Këtë mëngjes, si u largua nga Casa Santa Marta, Ati i Shenjtë Papa Françesku shkoi në Universitetin Papnor Lateranens ku kryesoi Aktin Akademik për krijimin e ciklit të studimeve mbi “Kujdesi për Shtëpinë tonë të përbashkët dhe mbrojtja e Krijimit” dhe të Katedrës UNESCO “On Futures of Education for Sustainability”.
Publikojmë më poshtë fjalimin që Papa u drejtoi të pranishmëve gjatë krijimit të ciklit të studimeve dhe të Katedrës UNESCO:
Fjalimi i Papa Françeskut:
Vëllezër e motra të dashur!
Kam kënaqësinë të jem mes jush, për këtë Akt Akademik kushtuar çështjeve ekologjike dhe mjedisore. Ai ka për qëllim gjithashtu të hedhë themelet për një dialog të hapur dhe të strukturuar, me të gjithë, se si të njohim dhe dëgjojmë zërin e shtëpisë sonë të përbashkët, e cila kërkon të ruhet dhe të kujdeset për të. Është një ngjarje ku sheh pjesëmarrjen e Patriarkut Ekumenik Bartolomeu, me të cilin bashkëndajmë detyrën për të kumtuar dashurinë për krijimin dhe angazhimin për kujdesin ndaj tij. Ndërsa ishte duke u përpunuar enciklika Laudato si’, drita që vinte prej tij dhe prej Kishës së Konstandinopojës ishte e fortë. Ruajtja e krijimit – citoj Shenjtërinë e Tij – “është një mënyrë e dashurisë, e kalimit gradual nga ajo që dua në atë që ka nevojë bota e Hyjit. Është lirim nga frika, nga babëzia dhe varësia” (Konferenca në Manastirin Utstein, Norvegji, qershor 23, 2003).
Sot, reflektimi i përbashkët si dishepuj të Krishtit ka arritur të depërtojë në shumë kontekste duke bashkuar interesa shpesh të largëta, si dhe në kontekstin e Organizatave ndërkombëtare, të Konferencave të posaçme shumëpalëshe kushtuar sektorëve të ndryshëm mjedisorë ose ekosistemeve. Në këtë perspektivë, për shembull, inkuadrohet Mesazhi i fundit që, bashkë me Patriarkun Bartolome dhe me Arqipeshkvin Justin Welby, Primat i Kishës Anglikane, kemi përgatitur në funksion të takimit COP26 në Glasgow, tashmë i afërt. Mendoj se të gjithë jemi të vetëdijshëm për këtë: dëmi që po i shkaktojmë planetit nuk kufizohet më në dëmin ndaj klimës, ujit dhe tokës, por tanimë kërcënon vetë jetën mbi tokë. Përballë kësaj, nuk mjafton të përsërisim deklaratat parimore, që të na bëjnë të ndihemi në rregull sepse, mes shumë gjërave të tjera, ne interesohemi edhe për mjedisin. Kompleksiteti i krizës ekologjike, në të vërtetë, kërkon përgjegjësi, konkretësi dhe kompetencë. Më ka prekur shumë njëri nga shkencëtarët, në takimin që patëm me ta dhe gjithashtu me udhëheqësit fetarë [më 4 tetor], ky shkencëtar, president [i Akademisë Papnore të Shkencave], tha: “Mbesës sime, e cila lindi muajin e kaluar, do t’i duhet të jetojë në një botë të pabanueshme nëse nuk i ndryshojmë gjërat”.
Këto janë zgjedhje që i kujtojnë misionit të tij zanafillor atë Universitas, si vend i privilegjuar për formimin dhe përgatitjen, ku takohen njohuritë e ndryshme, ku studentët dhe mësuesit mblidhen për të reflektuar dhe hartuar në mënyrë krijuese shtigje të reja për t’u ndjekur. Përmes Universitetit kalon edhe përpjekja për të formuar ndërgjegjen ekologjike dhe për të zhvilluar kërkimin për të mbrojtur shtëpinë e përbashkët. Aktiviteti akademik thirret për të favorizuar kthimin ekologjik integral për të ruajtur shkëlqimin e natyrës, më së pari duke rindërtuar unitetin e nevojshëm midis shkencave natyrore dhe shoqërore me atë që ofron reflektimi teologjik, filozofik dhe etik, në mënyrë që të frymëzojë normën juridike dhe një të vizion të shëndoshë ekonomik.
Takimi i sotëm sheh gjithashtu të përfaqësuar në nivelin më të lartë Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Edukimin, Shkencën dhe Kulturën (UNESCO), e caktuar për të ruajtur trashëgiminë kulturore dhe natyrore botërore dhe për të promovuar shkencat në dinamizmin e tyre, para së gjithash përmes formimit. Falënderoj UNESCO-on për vëmendjen aktive që i ka kushtuar kësaj nisme me nisjen e rrugëtimit për një katedër mbi Të ardhmen e edukimit për qëndrueshmërinë.
Këto janë fryma, kushtet paraprake dhe qëllimi që i besohen Ciklit të ri të studimeve në ekologji dhe mjedis që lind sot në këtë Universitet. Gjithashtu i përfshirë në udhëtimin drejt bashkimit të plotë kishtar, ai do të punojë së bashku me Selinë e Andresë Apostull, me një perspektivë të hapur, një shpirt të madh në gjendje për të mirëpritur vëmendjen e Kishave kristiane, të bashkësive të ndryshme fetare, të atyre që janë në kërkim dhe të atyre që paraqiten si jobesimtar. Prandaj duhet të jetë një pikë takimi për reflektimin mbi ekologjinë integrale, në gjendje për të mbledhur përvoja dhe mendime të ndryshme, duke i ndërthurur ato përmes metodës së kërkimit shkencor përkatës. Në këtë mënyrë, Universitas-i tregohet jo vetëm si shprehje e unitetit të diturive, por edhe si bartëse e një urdhëroreje që nuk ka kufij fetarë, ideologjikë apo kulturorë: të ruajmë shtëpinë tonë të përbashkët, ta ruajmë atë nga veprimet kobtare, mbase të frymëzuara nga një politikë, një ekonomi dhe një formim që lidhen me rezultatin e menjëhershëm, në të mirën e një pakice.
Pritjet që lidhen me objektivat e zhvillimit të qëndrueshme për t’u arritur deri në vitin 2030 po largohen, së bashku me qëllimet më specifike që lidhen me mbrojtjen e ajrit, ujit, klimës ose me luftën kundër shkretëtirëzimit. Ndoshta sepse ne i kemi lidhur këto qëllime vetëm me një marrëdhënie shkak-pasojë, mbase në emër të efikasitetit, duke harruar se «nuk ka ekologji pa një antropologji të përshtatshme» (Enc. Laudato si’, 118). Pa një ekologji të vërtetë integrale ne do të kemi «një çekuilibër të ri, i cili jo vetëm që nuk do t’i zgjidhë problemet, por do të shtojë të tjera» (po aty). Ideja e një Cikli të posaçëm studimesh shërben, pra, për të shndërruar, edhe mes besimtarëve, interesin e thjeshtë për mjedisin në një mision të kryer nga njerëz të formuar, fryt i një përvoje edukative të përshtatshme. Kjo është përgjegjësia më e madhe përballë atyre që, për shkak të degradimit të mjedisit, përjashtohen, braktisen dhe harrohen. Një vepër të cilës Kishat, për vetë thirrjen e tyre, dhe çdo person vullnetmirë janë thirrur t’i japin të gjithë përkrahjen e nevojshme, duke e bërë veten zë i atyre që nuk kanë zë, që vendoset mbi interesat e një pale dhe që nuk qëndron vetëm duke u ankuar.
Komunitetit akademik lateranens, në të gjithë komponentët e tij, ia drejtoj inkurajimin tim për të vazhduar, me përulësi dhe këmbëngulje, në hulumtimin e shenjave të kohës. Një qëndrim që kërkon hapje, kreativitet, oferta më të gjera formuese, por edhe sakrificë, përkushtim, transparencë dhe ndershmëri në zgjedhje, veçanërisht në këtë kohë të vështirë. Le të braktisim përfundimisht atë “gjithmonë është bërë kështu” – është vetëvrasëse, kjo “gjithmonë është bërë kështu” -, gjë që nuk na bën të besueshëm sepse sjell sipërfaqësi dhe përgjigje që vlejnë vetëm për nga dukja (krh. Nxit. Ap. Evangelii gaudium, 33). Përkundrazi, ne jemi të thirrur për punë të kualifikuar, e cila i kërkon të gjithëve bujari dhe falasshmëri për t’iu përgjigjur një konteksti kulturor, sfidat e të cilit presin konkretësi, saktësi dhe aftësi përballjeje. Hyji na mbushtë me butësinë e tij dhe zbraztë mbi rrugën tonë forcën e dashurisë së tij, «në mënyrë që të mbjellim bukuri dhe jo ndotje e shkatërrim» (Enc. Laudato si’, 246). Faleminderit!
Përkthyer nga Vatican Press
Mond MARKU