10.5 C
Tirana
HomeKISHVeset dhe virtytet. Zemërimi (Hidhërimi)
HomeKISHVeset dhe virtytet. Zemërimi (Hidhërimi)

Veset dhe virtytet. Zemërimi (Hidhërimi)

Katekezë 6.

PAPA FRANÇESKU

AUDIENCË E PËRGJITHSHME

Vëllezër e motra, mirëdita!

Në këto javë po trajtojmë temën e veseve dhe virtyteve. Sot do të ndalemi për të reflektuar mbi vesin e zemërimit. Është një ves veçanërisht i zymtë dhe mbase është më i lehti për t’u spikatur nga pikëpamja fizike. Personi i mbizotëruar nga zemërimi e ka të vështirë ta fshehë këtë duf: e dallon atë nga lëvizjet e trupit të tij, nga agresiviteti, nga frymëmarrja e mundimshme, nga vështrimi i vëngërt dhe i vrenjtur.

Në shpërfaqjen e tij më të mprehtë, zemërimi është një ves që s’pret. Nëse ai lind nga një padrejtësi e pësuar (ose pandehet e tillë), ai shpeshherë nuk lëshohet kundër personit fajtor, por kundër fatkeqit të parë që rastis. Ka burra që e përmbajnë zemërimin në vendin e punës, duke u shfaqur të qetë dhe të përmbledhur, por si të shkojnë në shtëpi bëhen të padurueshëm për gruan dhe fëmijët. Zemërimi është një ves që merr dhenë: është i aftë të na e tresë gjumin e të na bëjë të bluajmë pareshtur në mendjet tona, pa arritur t’u vërë fre arsyetimeve dhe mendimeve.

Zemërimi është një ves që shkatërron marrëdhëniet njerëzore. Shpreh paaftësinë për të pranuar anën ndryshe të tjetrit, veçanërisht kur zgjedhjet jetësore s’përputhen me tonat. S’përmbahet para sjelljeve të gabuara të një personi, por i fut të gjitha në një thes: është tjetri, tjetri ashtu siç është, tjetri si i tillë, shkaktari i hidhërimit e i mllefit. Fillon e urren tonin e zërit të tij, gjestet e rëndomta të përditshme të tij, mënyrat se si ai arsyeton dhe ndjen.

Kur marrëdhënia arrin këtë nivel degjenerimi, kthjelltësia tanimë ka humbur. Zemërimi ta merr kthjelltësinë. Sepse një nga karakteristikat e zemërimit, ndonjëherë, është fakti që nuk arrin të zbutet me kalimin e kohës. Në ato raste edhe largësia e heshtja, në vend që ta qetësojnë peshën e keqkuptimeve, e stërmadhojnë atë. Është për këtë arsye që Pali apostull – siç e kemi dëgjuar – i porosit të krishterët e tij që ta trajtojnë menjëherë problemin dhe të përpiqen për t’u pajtuar: «Dielli të mos perëndojë mbi hidhërimin tuaj!» (Ef 4,26). Është e rëndësishme që gjithçka të shkrihet menjëherë, para se të perëndojë dielli. Nëse gjatë ditës mund të lindë ndonjë keqkuptim dhe dy njerëz s’merren më vesh me njëri-tjetrin, duke u ndjerë papritur si të largët, nata nuk duhet t’i dorëzohet djallit. Vesi do të na mbante zgjuar në terr, duke përbluar arsyetimet tona dhe gabimet e pacilësueshme që nuk janë askurrë tonat e gjithmonë të tjetrit. Është kështu: kur një njeri mbizotërohet nga zemërimi, gjithmonë thotë se problemi qëndron te tjetri; s’është kurrë i aftë që t’i njohë të metat e veta, mangësitë e veta.

Në lutjen “Ati ynë” Jezusi na bën të lutemi për marrëdhëniet tona njerëzore që janë një fushë e minuar: një plan që nuk qëndron kurrë në ekuilibër të përsosur. Në jetë kemi të bëjmë me borxhli që janë shkelës kundrejt nesh; ashtu si, padyshim, edhe ne nuk i kemi dashur kurdoherë të gjithë në masën e duhur. Ndokujt nuk ia kemi kthyer dashurinë që i takonte. Jemi të gjithë mëkatarë, të gjithë, e të gjithë i kemi llogaritë në të kuqe: mos e harroni këtë gjë! Prandaj, të gjithë kemi nevojë që të mësojmë të falim, në mënyrë që të gjejmë falje. Njerëzit nuk qëndrojnë së bashku nëse nuk ushtrohen edhe në artin e faljes, sado që kjo gjë është njerëzisht e pamundur. Ajo që kundërshton zemërimin është dashamirësia, zemërgjerësia, butësia, duresa.

Por, lidhur me zemërimin, duhet thënë edhe një gjë të fundit. Është një ves i tmerrshëm, thuhej, që qëndron në zanafillë të luftërave dhe të dhunës. Parathënia e Iliadës e përshkruan “zemërimin e Akilit”, si ajo gjë që do të jetë shkaku i “vajeve të pafund”. Por jo gjithçka që lind nga zemërimi është e gabuar. Të vjetrit e dinin fare mirë se në ne ekziston një anë gjaknxehtësie e cila s’mund e s’duhet mohuar. Pasionet janë deri diku të pavetëdijshme: ato shfaqen, janë përvoja të jetës. Nuk jemi përgjegjës për zemërimin në të ngalliturit e tij, por, po, gjithmonë për zhvillimin e tij. E ndonjëherë është mirë që zemërimi të shfryhet në mënyrën e duhur. Nëse një person nuk zemërohet kurrë, nëse nuk indinjohet përballë një padrejtësie, nëse përballë shtypjes së një të dobëti nuk zien përbrenda, atëherë do të thotë se ai person nuk është njerëzor, aq më pak i krishterë.

Ekziston një indinjatë e shenjtë, që nuk është zemërim, por një lëvizje e brendshme, një indinjatë e shenjtë. Jezusi e ka sprovuar disa herë në jetën e tij (krh. Mk 3,5): ai kurrë nuk i është përgjigjur së keqes me të keqe, por në shpirt e ka sprovuar këtë ndjenjë dhe, në rastin e tregtarëve në Tempull, kreu një veprim të fortë e profetik, i diktuar jo nga zemërimi, por nga zelli për shtëpinë e Zotit (krh. Mt 21,12-13). Duhet ta dallojmë mirë: një gjë është zelli, indinjata e shenjtë, e tjetër gjë është zemërimi, që është i keq.

Na përket neve, me ndihmën e Shpirtit Shenjt, që t’ua gjejmë masën e duhur pasioneve, t’i edukojmë mirë, në mënyrë që të shkojnë drejt së mirës e jo drejt së keqes. Faleminderit.

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme