Ati i Shenjtë, Papa Leoni XIV, ka emëruar Maria Montserrat Alvarado në krye të Dikasterit për Komunikimin, një detyrë që ajo do ta marrë zyrtarisht më 1 nëntor 2026. Ajo do të pasojë Paolo Ruffinin, i cili përfundon shërbimin e tij pas arritjes së moshës së pensionit në tetor të këtij viti.
E lindur në Meksikë, Alvarado aktualisht drejton sektorin informativ të rrjetit katolik EWTN News, ku mban postin e presidentes dhe drejtoreshës operative. Gjatë karrierës së saj ajo është angazhuar edhe në mbrojtjen e lirisë fetare dhe dinjitetit njerëzor, duke bashkëpunuar me organizata të specializuara në këtë fushë.
Që prej vitit 2023, ajo udhëheq veprimtarinë mediatike të EWTN News, një rrjet ndërkombëtar që ofron përmbajtje në shtatë gjuhë përmes televizionit, radios, mediave të shkruara dhe platformave digjitale.
Sipas njoftimit të Selisë së Shenjtë, ky emërim është pjesë e vazhdimit të procesit të rinovimit institucional të Kurisë Romake, të nisur nga Papa Françesku dhe të mbështetur nga Papa Leoni XIV. Me këtë detyrë, Alvarado bëhet gruaja e parë laike që nuk i përket jetës rregulltare fetare dhe që drejton një dikaster të Vatikanit në cilësinë e prefektes.
Duke reaguar pas emërimit, Alvarado shprehu gatishmërinë e saj për t’i shërbyer Kishës dhe Papës në fillimin e këtij pontifikati, ndërsa falënderoi paraardhësin e saj Paolo Ruffini për kontributin dhe udhëheqjen e tij gjatë viteve të fundit.
Nga ana e tij, Ruffini e cilësoi këtë ndryshim si një kalim të natyrshëm përgjegjësish, duke nënvizuar se procesi i tranzicionit do të zhvillohet në frymën e bashkimit dhe bashkëpunimit që karakterizon jetën e Kishës.

