14.5 C
Tirana
HomeKulturë150-vjetori: “Nderimi, mbijetesa dhe rikthimi i Fishtës në tri kohët e letërsisë”
HomeKulturë150-vjetori: “Nderimi, mbijetesa dhe rikthimi i Fishtës në tri kohët e letërsisë”

150-vjetori: “Nderimi, mbijetesa dhe rikthimi i Fishtës në tri kohët e letërsisë”

Në kuadër të 150-vjetorit të Gjergj Fishtës, ditën e djeshme është mbajtur një konferencën shkencore ad honorem, “Nderimi, mbijetesa dhe rikthimi i Fishtës në tri kohët e letërsisë”.

Në këtë takim merrnin pjesë shumë akademike dhe pedagog të shquar të universiteteve të ndryshme të Shqipërisë.

Konferencën e hapi me fjalën e tij përshendetëse, kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi. Ai e vlerësoi si figurë mbizotëruese për botën albanologjike të kohës që jetoi në tërësi.

“Gjergj Fishta ka qenë gjithnjë aty ku po ndodhte historia me gjithë dritëhijet e veta; është një emër që nuk mund të ndahet prej momenteve më të rëndësishme të saj; delegat i Shqipërisë në Konferencën e Paqes së Versajës (1919), me një rol të dallueshëm në mbrojtje të çështjes shqiptare; nënkryetar i Këshillit Kombëtar të dalë nga aktet e Kongresit të Lushnjes më 1921; mbështetës i lëvizjes demokratike që kryesohej nga Noli dhe Gurakuqi, model oratorie në fjalën përcjellëse të Avni Rustemit; mik letërsie dhe njerëzie me Lasgushin dhe Asdrenin; deputet e gojëtar që ka lënë gjurmë në historinë e parlamentarizmit shqiptar; nxitës prej më të parëve për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Amerikën”, tha ndër të tjera akad. Skënder Gjinushi

Në emër të Konferencën Ipeshkvnore të Shqipërisë, fjalën përshendetëse e mbajti Sekretari i Përgjithshëm, Imzot Gjergj Meta, i cili theksoi se figura si Fishta nuk mund të trajtohen në mënyrë njëdrejtimëshe.

Imzot Gjergj Meta

“Figura si Fishta nuk mund të trajtohen në mënyrë njëdrejtimëshe.  Kërkohet së pari një distancë jo vetëm historike, por edhe emocionale, për një historiografi sa më objektive. Nevojitet po ashtu një proces konvertimi dhe çlirimi nga ngarkesa ideologjike rreth figurës së tij që mund të jenë sulmuese ose edhe mbrojtëse. Së dyti, si për shumë personazhe të tjera të këtyre përmasave, kërkohet ndërdisiplinaritet që përfshin historinë, letërsinë, përshpirtërinë, politikën, me një fjalë duhet një hermeneutikë e cila niset nga dimensione të shumta të cilat në vend që të përplasen mund të dialogojnë. Mund ta shohin polemosin e domosdoshëm në fushën e dijes dhe kërkimit si një proces dialogues në shërbim të së vërtetës.  Vetëm kështu do ta çlirojmë Fishtën qoftë nga zgjedha e përbaltjes e qoftë nga hiperbolizimi mitizues”, u shpreh Imzot Gjergj Meta në fjalën përshëndetëse në konferencën shkencore të zhvilluar me rastin e 150 vjetorit të At Gjergj Fishtës.

Konferenca u zhvillua në dy seanca. Seancën e parë e drejtuan akademiku Shaban Sinani, Prof. Dr. Mimoza Priku dhe Prof. Dr. Bajram Kosumi ndërsa seancën e dytë e drejtuan akad. emeritus Gjovalin Shkurtaj, Prof. Asoc. Dr. Monika Hasani dhe Prof. Dr. Valter Memishaj.

Prof. dr. Bajram Kosumi (Universiteti “Kadri Zeka” i Gjilanit) foli për funksionin edukativ të “Lahutës së Malcìs” dhe vendin e saj në kurrikulat shkollore”. Ai tha se kritikët dhe lexuesit e veprës së Fishtës, duke parë vlerën e lartë të saj, kanë shtruar çështjen e vendit të Fishtës në historinë e letërsisë shqipe. Vepra e Fishtës është e veçantë nga tradita letrare shqiptare. Së pari, Fishta ka shkruar epin kombëtar shqiptar në frymën e romantizmit, atëherë kur romantizmi ishte çështje e historisë së letërsisë dhe atëherë kur shkrimi i epit, si formë letrare, konsiderohej po ashtu si punë e së kaluarës. Epi kombëtar shqiptar “Lahuta e Malcis” e Fishtës, është epi i fundit i një letërsie europiane.

Akad. Ardian Ndreca (Universiteti Pontifikal, Romë) veprën e Fishtës “Gomari i Babatasit” e vlerësoi si një manifest kundër legjitimitetit të injorancës.

Prof. asoc. dr. Eldon Gjika foli për “Shënimet estetike” të Fishtës;

Akad. Bardhyl Demiraj online nga (Universiteti “Ludëig Maximilian” i Mynihut) mbajti kumtesën midis “Urës së Sutjeskës” dhe asaj të Qabesë: motive folklorike në “Lahutën e Malcìs”.

Prof. asoc. dr. Evalda Paci (Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë) foli për lirikën e Fishtës në një perspektivë të botimit filologjik e kritik. Ajo tha se në rastin e Gjergj Fishtës lirikat kanë një historik të mirëfilltë, i mundshëm për t’u ndjekur në disa orientime, përfshirë edhe shfaqjet e autorit në revista që lidhen me thelbin e përshpitnisë franceskane, jetëgjatësia e të cilave përkon dhe me momente kruciale të historisë së urdhënit, të cilit ky i fundit i përkiste. Paci tha se vështrimi i lirikës së Fishtës lidhet me njohjen e shfaqjes së krijimtarisë së tij në disa variante.

Dr. Arian Leka (Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë) mbajti kumtesën “Mitologji e krishterë në veprën e Fishtës”.

Përmbajtja e mitologjisë së krishterë i shfaq Fishtës një horizont kulturor të dallueshëm mes miteve parardhëse dhe miteve “të vërtetë”, për faktin se mitologjia e krishterë iu bënë jehonë realiteteve të rizbuluara, në themel të cilave janë metafora të tilla si hyjlindja, kryqëzimi, ekaristia, mrekullibërja e pelegrinazhi, si mit shpëtimi dhe formë në miniaturë e eksodit.

Duke i lënë për formën e botuar argumentet mbi mitologjinë e krishterë në poezinë a dramaturgjinë e Fishtës propozojmë një zonë jo fort të rrahuar të krijimtarisë së tij, prej nga shfaqja e këtyre motiveve vjen po aq e begatë sa në poezi e dramë, tha dr.Arian Leka.

Prof. dr. Lekë Sokoli mbajti kumtesën “Sociologjia e Gjergj Fishtës.

Prof. dr. Blerina Suta (Universiteti “L’Orientale” i Napolit) në kumtesën “Manzoni dhe poetika e Fishtës”, bëri një vështrim krahasues me poetin Manzoni, lidhur me llojin e vargut, ritmit, rimës spontane dhe sidomos regjistrin leksikor poetik në gegnisht sipas estetikës së Fishtës.

Akad. emeritus Gjovalin Shkurtaj (Akademia e Shkencave) në kumtesën “Urtësia e Malësisë së Madhe dhe malësorëve dhe pasuria ligjërimore malësore në “Lahutën” e Fishtës” tha mes të tjerave se Gjergj Fishta e njohu mirë dhe e deshi Malësinë e Madhe, shkroi për bëmat trimërore e bujarinë e malësorëve një nga poemat më të bukura të letërsisë shqiptare, këndoi në kryeveprën e vet hapësirat e urtësisë, trimërisë dhe bujarisë proverbiale të malësorëve, duke e pohuar e fiksuar në vargje lapidare krenarinë dhe atdhetarinë e malësorëve të Hotit e të krejt Malësisë së Madhe. Ai foli tej për njohjen rreth dukurive gjuhësore që përftohen nga vepra e Fishtës.

Prof. dr. Valter Memisha (Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë) foli rreth frazeologjisë në publicistikën e Fishtës. Ai tha se Fishta mbart shumësi vlerash dhe vlera të pazbuluara ende. Fishta e njihte më shumë se rrallëkush shqipen, i përdori mjeshtërisht mjetet e saj shënuese e shprehëse, pasuroi ato ndjeshëm, e përpunoi gjuhën në një shkallë përsosmërie, sa veprat e tij mbeten gjedhe e shprehjes gjuhësore dhe jo vetëm….

Prof. dr. Mimoza Priku (Universiteti “Luigj Gurakuqi” i Shkodrës) foli për interpretimet kritike e gjuhësore mbi poetikën e Fishtës.

Prof. dr. Kristaq Jorgo (Universiteti i Tiranës) e Edlira Birko sollën në të konferencë studimin Gjergj Fishta – projektues i botës shqiptare në tekst; ku u theksua vizioni, misioni e funksioni i gjithë veprës së Fishtës.

Prof. asoc. dr. Monika Hasani foli rreth disa strukturave foljore në poezinë e Fishtës; ku ka shjelluar me argumente dhe fakte disa nga strategjitë drejtshkrimore që kapërcejnë përmbi format dialektore.

Akad. asoc. Stefan Çapaliku (Akademia e Shkencave) foli për estetikën e satirës fishtiane. Ai tha se satira e Fishtës imiton, eksploron, analizon të keqen, apo po të përdorim termin aristotelian “të shëmtuarën”, por në të njëjtën kohë ajo bën të ndërgjegjshëm lexuesin për ekzistencën e një gishti të gjatë e të kontraktuar tregues që drejtohet kah e keqja dhe e shëmtuara, për ekzistencën e një “duhet” apo s’duhet” kjo apo ajo gjë, ky apo ai njeri e mentalitet. Satira e ndihmon atë për të marrë një pozicion moral, për të shprehur hapur gjykime. Më tej Çapaliku tha satira e Fishtës vjen e realizuar përmes një shqyrtimi estetik.

Prof. dr. Shaban Sinani (Akademia e Shkencave) mbajti kumtesën:“Sibilat” e Bogdanit dhe “Orët” e Fishtës.

Dr. Tonin Çobani (Universiteti “Luigj Gurakuqi” i Shkodrës) foli për “Shkrolat” e arta të Fishtës. Ai theksoi përdorimin e fjalës “shkrola” në krijimtarinë e Fishtës si një arkaizëm që ka shumë vlerë për fjalorin e shqipes, e cila është një fjalë e rrallë që e ka marrë në konsideratë edhe gjuhëtari i madh Eqerem Çabej.

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme