10.5 C
Tirana
HomeKISHVeset dhe virtytet. Smira dhe lavdia e kotë
HomeKISHVeset dhe virtytet. Smira dhe lavdia e kotë

Veset dhe virtytet. Smira dhe lavdia e kotë

Katekezë 9.

PAPA FRANÇESKU

AUDIENCË E PËRGJITHSHME

Vëllezër e motra, mirëdita!

Sot do të marrim në shqyrtim dy vese kryesore që i gjejmë në listat e mëdha që na ka lënë tradita shpirtërore: smira dhe lavdia e kotë.

Le të fillojmë me smirën. Nëse e lexojmë Shkrimin e shenjtë (krh. Zan 4), ajo shfaqet si një nga veset më të qëmoçme: urrejtja e Kainit kundrejt Abelit ndizet kur ai vëren se flitë e vëllait të tij janë të pëlqyeshme para Hyjit. Kaini ishte i parëlinduri i Adamit e Evës. Kishte marrë pjesën më të majme të trashëgimisë atërore; e megjithatë, mjafton që Abeli, vëllai i vogël, të ketë sukses në një ndërmarrje të vogël, që Kaini të terrohet. Fytyra e smirëziut është gjithmonë e trishtuar: vështrimi i tij është poshtë, duket sikur heton vazhdimisht dheun, por në të vërtetë nuk sheh asgjë, sepse mendjen e ka të mbështjellë me mendime plot keqdashje. Smira, nëse nuk kontrollohet, çon në urrejtje ndaj tjetrit. Abeli ​​do të vritet prej duarve të Kainit, i cili nuk mund ta duronte lumturinë e të vëllait.

Smira është një e keqe që hulumtohet jo vetëm në rrafshin e krishterë: ajo ka tërhequr vëmendjen e filozofëve dhe studiuesve të çdo kulture. Në themel të saj qëndron një marrëdhënie urrejtjeje e dashurie: dëshirohet e keqja për tjetrin, por në fshehtësi dëshirohet të qenurit si ai. Tjetri është epifania [dëftimi] e asaj që do të donim të ishim, e që në realitet nuk jemi. E mbara e tij na duket si një padrejtësi: me siguri – mendojmë – ne do t’i meritonim shumë më tepër sukseset e tij ose fatin e tij të mirë!

Në rrënjë të këtij vesi qëndron një ide e rreme për Hyjin: nuk pranohet që Hyji të ketë “matematikën” e vet, të ndryshme nga e jona. Për shembull, në shëmbëlltyrën e Jezusit mbi punëtorët e thirrur nga zotëria për të shkuar në vresht në orë të ndryshme të ditës, ata të orës së parë pandehin se kanë të drejtë për një pagesë më të lartë se ata që mbërritën të fundit; por zotëria u jep të gjithëve të njëjtën pagesë dhe thotë: «A nuk kam të drejtë të bëj me pasurinë time si më pëlqen mua? Vallë a duhet të jesh ti smirëzi pse jam unë i mirë?» (Mt 20,15). Ne do të donim t’ia impononim Hyjit logjikën tonë egoiste, porse logjika e Hyjit është dashuria. Të mirat që Ai na dhuron janë bërë për t’u bashkëndarë. Për këtë arsye shën Pali i nxit të krishterët: «Duajeni njëri‑tjetrin me dashuri vëllazërore! Prijini njëri‑tjetrit duke nderuar shokun më parë e më tepër!» (Rom 12,10). Ja këtu ilaçi kundër smirës!

Vijmë tani te vesi i dytë që e shqyrtojmë sot: lavdia e kotë. Ajo shkon krah për krah me djallin e smirës dhe së bashku këto dy vese janë tipike të një personi që aspiron të jetë qendra e botës, i lirë për të shfrytëzuar gjithçka e të gjithë, objekt i çdo lavdërimi e i çdo dashurie. Lavdia e kotë është një vetëvlerësim i fryrë dhe i pabazë. Personi mburravec ka një “unë” të  pangopshëm: nuk ka empati dhe nuk kupton se ka njerëz të tjerë në botë përveç tij. Marrëdhëniet e tij janë gjithmonë mjetësore [në funksion të qëllimit të vet], të karakterizuara nga mbizotërimi i të tjerëve. Personi i tij, ndërmarrjet e tij, sukseset e tij duhet t’u shpërfaqen të gjithëve: ai është një lypës i përhershëm për vëmendje. E nëse ndonjëherë cilësitë e tij nuk njihen, atëherë zemërohet egërsisht. Të tjerët janë të padrejtë, nuk kuptojnë, nuk janë në nivelin e duhur. Në shkrimet e tij, Evagrio Pontico përshkruan historinë e hidhur të një murgu të goditur nga lavdia e kotë. Ndodhi që, pas sukseseve të para në jetën shpirtërore, ai të ndihej si i arritur tashmë, e më pas u turr në botë për të marrë lëvdatat vetjake. Por nuk kupton se ai është vetëm në fillim të rrugëtimit shpirtëror dhe se pas derës qëndron strukur një tundim që së shpejti do ta hedh përtokë.

Për t’u shëruar nga kjo lavdi e kotë, mësuesit shpirtërorë nuk sugjerojnë shumë zgjidhje. Sepse në fund të fundit, e keqja e lavdisë së kotë e ka dermanin në vetvete: lavdërimet që kryelarti shpresonte të korrte në botë, së shpejti do të kthehen kundër tij. E sa njerëz, të mashtruar nga një përfytyrim i rremë i vetes së tyre, kanë rënë në mëkate për të cilat shpejt ngelnin të turpëruar!

Udhëzimin më të bukur për ta mposhtur lavdinë e kotë mund ta gjejmë në dëshminë e shën Palit. Apostullit i është dashur gjithmonë t’i bëjë hesapet me një të metë që s’arrinte ta mposhtte. Tri herë ia kërkoi Zotit që ta çlironte nga ai mundim, por në fund Jezusi iu përgjigj: «Të mjafton hiri im; sepse fuqia përsoset në ligështi». Që nga ajo ditë Pali qe liruar. Dhe përfundimi i tij duhet të bëhet edhe i yni: «Për këtë arsye me kënaqësi do të krenohem edhe më tepër me ligështitë e mia që të banojë në mua fuqia e Krishtit» (2 Kor 12,9).

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme