6.5 C
Tirana
HomeKISHVeset dhe Virtytet - Feja.
HomeKISHVeset dhe Virtytet - Feja.

Veset dhe Virtytet – Feja.

Katekezë 17.

PAPA FRANÇESKU

AUDIENCË E PËRGJITHSHME

Të dashur vëllezër e motra, mirëdita!

Sot do të doja të flisja për virtytin e fesë. Së bashku me dashurinë dhe shpresën, ky virtyt quhet “teologal”. Janë tri virtyte teologale: feja, shpresa dhe dashuria. Pse janë teologale? Sepse ato mund të jetohen vetëm falë dhuratës së Hyjit. Tri virtytet teologale janë dhuratat e mëdha që Hyji ia jep aftësisë sonë morale. Pa to ne mund të ishim të matur, të drejtë, të fortë dhe të vetëpërmbajtur, por nuk do të kishim sy për të parë edhe në errësirë, nuk do të kishim një zemër për të dashur edhe kur nuk është e dashur, nuk do të kishim një shpresë për të guxuar kundër çdo shprese.

Çfarë është feja? Katekizmi i Kishës Katolike na shpjegon se feja është akti me të cilin qenia njerëzore i braktiset lirisht Hyjit (nr. 1814). Në këtë fe, Abrahami ishte ati i madh. Kur ai pranoi ta linte tokën e të parëve të tij për t’u nisur drejt tokës që Hyji do t’ia tregonte, me shumë gjasë ai është gjykuar si i çmendur: pse ta linte të njohurën për të panjohurën, të sigurtën për të pasigurtën? Përse të bëhet një gjë e tillë? Është i çmendur? Por Abrahami niset, sikur ta shihte të padukshmen. Kështu thotë Bibla për Abrahamin: “Ai u nis sikur të shihte të padukshmen”. Kjo është e bukur. Dhe do të jetë përsëri kjo e padukshme që e bën atë të ngjitet në mal me djalin e tij Isakun, djali i vetëm i premtimit, i cili do të shpëtojë nga flijimi vetëm në momentin e fundit. Në këtë fe, Abrahami bëhet ati i një aradhe të gjatë fëmijësh. Feja e bëri atë të frytshëm.

Një njeri feje do të jetë Moisiu, i cili, duke e mirëpritur zërin e Hyjit edhe kur më shumë se një dyshim mjaftonte për ta tronditur, vazhdoi të qëndrojë i palëkundur dhe t’i zinte besë Zotit, madje edhe ta mbrojë popullin që shpeshherë nuk kishte fe.

Një grua feje do të jetë Virgjëra Mari, e cila, duke marrë lajmërimin e Engjëllit, të cilin shumë s’do ta kishin marrë parasysh meqenëse tepër kërkues dhe i rrezikshëm, përgjigjet: «Unë jam shërbëtorja e Zotit: Më ndodhtë siç the ti!» (Lk 1,38). Dhe me një zemër plot fe, me një zemër plot besim te Hyji, Maria niset një rruge që s’di nga i bie e as nuk ia di rreziqet.

Feja është virtyti që e bën të krishterin të tillë. Sepse të jesh i krishterë nuk do të thotë para së gjithash të pranosh një kulturë, me vlerat që e shoqërojnë atë, por të jesh i krishterë është të mirëpresësh dhe të ruash një lidhje, një lidhje me Hyjin: unë dhe Hyji; personi im dhe fytyra e dashur e Jezusit. Kjo lidhje është ajo që na bën të krishterë.

Lidhur me fenë, më vjen ndërmend një episod i Ungjillit. Dishepujt e Jezusit po kalojnë liqenin dhe janë të befasuar nga stuhia. Ata mendojnë se mund t’ia dalin mbanë me forcën e krahëve të tyre, me burimet e përvojës, por varka fillon të mbushet me ujë dhe i zë paniku (shih Mk 4,35-41). Ata nuk e kuptojnë se e kanë zgjidhjen para syve: Jezusi është aty me ta në barkë, në mes të stuhisë, dhe Jezusi po fle, thotë Ungjilli. Kur më në fund e zgjojnë, të frikësuar dhe gjithashtu të zemëruar sepse po vdisnin, Jezusi i qorton: «Pse keni frikë? A nuk keni ende fe?» (Mk 4,40).

Ja, pra, armiku i madh i fesë: nuk është inteligjenca, nuk është arsyeja, siç, mjerisht, dikush vazhdon ta përsërisë me obsesion, por armiku i madh i fesë është frika. Për këtë arsye, feja është dhurata e parë që duhet mirëpritur në jetën e krishterë: një dhuratë që duhet mirëpritur dhe kërkuar çdo ditë, që të ripërtërihet te ne. Në dukje është një dhuratë që vlen pak, por është thelbësore. Kur na kanë çuar të gurra pagëzimore, prindërit tanë, pasi kanë shqiptuar emrin që kishin zgjedhur për ne, janë pyetur nga meshtari – kjo ka ndodhur në Pagëzimin tonë –: «Çfarë kërkoni nga Kisha e Hyjit?». Dhe prindërit janë përgjigjur: «Fenë, pagëzimin!».

Për një prind të krishterë, i vetëdijshëm për hirin që i është dhuruar, kjo është dhurata për t’u kërkuar edhe për fëmijën e tij: fenë. Përmes saj një prind e di se, megjithëse në mes të sprovave të jetës, fëmija i tij nuk do të mbytet nga frika. Ja, armiku është frika. Ai gjithashtu e di se kur të mos e ketë më një prind në këtë tokë, do të vazhdojë të ketë një Hyj Atë në qiell, i cili nuk do ta braktisë kurrë. Dashuria jonë është kaq e brishtë dhe vetëm dashuria e Hyjit e mund vdekjen.

Natyrisht, siç thotë Apostulli, feja nuk është e të gjithëve (krh. 2 Sel 3,2), madje edhe ne, që jemi besimtarë, shpesh e kuptojmë se kemi vetëm një rezervë të vogël nga ajo. Jezusi shpesh mund të na qortojë, siç bëri me dishepujt e vet, se jemi “njerëz fepakë”. Porse është dhurata më fatlume, i vetmi virtyt për t’u pasur zili. Sepse kush ka fe është i banuar nga një forcë që nuk është vetëm njerëzore; njëmend, feja “ndez” hirin në ne dhe e hap mendjen ndaj misterit të Hyjit, sikurse tha njëherë Jezusi: «Po të kishit fe aq sa është kokrra e sinapit, do t’i thoshit këtij mani: “Shkulu me gjithë rrënjë dhe mbillu në det!” e ai do t’ju dëgjonte». (Lk 17,6). Prandaj edhe ne, si dishepujt, ia përsërisim: Zot, na e shto fenë! (krh. Lk 17,5) Është një lutje e bukur! Ta themi të gjithë së bashku? “Zot, na e shto fenë”. Le ta themi së bashku: [të gjithë] “Zot, na e shto fenë”. Shumë dobët, pak më fort: [të gjithë] “Zot, na e shto fenë!”. Faleminderit.

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme