10.5 C
Tirana
HomeKryesorVeset dhe virtytet. Të vepruarit e virtytshëm
HomeKryesorVeset dhe virtytet. Të vepruarit e virtytshëm

Veset dhe virtytet. Të vepruarit e virtytshëm

Katekezë 11.

PAPA FRANÇESKU

AUDIENCË E PËRGJITHSHME

Vëllezër e motra, mirëdita!

Pasi kemi përmbyllur paraqitjen e veseve, ka ardhur koha që të kthejmë vështrimin tonë në tablonë simetrike, e cila qëndron si anë e kundërt e përvojës së të keqes. Zemra e njeriut mund të kënaqë pasionet e liga, mund t’ua vërë veshin tundimeve të dëmshme e të maskuara me petka bindëse, por edhe mund t’u kundërvihet të gjitha këtyre gjërave. Sado e mundimshme që mund të jetë, qenia njerëzore është krijuar për të mirën, e cila e përmbush atë me të vërtetë, dhe gjithashtu mund ta praktikojë këtë art, duke bërë që disa shprehi gatishmërie të bëhen të përhershme tek ai ose ajo. Reflektimi rreth kësaj mundësie të mrekullueshme tonën formon një kapitull klasik të filozofisë morale: kapitullin e virtyteve.

Filozofët romakë e quanin virtus, ndërsa filozofët grekë aretè. Termi latin nënvizon mbi të gjitha se njeriu i virtytshëm është i fortë, i guximshëm, i aftë për disiplinë dhe asketizëm; prandaj ushtrimi i virtyteve është fryt i një mugullimi të gjatë, që kërkon përpjekje e vuajtje gjithashtu. Ndërsa fjala greke, aretè, tregon diçka që shkëlqen, diçka që shfaqet, që ngjall admirim. Njeriu i virtytshëm është, pra, ai që nuk çnatyrohet duke u deformuar, por i qëndron besnik thirrjes së vet dhe e përmbush plotësisht vetveten.

Do të ishim në rrugë të gabuar po të mendonim se shenjtërit përbëjnë përjashtime për njerëzimin: një lloj rrethi i ngushtë kampionësh që jetojnë përtej kufijve të species sonë. Shenjtërit, në këtë këndvështrim që sapo e paraqitëm në lidhje me virtytet, janë ata që bëhen plotësisht vetvetja, që realizojnë thirrjen përkatëse të çdo njeriu. Çfarë bote e lumtur do të ishte ajo në të cilën drejtësia, respekti, dashamirësia e ndërsjellë, shpirtgjerësia, shpresa të ishin normaliteti i përbashkët dhe jo një anomali e rrallë! Ja pse kapitulli i të vepruarit të virtytshëm, në këto kohët tona dramatike, në të cilat shpesh merremi me më të keqen e njerëzores, do ishte e udhës të rizbulohej e të praktikohej nga të gjithë. Në një botë të deformuar, duhet të kujtohemi për formën me të cilën jemi trajtuar, për shëmbëllesën e Hyjit që është e vulosur në ne përgjithmonë.

Por si mund ta përkufizojmë konceptin e virtytit? Katekizmi i Kishës Katolike na ofron një përkufizim të saktë dhe të përmbledhur: «Virtyti është gatishmëri e zakonshme dhe e vendosur për të bërë të mirën» (nr. 1803). Nuk është, pra, një e mirë e improvizuar e disi e rastësishme, e cila bie nga qielli në mënyrë episodike. Historia na tregon se edhe kriminelët, në një moment kthjelltësie, kanë kryer vepra të mira; sigurisht që këto vepra janë të shkruara në “librin e Hyjit”, por virtyti është diçka tjetër. Është një e mirë që lind falë një pjekurie të ngadaltë të njeriut, derisa bëhet karakteristikë e brendshme. Virtyti është një habitus [shprehi] i lirisë. Nëse jemi të lirë në çdo veprim, dhe çdo herë jemi të thirrur që të zgjedhim mes së mirës dhe së keqes, virtyti është ai që na mundëson të kemi një shprehi drejt zgjedhjes së duhur.

Nëse virtyti është një dhuratë kaq e bukur, menjëherë lind pyetja: si mund ta fitojmë atë? Përgjigja për këtë pyetje nuk është e thjeshtë, është komplekse.

Për të krishterin, ndihma e parë është hiri i Hyjit. Njëmend, në ne të pagëzuarit, vepron Shpirti Shenjt, i cili punon në shpirtin tonë për ta çuar atë në një jetë të virtytshme. Sa shumë të krishterë e kanë arritur shenjtërinë përmes lotëve, duke vërejtur se nuk i tejkalonin dot disa dobësi të vetat! Por ata kanë përjetuar se Hyji e ka përmbushur atë punë të mirë që për ta ishte vetëm një plan. Hiri i paraprin gjithmonë angazhimit tonë moral.

Për më tepër, nuk duhet ta harrojmë kurrë mësimin shumë të vyer që na vjen nga urtia e të parëve, që na thotë se virtyti rritet dhe mund të kultivohet. E që kjo të ndodhë, dhurata e parë e Shpirtit për t’u kërkuar është urtia. Qenia njerëzore nuk është një territor i lirë ku kënaqësitë, emocionet, instinktet, pasionet, ia dalin e ne s’arrijmë të bëjmë asgjë kundër këtyre forcave, ndonjëherë kaotike, që e banojnë. Një dhuratë e paçmuar që zotërojmë është mendja hapur, është urtia që di të mësojë nga gabimet për ta drejtuar mirë jetën. Pastaj duhet vullneti i mirë: aftësia për të zgjedhur të mirën, për t’i dhënë trajtë vetes me anë të ushtrimeve asketike, duke shmangur teprimet.

Të dashur vëllezër e motra, ta fillojmë kështu udhëtimin tonë përmes virtyteve, në këtë univers të qetë që paraqitet angazhues, por vendimtar për lumturinë tonë.

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme