit të Hyjit. Kushtetuta Gaudium et spes (GS) na e kujton këtë gjë në kapitujt III dhe IV të pjesës së dytë, kushtuar jetës ekonomiko-shoqërore dhe asaj të bashkësisë politike. Edhe në këto fusha, feja e krishterë ofron kritere për shoshitje.

Etërit konciliarë vënë në dukje, para së gjithash, rrezikun për paqen botërore që buron nga çekuilibrat e lidhur me një zhvillim ekonomik të padrejtë dhe që nuk e respekton krijimin (krh. GS, 63). Një vizion largpamës, që fatkeqësisht është vërtetuar në pjesën e fundit të shekullit të kaluar dhe që e konstatojmë edhe më shumë sot. Për të ndryshuar drejtimin – paralajmëron Dokumenti – nuk mjafton zhvillimi teknik, «nevojiten shumë reforma në strukturat e jetës ekonomiko-shoqërore; është i nevojshëm gjithashtu një ndryshim i mendësisë dhe i zakoneve të jetesës nga ana e të gjithëve» (po aty).

Prandaj, Gaudium et spes paraqet në mënyrë të përmbledhur vizionin e krishterë të zhvillimit ekonomik, i cili duhet të jetë gjithmonë në shërbim të njeriut dhe nën kontrollin e tij (krh. GS, 64-65). Që këtu shfaqet qartë koncepti i zhvillimit të gjithanshëm, të cilin më pas Shën Pali VI do ta vendosë në qendër të Enciklikës së tij Populorum progressio (1967). Më aktuale se kurrë janë edhe thirrjet për t’u angazhuar në zhdukjen e diskriminimeve në dëm të grupeve shoqërore më të dobëta dhe të migrantëve (krh. GS, 66).

Në zemër të ekonomisë qëndron puna. Nëpërmjet saj, njeriu zhvillohet si person, siguron nevojat e familjes, shpreh talentin e vet, merr pjesë në jetën shoqërore dhe ndërton një botë më të mirë, duke bashkëpunuar në veprën krijuese të Hyjit. Puna nuk mund të shtrembërohet kurrë në dëm të personave, të së mirës së përbashkët apo të krijimit. Sfida e vërtetë është t’u ofrohen të gjithëve mundësi për t’i vënë në shërbim aftësitë e veta: papunësia, shfrytëzimi dhe kushtet e punës që vënë në rrezik shëndetin dhe vetë jetën janë të papranueshme (krh. GS, 67). Punëtorët kanë të drejtën dhe detyrën të marrin pjesë në vendimet që lidhen me veprimtarinë e tyre, edhe në formë të asociuar, duke i përballuar konfliktet me dialog dhe veprime jo të dhunshme (krh. GS, 68).

Në këtë kontekst, Koncili sjell ndër mend një nga parimet themelore të magjisterit shoqëror, domethënë cakun universal të të mirave të tokës (krh. GS, 69), dhe e zbret atë në fushën financiare, duke pohuar se «të gjithë përgjegjësit për këto investime dhe për organizimin e jetës ekonomike globale – qofshin individë, grupe apo autoritete publike – duhet […] nga njëra anë, të vigjilojnë që të sigurohen të mirat e nevojshme për një jetë të dinjitetshme si për individët, ashtu edhe për mbarë bashkësinë dhe, nga ana tjetër, të parashikojnë situatat e ardhshme dhe të sigurojnë një ekuilibër të drejtë ndërmjet nevojave të tanishme të konsumit, si individual ashtu edhe kolektiv, dhe kërkesave për investime për brezin e ardhshëm» (GS, 70).

Më pas, Gaudium et spes trajton bashkësinë politike, duke vlerësuar disa shenja pozitive të epokës bashkëkohore, sidomos faktin se «nga një vetëdije më e gjallë për dinjitetin njerëzor lind, në rajone të ndryshme të botës, përpjekja për të vendosur një rend politik dhe juridik, në të cilin të mbrohen më mirë të drejtat e personit në jetën publike» (GS, 73).

Bashkësia politike ekziston në funksion të së mirës së përbashkët, e cila përbëhet nga «tërësia e atyre kushteve të jetës shoqërore që u mundësojnë dhe ua lehtësojnë qenieve njerëzore, familjeve dhe shoqatave arritjen sa më të plotë të përsosjes së tyre» (GS, 74). Gjithashtu, ushtrimi i autoritetit politik duhet të synojë gjithmonë të mirën e përbashkët. Ky autoritet strukturohet dhe vepron sipas rrethanave vendore dhe historike, por duke pasur gjithmonë për zemër të mirën e mbarë familjes njerëzore (krh. po aty).

Gaudium et spes rithekson se «bashkësia politike dhe Kisha janë të pavarura dhe autonome nga njëra-tjetra në fushën përkatëse. Por të dyja, ndonëse në mënyra të ndryshme, janë në shërbim të thirrjes personale dhe shoqërore të të njëjtëve njerëz. Ato do ta kryejnë këtë shërbim në dobi të të gjithëve në mënyrë aq më të frytshme, sa më shumë të kultivojnë një bashkëpunim të shëndoshë ndërmjet tyre» (GS, 76).

Shumë të dashur, angazhimi në ekonomi dhe në politikë sipas këtyre kritereve është një mënyrë për të ndërtuar paqen. Siç kujtonte Papa Françesku, «lufta është një dështim i politikës dhe i njerëzimit, një dorëzim i turpshëm, një humbje përballë forcave të së keqes» (Let. enc. Fratelli tutti, 261). Përkundrazi, politika që kujdeset për plagët e popujve dhe të atyre që pësojnë padrejtësi, ofron arsye për të shpresuar në të ardhmen e njerëzimit.

Për këtë arsye, i nxis të rinjtë që të ndjekin shembullin e atyre burrave dhe grave që kanë dhënë një dëshmi të mirë në këto fusha. Dhe e përsëris nxitjen time drejtuar bashkësive të krishtera që t’i japin një shtysë të re formimit mbi doktrinën shoqërore të Kishës.

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme