Fortlumturia Juaj,
Fort i dashur vëlla Anastasios,
Në emër të të gjithë ipeshkvinjëve katolikë të Shqipërisë dhe timin personal, dëshiroj t’Ju përshëndes, me rastin e festës së Pashkës, me fjalët me të cilat të krishterët uronin njëri-tjetrin përgjatë gjithë kohës së Pashkës: “Krishti u ngjall!”. E nëpërmjet Jush ky urim shkon për të gjithë besimtarët e krishterë ortodoksë të Shqipërisë.
Vërtet Krishti u ngjall, e sikurse e keni theksuar edhe ju në mesazhin tuaj, ky kumt “ende kumbon ngjadhënjyes dhe ngushëllues në mes të errësirës dhe melankonisë…”.
Fortlumturi shumë e Nderuar! Është dëshirë e thellë e jona e të gjithëve që një ditë, e dashtë Zoti shumë shpejt, të kemi mundësinë të festojmë Pashkën çdo vit në të njëjtën ditë, të gjithë të krishterët e botës. Nëse shumë gjëra janë të pamundura për ne njerëzit, kjo nuk do të thotë se janë të pamundura për Zotërinë e ngjallur i cili do që ne, nxënësit e tij, “të jemi një” (Gjn 17,11), sikurse Ai është një me Atin.
Në këtë ditë ne jemi të bashkuar në lutje, me dhe për njëri-tjetrin, duke vazhduar e çuar përpara atë traditë të bukur, që nuk është vetëm një traditë njerëzish, por mbi të gjitha një detyrë që buron nga besimi në të njëjtin Krisht.
Duke dëshiruar për Ju shëndet e paqe edhe një herë Ju uroj: Përshumot Pashka e Krishtit!
Vëllazërisht në Krishtin
Gjergj Meta
Ipeshkëv i Rrëshenit
President i KISH-it